
Mësues nga Maqedonia e Veriut kanë përfaqësuar vendin në Festivalin Evropian “Science on Stage 2026”, një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e arsimit STEM në Evropë, i cili u mbajt nga 28 deri më 31 maj në Klaipeda të Lituanisë, njofton Nistori.
Festivali mblodhi mbi 500 edukatorë nga më shumë se 30 shtete evropiane, të cilët prezantuan praktika inovative dhe projekte bashkëkohore në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.
Delegacioni i Maqedonisë së Veriut u udhëhoq nga koordinatorja kombëtare, Doktoreshë e Shkencave Hasime Jashari, dhe përbëhej nga mësimdhënësit Silvana Binova dhe Juliana Jakimovska nga SHMK “Strasho Pinxhur” në Shtip, Hasime Xhaferi Elezi nga SHMTK “Gostivari”, Merita Emini dhe Ajtene Ademi nga SHFK “7 Marsi” në Çellopek, si dhe Shqipe Lonçari Hoxha nga SHFMU “Gjergj Fishta”.

Pjesëmarrësit prezantuan projekte edukative përmes stendave ekspozuese, punëtorive interaktive dhe aktiviteteve të rrjetëzimit profesional, duke shkëmbyer përvoja me kolegë nga vende të ndryshme evropiane dhe duke krijuar mundësi për bashkëpunime të reja ndërkombëtare.
Përfaqësimi në Lituani erdhi pas suksesit të ekipit në festivalin kombëtar shkencor në Maqedoninë e Veriut, ku projektet e tyre u vlerësuan për qasjen inovative në mësimdhënie dhe integrimin e teknologjisë në procesin arsimor.
Pjesëmarrja në “Science on Stage 2026” konsiderohet një mundësi e rëndësishme për promovimin e praktikave bashkëkohore të arsimit dhe për prezantimin e potencialit të mësimdhënësve nga Maqedonia e Veriut në skenën evropiane të edukimit STEM. /Nistori/






