Kur qiraxhiu bëhet pronar i shtëpisë së popullit

    AURON JANKU

    Ka shtete që flasin shumë për demokracinë, por kanë harruar të dëgjojnë qytetarët. Ndoshta ky është një nga paradokset më të mëdha të Shqipërisë së këtyre tridhjetë e pesë viteve: kemi ndërtuar një Republikë që, në letër, duket solide, ndërsa demokracia, në praktikë, shpesh mbetet duke trokitur në derën e saj.

    Republika “shkëlqen”. Demokracia “ulëret”.

    Dhe mes të dyjave qëndron një qytetar që voton, zgjedh përfaqësuesit e tij dhe pastaj, për katër vjet, pothuajse zhduket nga skena e vendimmarrjes. Kjo nuk është një çështje fjalësh. Është një çështje sistemi.

    Republika është përfaqësim. Demokracia është pjesëmarrje.

    Republika u jep qytetarëve mundësinë të zgjedhin ata që do t’i përfaqësojnë. Por demokracia nuk mund të përfundojë në momentin kur qytetari hedh votën në kuti. Përfaqësuesi është i mandatuar nga populli, jo zëvendësues i sovranitetit të tij. Ky është ndryshimi themelor. Në një Republikë demokratike, populli i jep pushtet përfaqësuesit. Nuk ia fal.

    Mandati është delegim i pushtetit, jo uzurpim i sovranitetit.

    Këtu fillon problemi ynë. Kushtetuta shqiptare e ka ndërtuar Republikën mbi një sistem përfaqësues. Institucionet, ndarja e pushteteve dhe mekanizmat e përfaqësimit janë aty. Por në këtë arkitekturë ekzistojnë disa “kleçka” që, ndonëse duken të vogla në tekst, bëhen të mëdha në pasojat e tyre.-Njëra është mungesa e kufizimit kushtetues të mandateve politike.-Një tjetër është demokracia direkte, e cila ekziston si parim, por në praktikë mbetet e pamundur për t’u ushtruar përmes mekanizmave si referendumi dhe iniciativa ligjore qytetare.

    E drejta që nuk mund të ushtrohet , mbetet vetëm një e drejtë në letër.

    Kështu krijohet ajo që mund ta quajmë “Republika hibride”: një sistem ku qytetari është sovran në teori, votues në momentin elektoral, por spektator në pjesën më të madhe të kohës. Dhe atëherë ndodh diçka e rrezikshme:Përfaqësuesi fillon të sillet si sovran. Demokracia është shtëpia e popullit. Pushtetarët janë qiraxhinj të saj. Populli u jep çelësat për një kohë të caktuar, me një kontratë të quajtur mandat. Por nëse qiraxhiu harron se është qiraxhi, fillon të ndryshojë mobiliet, të mbyllë dyert, të heqë çelësat rezervë dhe, në fund, të sillet sikur shtëpia i përket atij.

    Ky është momenti kur përfaqësimi shndërrohet në uzurpim.

    Pushteti demokratik ka një kufi natyror: kohën dhe kompetencën e mandatit. Një qeverisës mund të vendosë për atë që i është besuar, brenda periudhës dhe kompetencave të tij. Por kur një vendim prek brezat e ardhshëm, ndryshon strukturën e shtetit apo tejkalon qartësisht mandatin politik, pyetja bëhet e pashmangshme:

    Kush duhet të vendosë përtej mandatit: përfaqësuesi i sotëm apo sovrani?

    Në një demokraci funksionale, përgjigjja nuk mund të jetë gjithmonë parliamenti,duhet të jetë dhe populli. Jo për çdo çështje, por për çështje madhore, strategjike dhe afatgjata. Këtu hyn demokracia direkte: Referendumi; Iniciativa ligjore qytetare – dy mekanizmat përmes të cilëve populli nuk rrëzon Republikën, por e mbron atë.

    Demokracia direkte nuk është kundër përfaqësimit. Është frena e tij demokratike.

    Në këto tridhjetë e pesë vite kemi pasur një prirje të çuditshme: të ndërtojmë rregulla sipas nevojës së momentit, duke marrë pjesë nga sisteme të ndryshme dhe duke harruar harmoninë midis qëllimit, formës dhe përmbajtjes. Kështu lindin ligjet “Frankensteiniste”. Ku pjella e shformuar dhe e sajuar, mbyt te zotin, me kurthe konstitucionale. Pak nga njëra anë.Pak nga tjetra. Një dispozitë që bie ndesh me tjetrën.Një parim që shpallet dhe një procedurë që e bën të pamundur zbatimin e tij. Në letër thuhet: “Populli është sovran.”Në praktikë pyetja bëhet: “Po si e ushtron sovranitetin?” Dhe aty fillon labirinti procedural.

    Kur procedura bëhet pengesë për të drejtën, në vend që ta mbrojë demokracinë, e mbyll atë.

    Nuk mjafton të thuash se qytetari ka të drejtën e referendumit, nëse rruga për ta ushtruar është e pakalueshme. Nuk mjafton të thuash se ekziston iniciativa ligjore qytetare, nëse ajo nuk ka fuqi reale.

    Një derë që ekziston, por nuk hapet, është vetëm dekor.

    Dhe kështu populli është futur në një karrocë me rrota katrore. Rruga hapet nga ata që drejtojnë. Karroca ecën në drejtimin që vendosin ata. Populli pret goditjen e segmentit të ardhshëm: Një ligj. Një reformë. Një taksë. Një vendim. Një ndryshim rregulli. Dhe qytetari, i lodhur, përpiqet të mbahet në parmakët e kalbur, ndërsa sheh të tjerët që bien njëri pas tjetrit. Disa largohen. Disa heshtin. Disa dorëzohen.Disa luftojnë vetëm për veten. Ku te drejtat natyrore behen luks. Dhe kjo është tragjedia më e madhe e një demokracie të lodhur: qytetari fillon ta shohë fatin e tjetrit si problem të tjetrit. Harrojmë se karroca është e përbashkët.

    Sot bie ai. Nesër mund të jesh ti. Karroca po zbrazet (populli), I cili nuk duhet të konsiderohet, sikur është nëpër këmbë.

    Ne e fituam lirinë politike tridhjetë e pesë vite më parë. Por liria nuk është vetëm të flasësh apo të votosh. Liria politike është edhe mundësia reale për të ndikuar mbi pushtetin që buron prej teje. Nëse populli voton dhe pastaj hesht, kemi zgjedhje. Nëse populli voton dhe mund të ndërhyjë në çështje madhore, kemi demokraci. Prandaj reforma nuk kërkon revolucion institucional.

    Duhet të heqim kleçkat nga sistemi ekzistues.

    Duhet: • kufizim të mandateve politike; • demokraci direkte funksionale; • referendum real dhe të aksesueshëm; • iniciativë ligjore qytetare efektive; • ndarje të qartë midis vendimeve të përfaqësuesit dhe sovranit.

    Sepse mandati ka kohë. Sovraniteti nuk ka mandat. Në fund, çështja nuk është vetëm juridike.Është morale. Është filozofike.Eshte ekzistenciale Është pyetja më e vjetër e çdo Republike:

    Kush e zotëron shtetin?

    Pushtetari?Partia?Parlamenti? Qeveria?Apo populli? Përgjigjja duhet të jetë e thjeshtë. Populli. Institucionet janë të tij. Kushtetuta është kontrata e tij. Dhe demokracia nuk duhet të jetë vetëm dita e zgjedhjeve.

    Demokracia duhet të jetë frymëmarrja e përditshme e Republikës. Sepse kur përfaqësuesi harron se është përfaqësues, Republika humbet kuptimin. Kur qytetari harron se është sovran, demokracia fillon të vdesë. Dhe kur qiraxhiu harron se shtëpia nuk është e tij, vjen koha t’i kujtohet kontrata. Lirinë e pushtetit pothuaj absolut e morët me shumice per 35 vjet. BOLL! Kthejani popullit pronen DEMOKRACINE. Panorama

    Lajmi Paraprak

    NATO: çdo vendim për rihapjen e urës mbi Ibër për veturat, të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve

    Lajmi i rradhës

    Gostivari del nga gjendja e krizës pas 30 ditësh, uji shpallet i pastër dhe i sigurt për konsum

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë