Vazhdojnë përplasjet politike rreth Propozim-ligjit për përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili të hënën kaloi në lexim të parë në Kuvend. Derisa qeveria këmbëngul se zgjidhja e re ligjore do të sigurojë respektimin e parimit të përfaqësimit të komuniteteve duke u bazuar në përkatësinë etnike dhe cilësinë, opozita shqiptare vlerëson se ligji dobëson garancitë ekzistuese dhe rrezikon balancën etnike në institucionet shtetërore.
Kundërshtimet më të ashpra kanë ardhur nga Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili e cilëson propozimin si një tekst “skandaloz” që, sipas partisë, jo vetëm nuk garanton përfaqësimin e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera, por edhe ndryshon filozofinë mbi të cilën është ndërtuar ky parim që nga Marrëveshja e Ohrit.
Në një reagim me shkrim, BDI vlerëson se ligji i promovuar nga VLEN dhe i hartuar nga profesoresha Tanja Karakamisheva nuk mund të konsiderohet ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, pasi, sipas tyre, nuk përmban garanci juridike, mekanizma institucionalë për zbatim dhe as sanksione për institucionet që nuk e respektojnë atë. “Propozim-ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat i promovuar nga VLEN dhe i hartuar nga Karakamisheva është një tekst skandaloz, pa garanci juridike dhe pa mekanizma efektivë zbatimi, i cili e varros parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera. Një ligj që nuk garanton zbatimin e vet nuk mund të quhet ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, por vetëm një deklaratë politike pa fuqi reale juridike”, thuhet në reagimin e partisë.
BDI kritikon edhe mënyrën se si përfaqësuesit e VLEN-it e kanë mbrojtur ligjin në opinion, duke vlerësuar se argumentet e tyre kanë qenë të paqarta dhe pa bazë juridike. “Ashtu sikurse vetë përmbajtja e ligjit është skandaloze, edhe përpjekjet e përfaqësuesve zyrtarë të VLEN-it për ta mbrojtur atë në opinion kanë qenë të zbrazëta, të vakëta dhe pa argumente bindëse juridike. Në vend që qytetarëve t’u ofrohen sqarime konkrete mbi dispozitat e ligjit, atyre u janë servirur deklarata politike që nuk mbështeten në tekstin e vetë ligjit dhe që nuk japin përgjigje për shqetësimet reale që ngre ky propozim”, theksojnë nga BDI.
Sipas partisë opozitare shqiptare, një nga problemet kryesore të ligjit është mungesa e kuotave etnike dhe e mekanizmave që do të garantonin përfaqësimin e komuniteteve në administratën publike. “Veçanërisht shqetësues është fakti se ligji nuk parashikon kuota etnike, nuk krijon mekanizma institucionalë për garantimin e zbatimit dhe nuk përmban asnjë sanksion ndaj institucioneve apo drejtuesve që zgjedhin të mos e respektojnë atë. Pa këto elemente, çdo pretendim se përfaqësimi i drejtë do të mbrohet mbetet vetëm një premtim politik, pa asnjë detyrim konkret për institucionet shtetërore”, vlerëson BDI.
Partia konsideron se me këtë propozim ndryshohet rrënjësisht koncepti aktual i përfaqësimit, duke e vendosur meritokracinë si kriter parësor, ndërsa përkatësinë etnike si kriter dytësor. “Me këtë propozim, meritokracia vendoset si kriter primar, ndërsa përkatësia etnike si kriter dytësor. Në praktikë kjo do të thotë se konkurrenca zhvillohet fillimisht ndërmjet kandidatëve të etnive të ndryshme, duke krijuar mundësi reale që shqiptarët të përjashtohen dhe diskriminohen nga proceset e punësimit publik. Deri më tani meritokracia zbatohej brenda kuadrit të përfaqësimit të garantuar për secilin komunitet, ndërsa tani ky parim përmbyset dhe balanca etnike vihet seriozisht në rrezik”, thuhet në reagim.
BDI hedh poshtë edhe deklaratat e përfaqësuesve të VLEN-it se drejtuesit e institucioneve mund të shkarkohen në rast se nuk e zbatojnë ligjin. “Një ligj pa mekanizma zbatimi dhe pa pasoja për moszbatim nuk krijon detyrime reale. Për këtë arsye, pretendimet e përfaqësuesve të VLEN-it se drejtuesit e institucioneve do të shkarkohen nëse nuk e zbatojnë ligjin janë juridikisht të pambështetura dhe politikisht manipuluese. Në një shtet të së drejtës, çdo masë disiplinore, përfshirë shkarkimin, duhet të jetë e parashikuar shprehimisht në ligj. Nuk mund të ketë sanksione të imagjinuara apo të shpallura në konferenca për shtyp”, thekson partia.
Ndërkohë njeriu i parë i qeverisë, Hristijan Mickoski, në një paraqitje televizive duke komentuar rreth kritikave në lidhje me ligjin tha se sanksionet për moszbatimin e ligjit dhe kuotat e përfaqësimit nuk do të përfshihen drejtpërdrejt në ligj, por do të rregullohen me akte nënligjore dhe metodologji që do të hartohen pas miratimit të tij. Sipas Mickoskit, kjo është një praktikë e njohur juridike dhe ekzistojnë shumë shembuj ku sanksionet nuk janë pjesë e vetë tekstit ligjor.
“Ka shumë shembuj ku sanksionet nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në vetë ligjin, përfshirë edhe shumë ligje të tjera, madje edhe ligjin e mëparshëm, për të cilin qeveria e kaluar e LSDM-së dhe BDI-së dha një qëndrim të qartë se e kishte tejkaluar kohën e vet. Politika ndëshkuese që do të lidhet me këtë ligj do të përcaktohet me akte ligjore. Ekziston një afat i qartë kohor kur kjo politikë duhet të harmonizohet. Qytetarët të jenë të qetë, ky ligj menjëherë pas miratimit do të jetë zyrtar dhe funksional, ndërsa në periudhën që vjen me akte nënligjore do t’i përcaktojmë edhe ato pjesë për të cilat po flisni tani”, deklaroi Mickoski.
I pyetur nëse metodologjia do të përmbajë edhe kuota etnike, kryeministri tha se dy kritere do të jenë thelbësore gjatë zbatimit të ligjit. “Absolutisht që dy kritere do të jenë kyçe: përkatësia etnike, por edhe cilësia, pra gjithçka që përbën vlera të garantuara me Kushtetutë dhe vlera themelore të Kushtetutës sonë”, tha Mickoski.
Propozim-ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat kaloi të hënën në lexim të parë në Parlament. Më herët, Komisioni parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet komuniteteve zhvilloi debat publik për tekstin ligjor, ku ekspertë dhe deputetë paraqitën vërejtjet dhe propozimet e tyre për përmirësimin e dispozitave dhe mekanizmave të monitorimit të zbatimit. Ndërkaq, Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive më 4 qershor vendosi që procedura për miratimin e ligjit të zhvillohet sipas modelit të shumicës së dyfishtë të thjeshtë, të njohur si “Badenteri i vogël”. Vendimi u mbështet nga 11 anëtarë të komitetit, ndërsa dy votuan kundër.
Përndryshe në Maqedoninë e Veriut prej më shumë se dy vitesh mungon një mekanizëm ligjor që rregullon përfaqësimin e drejtë dhe adekuat gjatë punësimeve në institucionet shtetërore. Kjo situatë u krijua pasi Gjykata Kushtetuese më 9 tetor 2024 shfuqizoi mekanizmin e njohur si Balancuesi, i cili për vite me radhë shërbeu si instrument për rregullimin e përfaqësimit të komuniteteve në administratën publike. Debati për modelin e ri tashmë po zhvillohet në Kuvend, ku pritet që gjatë fazës së amendamenteve të paraqiten propozime të reja për ndryshimin dhe plotësimin e tekstit ligjor. Koha






