Seanca e Parlamentit për pyetje parlamentare u shoqërua me tensione, bllokadë të punimeve dhe ndërprerje, pasi deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, refuzoi të zbresë nga foltorja derisa kryeministri Hristijan Mickoski t’i përgjigjej një pyetjeje që, sipas saj, e kishte parashtruar me javë më parë dhe kishte mbetur pa përgjigje. Skena e krijuar në sallën plenare i vuri në provë të hapur kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi, i cili në fillim i dha të drejtë deputetes, por nuk arriti të ruajë rrjedhën e punimeve. Dauti kërkoi fjalën procedurialisht disa herë në nisje të seancës, në prani të Mickoskit dhe të kabinetit qeveritar, duke këmbëngulur që kryeministri të merrte fjalën. Në disa raste ajo iu drejtua drejtpërdrejt, ndërsa ai qëndroi pa reagim.
Gashi ndërhyri për të thënë se deputetja kishte plotësisht të drejtë, por hodhi hipotezën se mund të bëhej fjalë për një problem teknik në procedurën e regjistrimit të pyetjeve. Përgjigje nga kryeministri sërish nuk pati.
Momenti i kthesës erdhi pasi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, parashtroi pyetjet e tij dhe Mickoski u përgjigj pa vështirësi. Kur Gashi po përgatitej t’i jepte fjalën Filipçes për t’u shprehur nëse është i kënaqur me përgjigjen, Dauti u ngjit përsëri në foltore. Mikrofoni nuk u ndez. “Nëse ky reagim procedurial është përsëri për të njëjtën çështje, do të jetë i fundit për ju”, i tha Gashi, me ton të hapur nervoz. Deputetja nuk u tërhoq. Në reagimin e saj ajo kritikoi edhe mënyrën se si kryetari i Parlamentit e drejtonte seancën, ndërsa mospërgjigjen e kryeministrit e cilësoi shkelje të mandatit që deputetët kanë marrë nga votuesit.
“Kërkoj që kryeministri të përgjigjet me gojë. Ai e injoron pyetjen, qytetarët na zgjodhën që të jemi këtu me integritet e jo shërbëtorë. Unë nuk do të lëviz nga kjo foltore derisa të marr përgjigje për pyetjen që parashtrova herën e kaluar. Ose do të vini këtu për të dhënë përgjigje, ose kjo seancë nuk do të vazhdojë më tutje”, deklaroi Dauti.
PAUZË E DETYRUAR!
Pas kësaj, fjalën procedurialisht kërkoi edhe deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri, i cili refuzoi të flasë nga vendi dhe qëndroi pranë foltores. Në mbështetje të deputetes u ngrit edhe lideri i partisë, Zijadin Sela, që zuri vend pranë saj. Ndërkohë që radhët e deputetëve ndiqnin situatën në heshtje, në bankat e Qeverisë reagimi ishte i kundërt. Ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, dhe anëtarë të tjerë të kabinetit që kishin ardhur në seancë, shpërthyen në të qeshura.
Pa mundësi të vazhdonte punimet me deputetën në foltore, Gashi ndërpreu seancën për gjysmë ore, si u shpreh ai, “për t’u qetësuar deputetja”.
Pyetjet parlamentare janë instrumenti kryesor me të cilin deputetët kontrollojnë ekzekutivin dhe, sipas Rregullores së Parlamentit, mbajtësit e funksioneve publike janë të detyruar të përgjigjen brenda afateve të përcaktuara. Dauti e vendosi rastin e saj në një kontekst më të gjerë, duke paralajmëruar se mospërgjigja e kryeministrit nuk cenon vetëm një procedurë parlamentare, por edhe llogaridhënien para qytetarëve dhe funksionimin demokratik të institucioneve në Maqedoni.
GASHI: OPOZITA PO BLLOKON PARLAMENTIN
Kryetari i Parlamentit , Afrim Gashi, ndërkohë deklaroi se po tentohet për herë të parë të bllokohen seancat e parlamentit përmes proceduraleve. Ai sqaroi se koordinatorët kanë të drejtë të argumentojnë për procedurën dhe rrjedhën e seancës për një pikë të rendit të ditës:
“Mendoj se po tentohet, po krijohet një tentativë për herë të parë që të bllokohen seancat e parlamentit me procedurale. Koordinatorët kanë drejtë një herë të argumentojnë për procedurën e rrjedhës së seancës për një pikë të rendit të ditës… Argumentimi është 3 minuta. Nuk mund të paraqiten gjithë deputetët, gjithë koordinatorët vazhdimisht tërë ditën ta përsëritin të njëjtin argument, për shkak se ajo e humb kuptimin e procedurales dhe tentativa është që pastaj të bllokohet Parlamenti”, theksoi Gashi. Ai rikujtoi se e gjithë e ecuria e hartimit të Rregullores së re ka pasur për qëllim shmangien e bllokimeve:
“Gjithë procesi i Jean Monnet, i sjelljes së Rregullores së re ka qenë i orientuar rreth krijimit të një rregulloreje e cila nuk e lejon bllokimin e Parlamentit… Opozita e tanishme ka qenë në atë kohë shumicë dhe ata e kanë udhëhequr procesin e Jean Monnet dhe gjithë bashkarisht, edhe opozita në atë kohë, jemi dakorduar që Rregullorja është ajo, nuk duhet të bllokohemi, vullneti i shumicës duhet të vijë në shprehje”, tha Gashi. Lidhur me menaxhimin e seancave dhe të drejtën e fjalës, ai theksoi se nuk do të lejohet keqpërdorimi. “Mendoj se nuk është mirë të bllokohet me procedurale dhe unë nuk do ta lejoj… Do të flasim me koordinatorët që mundësinë do ta kenë të reagojnë në çdo moment, kur një koordinator kërkon fjalë do t’ia jap, por nëse keqpërdoret, pastaj do të duhet patjetër të mundësoj që seancat të rrjedhin. Ajo është detyra ime si Kryetar i Parlamentit”, tha Gashi.
Në lidhje me kërkesën e BDI-së për pamjet e kamerave të sigurisë në ambientet e parlamentit, në lidhje me situatën me ministrin e pushtetit lokal, Ivan Stoillkoviç, kryetari i Parlamentit sqaroi procedurën ligjore. “Ato janë pamje që janë kamerat e sigurisë që kontrollohen nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ato mund të kërkohen vetëm me kërkesë të një organi hetues. Pa procedurë hetimore nuk mundet asnjëherë, s’ka të drejtë t’i japë… As unë siç i kam parë ato pamje, as kam drejtë t’i shoh. Kështu që nuk mund të jap diçka që nuk e posedoj dhe nuk kam drejtë të kem qasje”, tha Gashi. Koha






