Kosova pret aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi përballen me aktgjykimin përfundimtar pas më shumë se dy vitesh proces gjyqësor. Shpallja e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka zgjuar vëmendje të madhe publike në Kosovë.

    Kanë kaluar më shumë se dy vjet që nga fillimi i procesit gjyqësor dhe afro gjashtë vjet nga mbajtja në paraburgim e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Gjykata Speciale me seli në Hagë, të mërkurën, datë 16.09, shpall aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuara, ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë të vitit 1998/99. Dhomat e Specializuara tashmë kanë njoftuar se seanca gjyqësore, ku trupi gjykues do ta shpallë aktgjykimin përfundimtar, nis në orën 10:00 dhe transmetimi i saj do të jetë i drejtpërdrejtë për publikun.

    Masa të larta sigurie në Kosovë

    Shpallja e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka zgjuar vëmendje të madhe publike në Kosovë. Slogane dhe fotografi janë vendosur gjithandej rrugëve në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Nga autoritetet janë paralajmëruar edhe masa të larta të sigurisë për shkak të tubimeve apo protestave të mundshme dhe bllokimit eventual të rrugëve nga masa njerëzish. Policia e Kosovës, me qëllim të mirëmbajtjes dhe avancimit të partneritetit, kur pritet të ketë aktivitete apo tubime publike, zhvilloi një takim me të gjithë drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorët e drejtorive rajonale gjithandej Kosovës, përfshirë edhe takime me partnerët ndërkombëtarë, KFOR, EULEX, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, Zyra e BE-së dhe OSBE-ja. “Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohet me njësi policore, në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojnë të qeta dhe pa incidente”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Një paralajmërim e bëri Ambasada e SHBA-së në Kosovë për stafin e saj, e cila në njoftimin tha se “disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha për të mërkurën në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera kryesore të Kosovës”, demonstrata këto që mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish. “Personeli i qeverisë së SHBA-së është këshilluar t’i shmangë të gjitha udhëtimet e panevojshme në afërsi të demonstratave dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë më 16 shtator, për shkak të mundësisë së çrregullimeve në trafik”, thuhet në njoftim.

    Lista Srpska thirrje për të garantuar sigurinë

    Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Srpska u ka bërë thirrje KFOR-it dhe EULEX-it që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, duke kërkuar që të shtohet prania e ketyre misioneve të sigurisë në mjediset ku ka komunitete të përziera.

    Seanca e shpalljes së aktgjykimit përfundimtar nga Gjykata Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të transmetohet në një ekran të madh në qendër të Prishtinës, aty ku tre ditë më parë pati edhe një tubim të madh në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Tubimi u mbështet nga të gjitha partitë politike shqiptare të Kosovës. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe liderë të partive politike besojnë, siç thonë, në një verdikt të drejtë dhe lirues të Gjykatës Speciale.

    Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e parë të qeverisë së re tha se “beson dhe uron që verdikti që do ta marrë Gjykata Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së të mërkurën të jetë në përputhje me të drejtën e luftës çlirimtare të Kosovës”. “Për ne është gjithçka e qartë, populli i Kosovës, rezistenca dhe lufta jonë ka qenë e drejtë, çlirimtare dhe kundrejt një pushtuesi i cili kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”, u shpreh kryeministri Kurti, duke besuar dhe uruar “që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në vendin e tyre dhe pranë familjeve të tyre”.

    Kryetari i Partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, parti kjo e themeluar nga Hashim Thaçi dhe disa ish-krerë të UÇK-së, gjatë tubimit mbështetës për ish-krerët e UÇK-së, tha se “atyre që marrin vendimin në Hagë u themi, mendoni për pasojat para se të merrni vendimin. Vendimi i padrejtë është mbi të gjitha dënim për Kosovën, dhe padrejtësinë nuk e pranojmë”.

    Krerët e UÇK-së rrezikojnë nga 45 vjet burgim

    Ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, dhe drejtuesit e tjerë të ish-UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, nga Prokuroria Speciale në Hagë, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria pretendon se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi “mbajnë përgjegjësi penale për krime të kryera në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës 1998/99”. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi i kanë mohuar të gjitha akuzat.

    Dhomat e Specializuara, apo siç njihet në opinion Gjykata Speciale, u themeluan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 dhe selinë e saj e kanë në Hagë. Stafi i saj është komplet ndërkombëtar. Gjykata Speciale trajton vetëm rastet që lidhen me pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë luftës së vitit 1998-1999. DW

    Lajmi Paraprak

    Ethet e Nilit Perëndimor nxjerrin në pah dobësitë e sistemit shëndetësor në RMV

    Lajmi i rradhës

    Kallëzim penal ndaj Mendi Qyrës, shkarkoi në mënyrë të paligjshme drejtorin e një shkolle në Strugë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë