Njësia Territoriale e Zjarrfikësve në Dibër vazhdon me sukses të realizojë aktivitetet e saj, jo vetëm në shuarjen e zjarreve, por edhe në intervenimet teknike dhe operacionet e shpëtimit. Me 14 zjarrfikës dhe tetë automjete zjarrfikëse, njësia arrin të reagojë në kohë në çdo rast. Megjithatë, problem mbetet mungesa e mbështetjes financiare nga komunat Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë, edhe pse njësia intervenon rregullisht edhe në territorin e tyre. Në praktikë, Komuna e Dibrës vazhdon ta mbulojë e vetme të gjithë aspektin financiar të funksionimit të saj.
Numri i zjarreve në komunën e Dibrës ka shënuar rritje këtë vit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Njësisë Territoriale Kundër Zjarreve, deri më tani janë regjistruar 79 intervenime, ose rreth 10 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Komisari i Njësisë Territoriale Kundër Zjarreve në Dibër, Xhetan Miftaroski, thotë se temperaturat e larta kanë ndikuar në shpërthimin e shumë zjarreve, veçanërisht në sipërfaqe të hapura. Sipas tij, ekipet e njësisë kanë intervenuar me kohë, duke bërë që dëmet materiale të jenë minimale. “Nga periudha janar-qershor janë regjistruar 79 intervenime, që do të thotë se numri i tyre është rritur për 10 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e intervenimeve kanë qenë në sipërfaqe të hapura, ku janë regjistruar 47 raste. Gjithashtu, zjarrfikësit kanë intervenuar në 21 objekte, në një rast zjarri në komunikacion, si dhe kanë realizuar 10 intervenime teknike”, thotë komisari i Njësisë Territoriale Kundër Zjarreve.
Sipas tij, temperaturat e larta dhe moti i thatë kanë rritur ndjeshëm rrezikun për shpërthimin e zjarreve, ndaj kërkohet kujdes i shtuar nga qytetarët. “U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë përgjegjësi maksimale dhe të respektojnë rekomandimet e institucioneve. Është e ndaluar ndezja e zjarreve pa nevojë në male, pyje dhe sipërfaqe të hapura, pasi edhe një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë dëme të mëdha për natyrën dhe pronën”, theksoi komisari Xhetan Miftaroski.
Ekipi i njësisë së zjarrfikësve është në gatishmëri maksimale, por bashkëpunimi me qytetarët duhet të jetë në nivel, në interes të të gjithëve. Autoritetet apelojnë që çdo vatër zjarri të lajmërohet menjëherë tek shërbimet kompetente, në mënyrë që të parandalohet përhapja e flakëve dhe të mbrohen njerëzit, pasuria dhe mjedisi.
Njeriu i parë i Njësisë Kundër Zjarreve, Xhetan Miftaroski, për gazetën KOHA deklaroi se po punohet që shumë shpejt në Dibër të themelohet edhe një njësi vullnetare e zjarrfikësve. “Dibra ka traditë të zjarrfikësve vullnetarë, pasi në të kaluarën ka pasur një numër të madh të tyre”, tha ai.
Miftaroski theksoi gjithashtu se njësia ka përfituar shumë donacione nga organizata ndërkombëtare dhe nga diaspora, por sipas tij ende ekziston nevoja për pajisje të specializuara, veçanërisht për shkallë speciale për intervenime teknike në objektet kolektive. Për këtë qëllim janë duke u zhvilluar kontakte me Komunën e Dibrës dhe me disa organizata ndërkombëtare. “Në Dibër tashmë kemi ndërtesa kolektive me mbi 10 kate, prandaj kemi nevojë edhe për pajisje që mundësojnë intervenime teknike në lartësi më të mëdha”, tha ai.
Një risi e këtyre ditëve është se njësia është pajisur me një vegël të specializuar për ndërhyrje dhe hapje me forcë, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht nga mërgimtarët tanë.
Njëherazi, sipas Miftaroskit, vazhdojnë përpjekjet që edhe komunat rurale, të cilat përfitojnë shërbimet e njësisë, të marrin përsipër pjesën e tyre të financimit. “Aktualisht shërbimet i shfrytëzojnë tri komuna, por vetëm Komuna e Dibrës paguan për funksionimin e njësisë”, tha komisari Xhetan Miftaroski. Sipas tij, gjatë vitit të kaluar, por edhe në muajt e parë të këtij viti, njësia ka realizuar më shumë intervenime në komunat Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë, megjithëse ato nuk kontribuojnë fare financiarisht në funksionimin e saj. Koha






