Ndërsa debati për mosrespektimin e gjuhës shqipe zhvendoset zëshëm në rrjetet sociale dhe hapësirat e tjera mediatke institucionet që i adresohen kritikat janë të rezervuar në komente. Jo vetëm për rastin e fundit, kur bilbordi i mirëserdhjes nga Qyteti i Shkupit, nuk ishte edhe në gjuhën shqipe. Qyteti i Shkupit në më shumë raste vazhdon të mos zbatojë dispozitat për zbatimin e gjuhës shqipe. Faqja elektronike zyrtare e këtij institucioni përditësohet me informacione në shqip që i takojnë vitit 2024 dhe më herët. Sipas nenit 1 paragrafi në njësitë e vetëqeverisjes lokale gjuha dhe alfabeti që e shfrytëzojnë së paku 20% e qytetarëve është gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik, ndërsa nenit 6 ndër të tjera përcakton se ueb faqet e institucioneve dhe përmbajtja e ueb faqeve krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj, detyrimisht publikohen edhe në gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve.
Lidhur me rastin e bilbordit nga Qyteti i Shkupit nuk ka asnjë reagim, por as edhe korrigjim. Kanë munguar po ashtu edhe reagimet institucionale, nga Agjencia për përdorimin e gjuhëve, si edhe nga Inspektoriati për zbatimin e shqipes. Këto dy institucione heshtin prej shumë kohësh, jo vetëm me dekalrata publike për situate të ngjashme, por edhe me Raporte apo Analiza për shkallën e zbatimit të gjuhës shqipe në nivel vendi, raporte të tilla më të fundit janë që nga viti 2022/23. Edhe pse Ligjin për gjuhën shqipe në nenin 18 shprehimisht thotë se “për realizimin e qëllimeve të këtij ligji, për promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e barabartë të gjuhës zyrtare që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabetit të saj, themelohet Agjencia për Zbatimin e Gjuhës – kompetente për standardizimin dhe përdorimin e barabartë të gjuhës…
Po ashtu edhe Inspektoriati, i cili prej më shumë se gjashtë vitesh e ka gjetur të vështirë penalizimin e abuzimeve me shqipen. As edhe në rastin e fundit. Nga ana tjetër tëb hënën ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim i cili përmes një deklarate ka theksuar se edhe pasi Qyteti i Shkupit korrigjoi fotografitë në tabelat hyrëse të qytetit, duke dëshmuar se ndërhyrja ishte e mundur, fakti që gjuha shqipe vazhdon të mungojë tregon se bëhet fjalë për një vendim të vetëdijshëm për të injoruar gjuhën shqipe dhe karakterin shumëetnik të kryeqytetit.
“Në një qytet dygjuhësh, përjashtimi i shqipes nga mbishkrimet zyrtare përbën provokim të rëndë politik dhe institucional, si dhe shkelje të ligjit”, thuhet në reagimin e partisë. BDI kërkon që Qyteti i Shkupit të korrigjojë menjëherë tabelat hyrëse dhe të vendosë edhe gjuhën shqipe, në përputhje me detyrimet ligjore dhe, siç thekson, me realitetin shumëetnik të Shkupit. Partia opozitare paralajmëron se, nëse kjo nuk ndodh, do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore, institucionale dhe demokratike për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të dinjitetit të shqiptarëve. Në reagim, BDI adreson kritika edhe ndaj koalicionit VLEN, duke e konsideruar atë përgjegjës politik për, siç thuhet, “modelin e vazhdueshëm të injorimit të shqiptarëve”.
“Përgjegjësia politike për këtë model të vazhdueshëm të injorimit të shqiptarëve bie mbi VLEN-in, të cilët me vasalitetin e tyre kanë krijuar bindjen se interesat dhe të drejtat e shqiptarëve mund të shkelen pa asnjë pasojë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
MAQEDONISHTJA, PRIORITET I QEVERISË
Gjuha maqedonase ishte një nga prioritetet kryesore të Qeverisë dhe për këtë arsye menjëherë filloi zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Maqedonase, u themeluan Inspektorati dhe Këshilli për Gjuhën Maqedonase, dhe është duke u zhvilluar Strategjia për Përdorimin e Gjuhës Maqedonase. Kështu kanë deklaruar nga VMRO-DPMNE, në një njoftim të hënën, ku mes të tjerash theksohen arritjet në sferën e kulturës.
“Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka arritur të stabilizojë situatën, të zbatojë reforma kyçe sistemike dhe të bëjë investime të konsiderueshme në kulturë dhe turizëm. Në dy vitet e fundit, fokusi ka qenë në krijimin e një qasjeje sistemike ndaj menaxhimit kulturor përmes planifikimit strategjik, fillimit të reformave ligjore, stabilizimit financiar dhe investimeve kapitale”, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE. Koha






