Jakup Huseini kandidat i VLEN-it, Stojanço Radiçevski i VMRO DPMNE-së për Bërvenicën

    Partia VLEN ka shpallur Jakup Huseinin kandidat për kryetar të Komunës së Bërvenicës në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale, ndërsa VMRO-DPMNE do të garojë me Stojanço Radiçevskin, përcjell Nistori.

    Nga VLEN-i bëjnë të ditur se Huseini është magjistër i shkencave juridike dhe aktualisht punon si nëpunës shtetëror në Komunën e Bërvenicës. Sipas partisë, përvoja profesionale dhe puna e drejtpërdrejtë me qytetarët i kanë mundësuar atij të njihet nga afër me nevojat, problemet dhe sfidat e komunës.

    “Gjatë gjithë angazhimit të tij profesional, Jakup Huseini ka qenë në shërbim të banorëve dhe i përkushtuar ndaj përgjegjësive institucionale”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.

    Nga VLEN-i vlerësojnë se përparësia e kandidatit të tyre qëndron në njohjen e administratës komunale, procedurave institucionale dhe nevojave të banorëve. Për këtë arsye, sipas tyre, Huseini do të mund ta nisë punën që nga dita e parë, pa humbur kohë për t’u përshtatur me funksionimin e komunës.

    VLEN-i thotë se me këtë kandidaturë u ofron banorëve të Bërvenicës një kandidat me përgatitje juridike, përvojë profesionale dhe njohje të drejtpërdrejtë të problematikave lokale.

    “Që nga dita e parë, në shërbim të banorëve të Bërvenicës”, përfundon njoftimi i VLEN-it.

    Ndërkaq, Stojanço Radiçevski do të jetë kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Komunës së Bërvenicës. Kandidatura e tij është miratuar unanimisht në seancën e rregullt të Komitetit Ekzekutiv të partisë.

    Nga VMRO-DPMNE bëjnë të ditur se Radiçevski aktualisht është kryetar i Komitetit Komunal të partisë në Bërvenicë. Ai ka diplomuar në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” dhe është magjistër i së drejtës civile.

    “Presim bashkimin e të gjitha forcave progresive dhe mbështetje për propozimin i cili paraqet një zgjidhje të ndershme dhe të sinqertë për përparimin dhe të ardhmen e komunës së Bërvenicës. VMRO-DPMNE shkon në fitore bindëse për një Bërvenicë më të mirë!”, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.

    Me shpalljen e këtyre kandidaturave, Jakup Huseini i VLEN-it dhe Stojanço Radiçevski i VMRO DPMNE-së janë dy nga kandidatët që do të garojnë për drejtimin e Komunës së Bërvenicës në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Mickoski ua jep “recetën” komunave: respektoni dhe intononi himnin shtetëror nëpër shkolla

    Lajmi i rradhës

    Tragjeditë në RMV mbeten, faji ndryshon duar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë