UNICEF: mbi 79 mijë fëmijë në RMV nuk janë të përfshirë në asnjë formë të edukimit parashkollor

    Në vitin 2025, rreth 5.000 fëmijë ndodheshin në listat e pritjes për regjistrim në kopshte. Sipas një analize të UNICEF-it, mbi 79.000 fëmijë të moshës 0 deri në 6 vjeç nuk janë të përfshirë në asnjë formë të edukimit dhe përkujdesjes parashkollore. Për të arritur objektivin kombëtar që deri në vitin 2032 të përfshihen në kopshte 65 për qind e fëmijëve, nevojiten rreth 19.000 vende të reja.

    Këto të dhëna u prezantuan në konferencën “Fillimi i hershëm, përfitime të qëndrueshme – kopsht për çdo fëmijë!”, ku u paraqitën gjetjet dhe rekomandimet e analizës mbi modelet inovative të financimit të edukimit dhe përkujdesjes parashkollore. Në konferencë morën pjesë ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, zëvendësministri Gjoko Velkovski dhe përfaqësuesi i UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut, Leslie Miller.

    Sipas UNICEF-it, Maqedonia e Veriut mund ta përshpejtojë zgjerimin e qasjes në edukimin parashkollor nëse investimet publike kombinohen me mbështetje për kopshtet private dhe punëdhënësit, duke ofruar shërbime më të përballueshme dhe gjithëpërfshirëse.

    Portali SDK raportoi vitin e kaluar se Shoqata e Kopshteve Private “Polet” kishte propozuar subvencionimin e qëndrimit të fëmijëve në kopshtet private, për shkak të listave të gjata të pritjes në kopshtet publike dhe mungesës së vendeve të lira. Projekti synon të sigurojë qasje në kopsht për 1.260 fëmijë, përmes subvencionimit të qëndrimit të tyre në 20 kopshte private në të gjithë vendin. Për këtë qëllim është paraparë një buxhet vjetor prej 3,78 milionë eurosh.

    Analiza tregon se përfshirja e fëmijëve në kopshte ndryshon ndjeshëm nga një komunë në tjetrën. Në disa zona regjistrohet një përqindje e lartë e fëmijëve, ndërsa në të tjera përfshirja është nën 10 për qind ose mungon pothuajse tërësisht. Fëmijët më të cenueshëm, si ata nga komuniteti rom, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ata që jetojnë në varfëri, vazhdojnë të kenë qasje më të kufizuar në këto shërbime.

    “Në bashkëpunim me projektin e Bankës Botërore për përmirësimin e shërbimeve sociale dhe me UNICEF-in, do të propozojmë një model kuponësh, përmes të cilit fëmijët e familjeve në nevojë dhe ata që ndodhen në listat e pritjes do të mund të regjistrohen në kopshte private. Nëse kjo qasje dëshmohet e suksesshme në praktikë, ajo mund të shndërrohet në politikë të përhershme dhe të kontribuojë në rritjen më të shpejtë të përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor”, tha ministri Limani.

    Përfaqësuesi i UNICEF-it, Leslie Miller, theksoi se rritja e numrit të vendeve në kopshte është e domosdoshme, por rezultatet do të jenë të qëndrueshme vetëm nëse qasja është e barabartë, gjithëpërfshirëse, e përballueshme dhe me cilësi të lartë.

    “Nëse nuk ndërtojmë një sistem që përfshin fëmijët më të cenueshëm, rrezikojmë të thellojmë pabarazitë që përpiqemi t’i zvogëlojmë. Qëllimi nuk është vetëm krijimi i më shumë vendeve në kopshte, por sigurimi i mundësive më të mira për çdo fëmijë, në çdo komunitet”, tha Miller.

    Analiza vlerëson se sistemi aktual, i cili mbështetet kryesisht në financimin publik, nuk mund t’i përgjigjet mjaftueshëm shpejt kërkesës në rritje. Vetëm 7 për qind e fëmijëve të regjistruar ndjekin kopshte private, ndërsa rastet kur punëdhënësit organizojnë shërbime të tilla për fëmijët e punonjësve mbeten të rralla. Zgjerimi i infrastrukturës publike do të kërkonte dekada dhe investime që tejkalojnë 100 milionë euro, si dhe angazhimin e një numri dukshëm më të madh profesionistësh.

    Sipas analizës, një mënyrë më efikase për të rritur përfshirjen është kombinimi i zgjerimit të infrastrukturës publike me bashkëfinancimin e kopshteve private dhe të iniciativave të punëdhënësve. Deri në vitin 2032 propozohet hapja e rreth 13.500 vendeve të reja në kopshte private dhe 5.300 vendeve në kopshte publike, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve për të gjitha familjet, përfshirë ato më të rrezikuarat.

    Për të garantuar barazi më të madhe në qasje, analiza rekomandon masa konkrete, si heqja e tarifave për familjet më të cenueshme, subvencionimi sipas të ardhurave të prindërve, mbështetja për transportin dhe regjistrimin e fëmijëve nga grupet më të rrezikuara. Kjo do të mundësonte që vendet e reja të krijuara të shndërrohen në mundësi reale për të gjithë fëmijët, veçanërisht për ata që rrezikojnë përjashtimin social.

    Për fëmijët me aftësi të kufizuara parashihen masa shtesë, si përmirësimi i qasjes fizike në objektet parashkollore dhe sigurimi i fondeve të dedikuara për komunat, me qëllim garantimin e pjesëmarrjes së tyre të plotë në edukimin cilësor parashkollor.

    “Kërkesa për vende në kopshte po rritet dhe është përgjegjësia jonë të ofrojmë zgjidhje konkrete. Për këtë arsye po investojmë në objekte të reja, të cilat do të krijojnë kapacitete për 3.515 fëmijë shtesë në të gjithë vendin. Megjithatë, suksesi ynë nuk do të matet vetëm me numrin e vendeve të reja, por me shkallën e qasjes që do të arrijmë t’u sigurojmë të gjithë fëmijëve, veçanërisht atyre që për një kohë të gjatë kanë mbetur jashtë sistemit”, deklaroi zëvendësministri Velkovski.

    Lajmi Paraprak

    Bosnja sërish nën mbikëqyrje – Kontrolle më të ashpra për paratë e qytetarëve, diasporës dhe ekonomisë

    Lajmi i rradhës

    Të jesh një prind i sigurt nuk do të thotë të jesh perfekt

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë