MATURA SHTETËRORE / ChatGPT hyn në provim, MASh pa mekanizma të saktë kontrolli

    Ndërkohë që mijëra maturantë i janë nënshtruar Provimeve Shtetërore, po ndryshon edhe mënyra se si ata përgatiten për to. Nëse deri para pak vitesh nxënësit kërkonin ndihmë nga mentorët për esetë, analizat letrare dhe temat që zakonisht përfshiheshin në provimet shtetërore, sot gjithnjë e më shumë po përdorin Inteligjencën Artificiale. Platforma si ChatGPT po shfrytëzohen për përmbledhje, shpjegime, analiza dhe ushtrime, duke ndryshuar mënyrën se si maturantët përgatiten për një nga provimet më të rëndësishme të arsimit të mesëm. Këtë vit, sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve, 14.587 nxënës u regjistruan për provimet përfundimtare të arsimit të mesëm. Prej tyre, 12.184 maturantë u regjistruan për maturën shtetërore, 2.276 për maturën profesionale dhe 127 për maturën artistike. Ndryshimi po vërehet edhe nga mentorët që prej vitesh punojnë me maturantë. Sipas tyre, krahasuar me vitet e kaluara, sivjet interesimi për përgatitje shtesë ka qenë dukshëm më i ulët.

    “Krahasuar me vitet e kaluara, sivjet kemi pasur dukshëm më pak interesim nga maturantët për përgatitje shtesë, veçanërisht për esetë. Shumë nxënës na kanë treguar se për sqarime, përmbledhje dhe ushtrime po përdorin platforma të inteligjencës artificiale si ChatGPT. Nuk mund të them se mentorët janë zëvendësuar plotësisht, por është e qartë se mënyra e përgatitjes ka ndryshuar”, deklaroi profesoresha Arta Kasumi për gazetën KOHA. Ky realitet ka hapur diskutime të reja nëse modeli aktual i maturës shtetërore po arrin ende të vlerësojë në mënyrë të plotë njohuritë dhe kompetencat e nxënësve në një kohë kur inteligjenca artificiale është bërë pjesë e përditshmërisë së tyre.

    I pyetur nga KOHA nëse modeli aktual i maturës shtetërore mbetet i besueshëm në një kohë kur nxënësit përdorin gjerësisht inteligjencën artificiale për përgatitje, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës (MASH), Driton Sulejmani, vlerëson se matura vazhdon të jetë një mekanizëm i besueshëm për vlerësimin e njohurive.

    “Modeli aktual i maturës shtetërore mbetet një mekanizëm i besueshëm për vlerësimin e njohurive të nxënësve, pasi provimet zhvillohen në kushte të kontrolluara dhe në përputhje me procedura të përcaktuara qartë. Matura shtetërore përfaqëson një provim ekstern që mundëson vlerësimin e njohurive dhe kompetencave të nxënësve në kohë reale dhe në kushte të barabarta për të gjithë kandidatët. Inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë si një mjet për të nxënë dhe për t’u përgatitur, përmes përgatitjes së përmbledhjeve, shpjegimeve, shembujve dhe zgjidhjes së detyrave” deklaroi Sulejmani duke pohuar gjithashtu se ekziston rreziku që një pjesë e nxënësve, në vend që të studiojnë plotësisht përmbajtjet mësimore, të mbështeten në materiale të përmbledhura ose të gjeneruara automatikisht.

    Një nga pyetjet kryesore që ngrihet me përdorimin e inteligjencës artificiale është nëse institucionet kanë mekanizma për të identifikuar përmbajtjet e krijuara me ndihmën e saj. Sipas zëvendësministrit, aktualisht nuk ekzistojnë mjete që mund të garantojnë saktësi të plotë në këtë drejtim. “Aktualisht nuk ekzistojnë mjete plotësisht të sigurta dhe të pranuara gjerësisht që me saktësi të lartë mund të përcaktojnë nëse një tekst i caktuar është krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale. Për këtë arsye, ashtu si në shumë sisteme të tjera arsimore, mjetet për detektimin e përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale shërbejnë si një tregues shtesë, por jo si dëshmi e vetme ose e mjaftueshme gjatë vlerësimit. Fokusi mbetet në verifikimin e njohurive në kushte të kontrolluara dhe në zhvillimin e kompetencave që kërkojnë mendim të pavarur, analizë dhe argumentim”, tha ai.

    Pra kjo nënkupton se edhe pse ekzistojnë programe që pretendojnë se mund të identifikojnë tekstet e krijuara nga inteligjenca artificiale, ato nuk konsiderohen mjaftueshëm të sakta për t’u përdorur si provë e vetme në procesin e vlerësimit. I pyetur nëse po shqyrtohen ndryshime në modelin e vlerësimit të maturantëve për shkak të përdorimit të inteligjencës artificiale, Sulejmani, tha se zhvillimet në këtë fushë po ndiqen me kujdes dhe se fokusi mbetet te zhvillimi i kompetencave që kërkojnë mendim kritik dhe analizë.

    “Zhvillimi i inteligjencës artificiale përbën një temë të rëndësishme për të gjitha sistemet arsimore dhe po ndiqen me kujdes përvojat dhe praktikat ndërkombëtare në këtë fushë. Inteligjenca artificiale duhet të përdoret si një mjet mbështetës për të nxënit dhe jo si zëvendësim i dijes dhe i fitimit të kompetencave. Në këtë drejtim, gjithnjë e më shumë rëndësi po merr mënyra e formulimit të pyetjeve dhe detyrave, të cilat duhet të orientohen drejt analizës, zgjidhjes së problemeve, argumentimit dhe zbatimit praktik të njohurive, pra drejt vlerësimit të kompetencave që nuk mund të zëvendësohen lehtësisht me përgjigje të gjeneruara automatikisht”, deklaroi Sulejmani për gazetën KOHA.

    Lajmi Paraprak

    Si ta kuptoni nëse keni kortizol të lartë – 10 shenja të stresit që e dëmtojnë trupin në heshtje

    Lajmi i rradhës

    “Dorëheqja e Ramës”, kolona zanore e protestës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë