Enti Shtetëror i Revizionit ka verifikuar 27 tenderë të Shoqërisë Aksionare Termocentralet e Maqedonisë së Veriut në vlerë të përgjithshme prej 143.5 milionë euro, të cilat janë zhvilluar mes viteve 2022-2024. Revizorët kanë konstatuar mangësi të shumta duke filluar nga planifikimi, zhvillimi, por edhe realizimi i procedurës së tenderimit.
Një ndër rastet më eklatante të keqmenaxhimit me mjetet publike përmendet blerja e një motori për gaz, i cili është furnizuar për 2.5 milionë euro, por fare nuk është shfrytëzuar.
“Në procedurë është negociuar pa publikimin e shpalljes për furnizimin e motorit të gazit, nuk ishte e mundshme të konstatohej arsyetimi për urgjencë. Edhe pse për furnizimin është paguar vlera prej 2,48 milionë euro, motori nuk është vënë në funksion dhe për një kohë të gjatë është magazinuar pa u krijuar kushtet e nevojshme për vënien e tij në përdorim”, thuhet në raportin e Enti Shtetëror të Revizionit.
Se si janë harxhuar paratë në mënyrë joefikase, tregon më së miri tenderi tjetër për furnizimin e aditivëve.
“Te furnizimi i aditivëve, për të cilin janë paguar mjete në vlerë të përgjithshme rreth 2.3 milionë euro, pjesa më e madhe ka mbetur e papërdorur dhe i ka skaduar afati i përdorimit”, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit.
EMV, sipas revizorëve gjithashtu ka shpenzuar para edhe për dislokimin e pajisjeve që nuk janë përdorur. Mbi 1.7 milionë euro ka kushtuar aktiviteti i dislokimit, i cili sipas revizorëve paraqet shfrytëzim joracional të mjeteve publike. Revizorët gjithashtu konstatojnë se mbi 70% e kontratave janë të lidhura me vetëm 6 operatorë, ndërsa ka kontrata që kanë kaluar me vetëm një ofertë. Kjo sipas tyre paraqet konkurrencë të kufizuar, transparencë të ulët dhe rrezik të shtuar për përdorim joefikas të mjeteve publike. Plotësisht, revizorët theksojnë se për tenderët nuk ka pasur qasje analitike, ndërsa procedurat janë zhvilluar pa e hulumtuar tregun. /Alsat/




