Ethet e Nilit Perëndimor nxjerrin në pah dobësitë e sistemit shëndetësor në RMV

    Fotografia është krijuar me ndihmën e Intelegjencës Artificiale (IA) për të ilustruar artikullin

    Me afro 60 raste që kanë kërkuar trajtim spitalor, tetë prej të cilave kanë përfunduar me vdekje, përhapja e etheve të Nilit Perëndimor ka shkaktuar shqetësim. Edhe pse sëmundja u zbulua për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, në Draçevë, në vitin 2011, numri i rasteve të regjistruara këtë vit i ka zënë institucionet në befasi.

    Ligji për Sëmundjet Infektive nuk i detyron institucionet të mbajnë evidencë të posaçme për ethet e Nilit Perëndimor. Ndërkohë, vazhdojnë të përdoren metoda të vjetruara, në disa raste edhe në zona që nuk janë domosdoshmërisht me rrezik të lartë. Jo të gjitha komunat i përmbushin përgjegjësitë e tyre, ndërsa jashtë Shkupit mungon edhe stafi i nevojshëm shkencor.

    Duke folur për BIRN-in, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se, bazuar në përvojën e këtij viti, metodat e përdorura deri më tani për kontrollin e mushkonjave duhet të rishikohen.

    “Përgjegjësitë e institucioneve duhet të qartësohen, sepse bëhet fjalë për bashkëpunim shumësektorial”, tha ministri.

    Këtë vit, Komisioni për Sëmundjet Infektive u ngrit në nivel drejtues dhe koordinoi komunikimin ndërmjet Institutit të Shëndetit Publik, qendrave të shëndetit publik, Ministrisë së Shëndetësisë, komunave të rajonit të Shkupit dhe Qytetit të Shkupit për përballimin e etheve të Nilit Perëndimor.

    Klekovski planifikon të propozojë rritjen e buxhetit për spërkatjen kundër mushkonjave dhe mbikëqyrjen e tyre, si dhe kontrollin e efektivitetit të spërkatjes, diçka që deri më tani nuk është bërë.

    Megjithatë, ende nuk është e qartë se çfarë qasjeje konkrete do të ndjekë shteti vitin e ardhshëm. Vetë ministri pranon se sistemi është inert dhe se përmirësimi i ndjeshëm i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve do të kërkojë kohë.

    Problemi qëndron pikërisht te mungesa e kohës për t’u përgatitur për rreziqet e reja që sjellin ndryshimet klimatike, të cilat po intensifikohen nga viti në vit.

    Një nga pasojat e rritjes së temperaturave është krijimi i kushteve të favorshme për përhapjen e insekteve të reja, të cilat mund të transmetojnë sëmundje të tilla si dengue, Zika dhe chikungunya. Një prej tyre është mushkonja tigër.

    Një kërcënim i vështirë për t’u parashikuar

    Përveç Maqedonisë së Veriut, këtë vit shpërthime të etheve të Nilit Perëndimor janë regjistruar edhe në disa vende evropiane, si Italia dhe Greqia, ku janë evidentuar qindra raste.

    Është e rëndësishme të theksohet se numri real i të infektuarve, si në vendet evropiane ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, është shumë më i lartë, pasi vetëm rreth një për qind e të infektuarve përfundojnë në spital.

    Kjo do të thotë se në Maqedoninë e Veriut mund të ketë pasur rreth 5.800 raste, shumica prej të cilave kanë kaluar pa simptoma ose me simptoma të lehta.

    Dr. Nikolina Sokolovska, e vetmja entomologe mjekësore në vend – specialiste që studion insektet me rëndësi për shëndetin e njeriut – e cila punon në Qendrën e Shëndetit Publik në Shkup, thotë se është e vështirë të përcaktohet pse pikërisht këtë vit pati një përhapje kaq të madhe në Maqedoninë e Veriut.

    “Ndoshta këtë vit kushtet për përhapjen e sëmundjes ishin të favorshme. Ndonjëherë, në një rajon mund të keni një rezervuar të sëmundjes, që janë zogjtë, dhe një vektor, që janë mushkonjat, por të mos ketë njerëz tek të cilët do të transmetohet”, shpjegon ajo.

    Ministri Klekovski vuri në dukje se një nga treguesit e pranisë së etheve të Nilit Perëndimor janë korbat, pasi ata mund të ngordhin nga infeksioni dhe janë zogj që zakonisht qëndrojnë në të njëjtin territor.

    “Dy korbat e ngordhur që gjetëm në rajonin e Shkupit ishin në Komunën e Karposhit, ku nuk ka sipërfaqe të mëdha ujore në të cilat mund të shumohen mushkonjat dhe as raste të regjistruara te njerëzit”, theksoi Klekovski.

    Megjithatë, ajo që është e qartë është se ndryshimet klimatike po kontribuojnë në rritjen e rrezikut nga sëmundje të tilla.

    “Temperaturat më të larta dhe ndryshimet në regjimin e reshjeve mund të krijojnë kushte më të favorshme për mbijetesën dhe riprodhimin e mushkonjave dhe, rrjedhimisht, për një periudhë më të gjatë të transmetimit të infeksionit”, tha për BIRN-in Aleksandra Cvetkovska-Gjorgjievska, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Shkup.

    Kjo është një nga arsyet pse vitet e fundit në Ballkan është përhapur mushkonja tigër, e cila e ka origjinën në rajonet e Azisë.

    Sokolovska theksoi se ethet e Nilit Perëndimor nuk transmetohen nga mushkonja tigër, por kryesisht nga mushkonjat e gjinisë Culex, të pranishme edhe në rajon.

    Megjithatë, përhapja e mushkonjës tigër mbetet një kërcënim potencial që duhet monitoruar. Sipas të dhënave nga monitorimi i Sokolovskës, në kurthet e vendosura për mushkonjat në vitin 2017 kapeshin vetëm dy deri në tre individë, ndërsa deri në vitin 2023 numri ishte rritur në 50 deri në 60.

    Nevoja për ndryshim dhe qasje më të integruar

    Si entomologe që drejton aktivitetet për monitorimin e mushkonjave në Shkup, Sokolovska prej vitesh vendos kurthe për kapjen e tyre.

    Kjo praktikë njihet si mbikëqyrje entomologjike dhe aktualisht zbatohet kryesisht në rajonin e Shkupit.

    Sokolovska beson se ajo duhet të shtrihet në të gjithë territorin e vendit dhe se, krahas saj, duhet të kryhet edhe mbikëqyrje veterinare e zogjve, pasi ata mund të jenë rezervuarë të virusit.

    “Nëse kemi më shumë staf dhe nëse kjo zbatohet në të gjithë territorin e vendit, do të mund ta zbulojmë herët çdo virus tjetër, jo vetëm virusin e Nilit Perëndimor”, shpjegoi ajo.

    Me fjalë të tjera, nëse përmes monitorimit mund të përcaktohet me saktësi se ku ndodhen mushkonjat e infektuara, atëherë edhe spërkatja mund të bëhet në mënyrë më të synuar.

    Sokolovska beson gjithashtu se spërkatja nga ajri duhet të ndërpritet. Ajo e ka bërë këtë rekomandim sepse, sipas saj, nga njëra anë nuk është mjaft efektive, pasi mushkonjat fluturojnë në lartësi të ulëta, ndërsa nga ana tjetër mund të jetë më e dëmshme për mjedisin.

    “Kur shkoj në konferenca, habiten kur u them se ende bëjmë spërkatje nga ajri”, thotë Sokolovska.

    Sipas saj, spërkatja ajrore duhet të përdoret vetëm në zona të paarritshme dhe në raste të fatkeqësive natyrore.

    Në vend të kësaj, ajo rekomandon spërkatje më të synuar nga toka.

    Ministri Klekovski pajtohet me këtë qëndrim, por thotë se “nuk ka kapacitete që kjo të realizohet brenda natës”.

    Sokolovska konsideron gjithashtu se tenderët për spërkatjen kundër mushkonjave duhet të lidhen për periudha trevjeçare, pasi kompanitë vështirë se do të investonin në pajisje të shtrenjta për vetëm një vit punë.

    Klekovski, nga ana tjetër, thotë se duhet të zbatohen metoda të tilla si spërkatja me dronë në zona të paarritshme dhe të shtohet trajtimi larvicid me preparate biologjike me bazë bakteriale, të cilat shkatërrojnë larvat e mushkonjave në ujë pa dëmtuar organizmat e tjerë.

    Ai beson gjithashtu se duhet të monitorohen rezultatet e spërkatjes, gjë që deri më tani nuk është bërë, si dhe të rishikohet se ku kryhet trajtimi kundër mushkonjave.

    Aktualisht spërkatet, ndër të tjera, edhe në pellgjet e Parkut të Qytetit. Megjithatë, meqë aty uji qarkullon dhe ka bretkosa e peshq që ushqehen me larvat e mushkonjave, është e mundur që rreziku në këto zona të jetë më i ulët.

    “Tani spërkasim në Parkun e Qytetit sepse aty ka frekuencë të lartë të njerëzve. Por, sipas përvojës së Greqisë, është më e rëndësishme të spërkatet aty ku ka ujë dhe lëndë organike, por jo organizma të gjallë, siç janë gropat septike”, thotë Klekovski, duke theksuar se vendi ka shumë për të mësuar nga përvoja greke.

    Klekovski e sheh një pjesë të problemit edhe te niveli më i ulët i spërkatjes në komunat periferike që nuk janë nën kompetencën e Qytetit të Shkupit.

    Numri më i madh i rasteve u regjistrua në Draçevë, ku edhe rasti i parë në vend ishte evidentuar 15 vjet më parë. Pranë Draçevës ndodhet Komuna e Studeniçanit, ku, sipas informacioneve të ministrit, nuk është kryer fare spërkatje.

    A ka terapi?

    Përveç malaries, për të cilën ekzistojnë medikamente dhe protokolle specifike spitalore, për shumicën e sëmundjeve të tilla nuk ekziston terapi specifike dhe pacientëve u ofrohet kryesisht trajtim mbështetës, përfshirë mbështetjen e frymëmarrjes dhe terapinë me infuzion.

    Instituti i Shëndetit Publik thotë se disponon teste diagnostikuese për këto sëmundje tropikale.

    “Ka ankesa nga qendrat e shëndetit publik se komunat, pavarësisht se e dinë se çfarë duhet të bëjnë, nuk i përmbushin detyrimet e tyre. I tillë është rasti me Studeniçanin”, thotë ministri.

    Sokolovska thekson se këto vendbanime mund të shndërrohen në vatra të favorshme për shumimin e mushkonjave, pasi aty ka kanale ujitjeje, zona bujqësore dhe kafshë shtëpiake.

    Për këto arsye, si ajo ashtu edhe ministri vlerësojnë se spërkatja duhet të kryhet në mënyrë të koordinuar në të gjithë rajonin e Shkupit dhe jo vetëm në komunat që janë nën kompetencën e Qytetit të Shkupit.

    Sipas entomologes Sokolovska, përballimi i epidemive të tilla kërkon funksionimin e njëkohshëm të sistemit në disa nivele, ndërsa në vend kjo aktualisht ndodh vetëm pjesërisht.

    Masat përfshijnë edhe edukimin e qytetarëve për veprimet që mund të ndërmarrin në shtëpitë e tyre, si mirëmbajtja e oborreve dhe pishinave, por edhe masa në nivel komunal, si menaxhimi i duhur i mbeturinave dhe pastrimi i kanaleve.

    Ministria e Shëndetësisë aktualisht po përgatit një raport mbi përvojën e këtij viti.

    “Duhet të nxjerrim mësime. Kjo është e vetmja mënyrë. Do të përpiqem t’i hedh në letër”, përfundoi ministri Klekovski. /Prizma/

    Lajmi Paraprak

    Sela: po përgatitemi të dalim të vetëm në zgjedhje

    Lajmi i rradhës

    Kosova pret aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë