Në Pustec u këndua vetëm himni maqedonas, Rama reagon: cirk i nacional-folklorizmit ballkanik

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas zhvillimeve në Pustec, ku gjatë ceremonisë në kuadër të vizitës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u ekzekutua vetëm himni maqedonas dhe jo ai shqiptar. Rama e ka cilësuar situatën si një “parodi domethënëse” për dallimet në qasjen ndaj marrëdhënieve dhe simboleve kombëtare në këtë pjesë të Evropës, përcjell Nistori.

    Sipas Ramës, kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kishte kërkuar paraprakisht që në ceremoni të ekzekutohej edhe himni shqiptar, por kërkesa e tij ishte injoruar. Rama thekson se Kolefski më pas kërkoi ndjesë për një situatë për të cilën, sipas tij, nuk mbante përgjegjësi.

    “U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën”, shkroi Rama.

    Kryeministri shqiptar nënvizoi gjithashtu se Shqipëria e ka trajtuar komunitetin maqedonas në Pustec me një status të veçantë, duke e cilësuar këtë si dëshmi të qasjes së vendit ndaj minoriteteve.

    “Për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne”, theksoi Rama.

    Në reagimin e tij, Rama nuk i kurseu kritikat ndaj asaj që e quajti “trupat e cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik”, duke thënë se vizitat e tilla në territorin shqiptar nuk e shqetësojnë Shqipërinë për sovranitetin e saj apo për ekuilibrat e jetës politike të brendshme.

    “Gjithsesi, u shpreh sot një keqardhje e sinqertë për të gjithë sponsorët e këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale”, deklaroi Rama.

    Në fund, ai u bëri thirrje edhe atyre që, sipas tij, kërkojnë përballje dhe përgjigje me të njëjtën monedhë në raste të tilla, duke theksuar se Shqipëria dhe Europa e Ballkanit nuk duhet të ulin standardin e vlerave të tyre.

    “Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit”, përfundoi Rama.

    Lajmi Paraprak

    Valët e të nxehtit nxjerrin në pah aftësinë e madhe njerëzore për të shpërfillur katastrofën

    Lajmi i rradhës

    Vandalët godasin Malin Sharr: shkatërrohet markacioni që garantonte sigurinë e alpinistëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë