Rasti i Iva Mihailovës nga Koçani, e cila u largua nga Maqedonia e Veriut dhe shkoi në Bullgari, pavarësisht se gjykata ia kishte konfiskuar pasaportat maqedonase dhe bullgare si masa kujdesi në procedurën gjyqësore për një aksident trafiku me pasoja fatale, ka nxitur reagime të reja politike në të dyja vendet. Ndërsa Shkupi paralajmëron se do t’i informojë institucionet evropiane, eurodeputeti bullgar, Andrej Kovaçev, thotë se Bullgaria nuk ka bërë asgjë të diskutueshme. Kovaçev, nga radhët e partisë bullgare GERB, në një paraqitje mbrëmë në Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT), deklaroi se e ka informuar personalisht presidenten e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, për rastin, gjatë takimit të Partisë Popullore Evropiane në Itali.
“Pikërisht tani, në takimin e PPE-së që po fillon në Itali, e informova presidenten e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, për situatën dhe konsideroj se Shkupi nuk ka arsye të ankohet ndaj Bullgarisë. Çfarë saktësisht ka bërë Bullgaria që është problematike? Absolutisht asgjë”, deklaroi Kovaçev.
Sipas eurodeputetit bullgar, rasti duhet të trajtohet si çështje humanitare, duke pasur parasysh gjendjen shëndetësore të Mihailovës dhe nevojën e saj për kujdes të përshtatshëm mjekësor. Deklarata e Kovaçevit vjen pasi Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se për rastin do t’i informojë Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Nga Ministria vlerësuan se veprimet e institucioneve bullgare në këtë rast i minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe janë në kundërshtim me zotimet për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Ndërkohë, opozitarja LSDM kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke e akuzuar pushtetin për lëshime serioze në kontrollin e kufijve shtetërorë. Nga partia kërkojnë të zbardhet se si Mihailova e ka lëshuar vendin dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi. Nga LSDM-ja theksojnë se Mihailova, në një deklaratë për mediat bullgare, ka pohuar se kufirin e ka kaluar në mënyrë të ligjshme, me letërnjoftim, dhe se zyrtarët kufitarë kanë qenë në dijeni. Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se në sistem nuk ka evidencë për dalje të saj nga shteti dhe as për hyrje të ligjshme në Bullgari. “Vetë ajo thotë se e ka kaluar kufirin në mënyrë të ligjshme, me letërnjoftim, dhe se zyrtarët kufitarë kanë qenë në dijeni. MPB-ja thotë se nuk ka evidencë për dalje. Qytetarët nuk janë naivë. Ata shohin dhe dinë gjithçka. Kështu organizohen arratisjet nga drejtësia. Me Mickoskin, Toshkovskin dhe VMRO-në, kufiri është si sitë, si për pesë tonë drogë, ashtu edhe për të arratisurit nga drejtësia. Ky është modeli klasik i VMRO-së – grupit të organizuar kriminal”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Partia opozitare kërkoi që Toshkovski të japë dorëheqje dhe që të hetohet se kush është i përfshirë në rast, duke kërkuar që të gjithë përgjegjësit të përballen me pasojat.
Reagim pati edhe nga platforma “Biseda për të ardhmen 12:05”, e cila, kërkoi përgjegjësi nga Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja. Nga platforma kërkojnë që ekzekutivi të përgjigjet nëse në takimin e javës së kaluar në Sofje, mes ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, dhe homologes së tij bullgare, Velislava Petrova-Çamova, është diskutuar për largimin e Mihailovës nga vendi. “Nëse Qeveria e mohon të lartpërmendurën, atëherë menjëherë ta pranojë dhe të shpallë paaftësi të plotë institucionale dhe të kërkojë ndihmë nga partnerët strategjikë ndërkombëtarë, derisa ende nuk e kemi rrezikuar regjimin pa viza me BE-në dhe nuk e kemi aktivizuar alarmin e Aleancës së NATO-s për shkak të menaxhimit të papërgjegjshëm të kufijve shtetërorë”, thuhet në komunikatën e platformës.
Përveç kësaj, platforma kërkon dorëheqjen e ministrave të Punëve të Brendshme, Punëve të Jashtme dhe Drejtësisë, Pançe Toshkovski, Timço Mucunski dhe Jeton Shaqiri.
Nga platforma, anëtarët e së cilës janë ish-funksionarë dhe funksionarë aktualë të LSDM-së që kërkojnë reforma në parti, i bëjnë thirrje Komisionit Evropian të reagojë për rastin dhe t’i kërkojë Sofjes zyrtare të ndalojë, siç thonë ata, provokimet nga nivelet më të larta politike e shtetërore. Gjithashtu, kërkojnë që Komisioni Evropian të kërkojë që Mihailova t’u dorëzohet pa vonesë organeve gjyqësore të Maqedonisë së Veriut. “Në të kundërtën, për shkak të ngjarjeve të tilla, poshtërimeve dhe paraqitjes së viktimave të një diskriminimi që nuk ekziston ndaj një shtetaseje bullgare, në Maqedoni po rritet presioni i brendshëm për hapjen e çështjes së rishqyrtimit të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë”, thuhet në reagimin e platformës.
Në fund të komunikatës, nga platforma shprehin solidaritet me qytetarët dhe thonë se ndajnë me ta ndjenjën e turpit për atë që i ka ndodhur Maqedonisë në lidhje me rastin.
Rasti u bë aktual pasi televizioni bullgar BTV raportoi se Mihailova e kishte kaluar kufirin maqedono-bullgar në shoqërinë e avokatit bullgar Nikolaj Dimitrov. Në një deklaratë për median, ajo tha se për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore kishte vendosur të kthehej në Bullgari. Nga MPB-ja informuan se, përmes Qendrës së Përbashkët të Kontaktit me Bullgarinë, janë kryer verifikime dhe se policia kufitare bullgare ka konfirmuar se nuk ka evidencë për hyrje të ligjshme të Mihailovës në Bullgari. Sipas evidencave kufitare, hyrja e saj e fundit në Bullgari ishte regjistruar në shtator të vitit 2025, ndërsa në tetor të po atij viti ishte regjistruar dalja e saj nga Bullgaria, përkatësisht hyrja në Maqedoninë e Veriut.
Të dy pasaportat e Mihailovës, ajo maqedonase dhe ajo bullgare, i ishin konfiskuar në tetor të vitit të kaluar, kur ajo u përfshi në një aksident trafiku me pasoja fatale, për të cilin po zhvillohet procedurë gjyqësore në Koçan. /Koha/





