Beteja për Badenterin: Ligji në pritje të kontrabandimit?!

    Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat po vazhdon të jetë një nga pikat më të nxehta të përplasjes mes opozitës shqiptare dhe shumicës parlamentare. Grupi parlamentar i Forntit Evropian të udhëhequr nga BDI, akuzon pushtetin se po përgatit skenar për ta miratuar ligjin pa praninë e opozitës, ndërsa paralajmëron se nuk do të lejojë anashkalimin e mekanizmit të Badenterit. “Shumica e tanishme ka hapur disa seanca dhe ato seanca i ka lënë të hapura, që të gjejë momentin kur ne nga opozita të mos jeni të pranishëm në ndonjërën seancë të paralajmëruar, që të mund të vendos në rend të ditës dhe ta kontrabandojë”, tha deputeti i Frontit Evropian, Ilir Hasani, nga presqendra e Parlamentit.

    Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se përse BDI po bllokon ligjin në fjalë, Hasani tha se opozita është e vendosur ta pengojë çdo përpjekje për miratimin e ligjit pa konsensusin e nevojshëm, duke vlerësuar se propozimi aktual nuk garanton mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe bie ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit. “Ne seriozisht e kemi kuptuar këtë situatë dhe jemi këmbëngulës në mbrojtjen e konceptit tonë, se ai ligj nuk duhet të kalojë dhe se ne si opozitë e kemi Badenterin. Ashtu që Ligji për Përfaqësim të Drejtë është i varur pas dere dhe pret momentin kur do të kontrabandohet, që unë mendoj se nuk do ta lejojmë, nuk e kemi lejuar deri tani dhe nuk do ta lejojmë të kalojë si një ligj suedez i cili është pa përmbajtje, ndërsa i cili është bazë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, Marrëveshjes së Ohrit e me këtë edhe i themeleve të shtetit”, theksoi deputeti Hasani.

    Ai gjithashtu komentoi edhe anketat е publikuara ditëve të fundit, në të cilat VLEN ishte për katër përlind para BDI-së, duke thënë se anketat e tilla janë të rrejshme dhe se të njëjtat bëhet për të krijuar huti te qytetarët. Ai tha se nëse VLEN qëndron kaq mirë me anketat, atëherë përse janë kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. “VLEN edhe ditës së sotme janë kundër zgjedhjeve të parakohshme. Nëse do të ishte situata e tillë, atëherë përse VLEN, do të ishte kundër. Ne i kërkojmë çdo ditë, edhe sot le të shpallen zgjedhjet, nuk e kemi problem, ndërsa VLEN gjithmonë është kundër zgjedhjeve të parakohshme, si shpjegohet kjo?”, u shpreh Hasani.

    Nga ana tjetër, VLEN akuzon BDI-në se me bllokimin e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat po minon Marrëveshjen e Ohrit. “Ali Ahmeti po bllokon Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke goditur një nga shtyllat themelore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, përse? Vetëm për shkak të etjes në pushtet”, theksoi Driton Sulejmani nga VLEN.

    Sipas tij, BDI po ndërmerr veprime që shkojnë drejtpërdrejt kundër interesave të shqiptarëve. “Në Reçicë të vogël kanë përgatitur një skenar të rrezikshëm. Duan të krijojnë përshtypjen se të drejtat e shqiptarëve janë të rrezikuara vetëm pse BDI-ja nuk është pjesë e Qeverisë. Për ta, duket se shqiptarët kanë të drejta vetëm kur ata janë në pushtet dhe kur njerëzit e tyre ulen në kolltukët e institucioneve. Udhëheqësia e korruptuar e BDI-së nuk mund ta pranojë faktin se shumica e shqiptarëve e dërguan në opozitë. Prandaj tani ka vendosur të hakmerret pikërisht ndaj tyre, duke bllokuar ligjin që synon ta garantojë përfundimisht përfaqësimin e drejtë”, theksoi Sulejmani.

    Duke përsëritur kritikat për keqpërdorim të fondeve evropiane, Sulejmani tha se skenari i opozitës shqiptare për të bllokuar Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat nuk do të kalojë më. (koha)

    Lajmi Paraprak

    Shqipëria, përballë paradoksit demografik

    Lajmi i rradhës

    Bletaria në RMV ka fitim, por edhe shumë punë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë