Nevojitet kontroll i detajuar inxhinierik i të gjithë sistemit të ujësjellësit në Gostivar, në mënyrë që të përcaktohet saktë burimi i problemit, pasi hiperkolorimi i përsëritur i ujit nuk do ta zgjidhë në mënyrë të përhershme çështjen. Kështu tha për Meta.mk doktori Dragan Danilovski, lidhur me problemin që qytetarët e Gostivarit e kanë me ujin e pijshëm tashmë prej 20 ditësh.
Sipas tij, nëse bakteret që tashmë janë prezentë aty, Pseudomonas aeruginosa dhe Proteus mirabilis, janë të mbrojtura në biofilm ose nëse në sistem ekziston burim aktiv i kontaminimit, hiperkolorimi i përsëritur në vetvete nuk është zgjidhje.
“Gjetjet e fundit laboratorike tregojnë se përveç Pseudomonas aeruginosa, në analizat e ujit është zbuluar edhe Proteus mirabilis. Në këtë fazë është me rëndësi thelbësore që analizat të vazhdojnë pa ndërprerje, derisa të sqarojmë plotësisht shkaqet e kësaj dukurie mikrobiologjike në sistemin e ujësjellësit. Pseudomonas aeruginosa është e përhapur gjerësisht në natyrë dhe gjendet natyrshëm në tokë, ujë dhe në mjedise të ndryshme me lagështi. Ajo në asnjë mënyrë nuk është vetëm “bakter spitalor”, edhe pse në spitale është e njohur sepse mund të shkaktojë komplikime serioze te pacientët me sëmundje të rënda dhe te personat me imunitet të dobësuar ndjeshëm”, tregon Danilovski.
Ai thotë se te njerëzit e shëndetshëm, konsumimi i sasive të vogla përmes ujit zakonisht nuk paraqet asnjë rrezik shëndetësor, pasi sistemi imunitar e përballon lehtësisht.
“Kujdes më i madh nevojitet vetëm te personat me imunitet të dëmtuar rëndë, te njerëzit me djegie të mëdha, me fibrozë cistike ose gjendje të ngjashme që ulin rezistencën e organizmit”, shpjegon Danilovski, i cili shton se bakteri Proteus mirabilis njihet më së shumti si shkaktar i infeksioneve të traktit urinar.
Sipas tij, shumë më e rëndësishme është të zbulohet pse këto baktere shfaqen fare në sistemin e ujësjellësit dhe cili është mekanizmi i saktë që u mundëson atyre të mbijetojnë ose të rikthehen vazhdimisht.
“Kur bakteret shfaqen vazhdimisht në rrjet, kjo është shenjë e sigurt se diku brenda tij ekzistojnë kushte të përshtatshme për mbijetesën e tyre. Shkaku kryesor për këtë zakonisht është krijimi i biofilmit, përkatësisht një shtresë e hollë dhe ngjitëse mikroorganizmash që lidhet fort me vetë gypat. Në këtë shtresë mbrojtëse, bakteret bëhen jashtëzakonisht rezistente edhe ndaj mjeteve të forta dezinfektuese”, thekson profesori.
Danilovski vlerëson se rruga e vërtetë drejt sigurisë së qëndrueshme mikrobiologjike të ujit kalon përmes sanimit të plotë të burimit të ndotjes, e shoqëruar me kontrolle të përsëritura mikrobiologjike.
Uji nga ujësjellësi i Gostivarit vazhdon të jetë i pasigurt për pirje.
Ministria e Shëndetësisë dje informoi se situata epidemiologjike në Gostivar po monitorohet vazhdimisht nga institucionet kompetente shëndetësore. Gjatë 3 gushtit janë regjistruar gjithsej 78 kontrolle, që është për gjashtë më pak krahasuar me një ditë më parë, kur ishin evidentuar 84 kontrolle.






