Rreth një në dhjetë fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç që përdorin internetin në vend kanë përjetuar të paktën një formë të eksploatimit seksual dhe keqtrajtimit të mundësuar nga teknologjia gjatë një viti. Të dhënat e reja të UNICEF-it tregojnë se rreth 11.727 fëmijë janë përballur me përvoja të tilla, duke nxjerrë në pah rreziqet me të cilat përballen fëmijët në hapësirën digjitale.
Në analizën që përfshin 21 shtete, prevalenca mesatare është 18 për qind, ndërsa Maqedonia e Veriut është në 9.4 për qind. Megjithatë, disa prej formave më shqetësuese të keqtrajtimit janë më të përhapura në vend. Në mesin e nëntë shteteve të përfshira në raundin e dytë të studimit, vendi ynë regjistroi nivelin më të lartë të fëmijëve që thanë se ishin kërcënuar ose shantazhuar për t’u përfshirë në aktivitete seksuale, me gjithsej 4.4 për qind, kundrejt mesatares prej tre për qind.
Po ashtu, 4.2 për qind e fëmijëve në vend raportuan se ishin kërcënuar me shpërndarjen e fotografive ose videove seksuale të tyre, krahasuar me mesataren prej 2 për qind. Vendi kryeson edhe për rastet kur janë krijuar fotografi ose video seksuale të gjeneruara me inteligjencë artificiale ku paraqiteshin fëmijët. Kjo është raportuar nga 4.3 për qind e tyre, më shumë se dyfishi i mesatares prej 2 për qind në nëntë shtetet e analizuara. Të dhënat tregojnë se rreziku nuk vjen vetëm nga persona të panjohur në internet. Rreth 80 për qind e incidenteve përfshinin dikë që fëmija e njihte, përqindja më e lartë në mesin e shteteve të përfshira në studim. Në gati gjashtë në dhjetë raste, kryerësi ishte i rritur.
Edhe mënyra se si fëmijët njihen me kryerësit tregon se problemi nuk është i kufizuar vetëm në internet. Më shumë se gjysma e tyre, 52.8 për qind, e takuan për herë të parë kryerësin në një vend publik. Në 18.3 për qind të rasteve takimi i parë ndodhi në shkollë, ndërsa në 18.5 për qind në shtëpi. Pasojat e këtyre përvojave janë të rënda. Sipas UNICEF-it, fëmijët në vendin tonë që kishin përjetuar eksploatim seksual dhe keqtrajtim të mundësuar nga teknologjia kishin 8.6 herë më shumë gjasa të raportonin mendime ose sjellje vetëvrasëse dhe 9.4 herë më shumë gjasa të raportonin vetë-lëndim, krahasuar me fëmijët që nuk kishin përjetuar një keqtrajtim të tillë.
Megjithatë, një nga të dhënat më pozitive është se shumica e fëmijëve nuk heshtin. Rreth 87.6 për qind e atyre që kanë përjetuar keqtrajtim i kanë treguar dikujt për atë që u ka ndodhur, duke e bërë Maqedoninë e Veriut vendin me shkallën më të lartë të zbulimit në mesin e shteteve pjesëmarrëse. Më shpesh, fëmijët u janë drejtuar nënave, miqve, baballarëve dhe vëllezërve ose motrave. Por, problemi qëndron te raportimi institucional. Pavarësisht shkallës së lartë të zbulimit, më pak se një për qind e rasteve janë raportuar në mekanizmat formalë të mbështetjes, si policia, punonjësit socialë ose linjat e ndihmës.
Ndryshe, në nivelin global, UNICEF-i vlerëson se rreth 20 milionë fëmijë, pothuajse një në pesë nga ata të përfshirë në hulumtim, janë përballur me të paktën një formë të eksploatimit seksual dhe keqtrajtimit të mundësuar nga teknologjia. Gati 60 për qind e incidenteve kanë ndodhur në mediat sociale, ndërsa 14 për qind në lojërat online. /Koha/






