Koçeku pas largimit nga PS-ja: të shpërndahet Parlamenti dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme

    Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, e cila pak ditë më parë njoftoi largimin e saj nga PS-ja dhe kalimin në statusin e deputetes së pavarur, ka reaguar sërish me tone të ashpra ndaj socialistëve, përcjell Nistori.

    Përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale, Koçeku ka kundërshtuar akuzat se po mban mandatin që i takon Partisë Socialiste, duke deklaruar se mandati i deputetit i është “marrë” asaj për muaj me radhë dhe se tashmë ai ka “ardhur në vendin e vet”.

    “Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet”, shkruan Koçeku.

    Ajo ka sfiduar drejtuesit e PS-së që, nëse janë të bindur se ajo nuk gëzon mbështetje elektorale pa partinë, të pranojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

    “Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka”, shprehet ajo.

    Në të njëjtin reagim, Koçeku përdor edhe nota ironike, duke paralajmëruar se në një garë të mundshme zgjedhore do të kandidonte në Tiranë, ndërsa bën referenca simbolike ndaj origjinës së saj dhe debatit për përdorimin e gjuhës standarde.

    Deklarata vjen në një periudhë tensionesh politike, pas protestave të fundit në Shqipëri dhe vendimit të Koçekut për t’u distancuar nga Partia Socialiste, duke vijuar mandatin si deputete e pavarur në Kuvend.

    Lajmi Paraprak

    Fëmijët në RMV janë të ekspozuar ndaj ajrit të ndotur dhe thatësirës, ​​thotë raporti i ri i UNICEF-it

    Lajmi i rradhës

    Strugë, pedalinat mbeten në plazhe pavarësisht nismës për ndalim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë