Më 22 maj 2026, Ministria e Shëndetësisë, përmes përmbaruesit Vasko Bllazhevski, pagoi pothuajse 1.8 milion euro për tri ambulancat modulare në Gjorçe Petrov, Butel dhe Novo Lisiçe, përcjell Nistori.
Bëhet fjalë për një rast në të cilin gjykatat kanë konstatuar detyrimin për pagesën e punimeve të kryera ndërtimore, pas së cilës kreditori ka nisur procedurën e përmbarimit. Pjesën më të madhe të shumës së arkëtuar e përbën kamata, e cila arriti në 52.6 për qind të borxhit kryesor.
Ministria e Shëndetësisë i konfirmoi për Faktor shumat e paguara.
“Brenda procedurës së përmbarimit, borxhi kryesor arrin në 71.980.569 denarë, ndërsa kamata në 37.887.009 denarë. Përveç këtyre shumave, janë paguar edhe shpenzimet dhe tarifat që lidhen me procedurat gjyqësore dhe të përmbarimit, në vlerë totale prej 578.764 denarësh. Shuma e përgjithshme e paguar arrin në 110.446.342 denarë”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
E konvertuar në euro, borxhi kryesor arrin në rreth 1.17 milion euro, kamata në rreth 616 mijë euro, ndërsa shpenzimet gjyqësore dhe të përmbarimit në rreth 9.400 euro. Në total, janë paguar afërsisht 1.79 milion euro.
Punimet për tri ambulancat modulare u ndërprenë pas tragjedisë në spitalin modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 persona si pasojë e një zjarri. Objektet ishin pjesë e projektit për zëvendësimin e ambulancave të vjetra, ndërsa pas tragjedisë u ngritën pikëpyetje lidhur me sigurinë, dokumentacionin dhe mënyrën e realizimit të objekteve shëndetësore modulare.
Ministria thekson se pagesa është kryer në bazë të vendimeve të formës së prerë të gjykatave.
“Urdhri i përmbarimit është zbatuar në bazë të një vendimi të formës së prerë dhe të ekzekutueshëm të Gjykatës Themelore Shkup, si dhe të një vendimi të Gjykatës së Apelit në Shkup. Borxhi rrjedh nga një detyrim i përcaktuar nga gjykata për punime ndërtimore të realizuara në objektet e përkohshme ambulatore dhe poliklinike, të zbatuara në kuadër të aktiviteteve të Njësisë së Projekteve të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Sipas saj, kreditori ka nisur procedurën e arkëtimit të detyrueshëm përmes përmbaruesit pasi vendimi gjyqësor është bërë i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm.
Projekti i ambulancave modulare ishte pjesë e një pakete më të gjerë objektesh shëndetësore modulare të realizuara gjatë pandemisë së Covid-19. Tri ambulancat në Gjorçe Petrov, Butel dhe Novo Lisiçe ishin paraparë të zëvendësonin objektet e vjetra ambulatore-poliklinike, por pas ndërprerjes së punimeve lindi kontesti për pagesën e punëve të kryera.
Ministria thekson se, në procedura të tilla, ajo si debitor është e obliguar të veprojë në përputhje me vendimin e formës së prerë të gjykatës dhe urdhrin e përmbarimit.
“Ministria e Shëndetësisë do të analizojë të gjithë dokumentacionin dhe rrethanat që lidhen me këtë rast dhe, brenda kompetencave të saj ligjore, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme nëse konstatohet nevoja për hapa të mëtejshëm”, thuhet në reagim.
Kreditori në këtë rast është kompania për inspektime teknike, testime dhe analiza “Energy Maintenance Solutions EMS DOO Shkup”.
Sipas Ministrisë së Financave, me pagesën e fundit është shlyer plotësisht borxhi kryesor, së bashku me kamatat që arritën në më shumë se gjysmën e detyrimit bazë. Rasti, i regjistruar si borxh i papaguar në vitin 2023, tashmë është mbyllur përmes procedurës së përmbarimit nga llogaritë e Ministrisë së Shëndetësisë.






