Trupa e Specialja për Kosovën – 25 vite burg për Thaçin

    Në Gjykatën Speciale në Hagë trupi gjykues shqipton vendimin: 25 vite burg për ish-kreun e UÇK-së,Hashim Thaçi.

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar të mërkurën (16.09.2026) me 25 vjet burg për krime lufte. Vendimi u shpall të mërkurën nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, Holandë. Gjykata e shpalli Thaçin fajtor, ndër të tjera, për arrestim të paligjshëm, torturë, vrasje dhe trajtim mizor.

    Gjykata Speciale për Kosovën në Hagë të Holandës e shpalli Thaçin fajtor, ndër të tjera, për “arrestime të paligjshme, torturë, vrasje dhe trajtim mizor”. 58-vjeçari nderohet si hero në vendlindjen e tij. Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, shumë njerëz e ndoqën drejtpërdrejt shpalljen e aktgjykimit.

    Prokuroria kishte kërkuar 45 vjet burg për Thaçin dhe tre komandantë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë. Të gjithë të akuzuarit në mbrojtjen e tyre kanë deklaruar se janë të pafajshëm. Gjykata i dënoi të katërtët për ndalim arbitrar dhe torturim të qindra personave, si dhe për 96 vrasje. Megjithatë, ata u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

    Kanë kaluar më shumë se dy vjet që nga fillimi i procesit gjyqësor dhe afro gjashtë vjet nga mbajtja në paraburgim e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Vendimi pritet në sallë pa emocione

    Gjykata Speciale me seli në Hagë, të mërkurën, datë 16.09, shpalli aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuara, ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë të vitit 1998/99. Edhe bashkëluftëtarët e mëparshëm të Thaçit në UÇK morën dënime afatgjata me burg. Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burg.

    Thaçi e priti vendimin në sallën e gjyqit në Hagë pa shfaqur emocione. Ish-presidenti 58-vjeçar dha dorëheqjen nga posti i tij në vitin 2020 pas ngritjes së aktakuzës dhe u paraqit vet para gjykatës. Që atëherë ai mbahet në paraburgim në Hagë. Sipas gjykatës, koha e kaluar deri më tash në paraburgim do të llogaritet në dënimin e tij.

    Për shumë njerëz në Kosovë, Thaçi dhe UÇK-ja janë simbole të nderuara të lëvizjes për pavarësi. Në mjediset jashtë godinës së Gjykatës në Hagë ishin mbledhur shumë mbështetës të UÇK-së, që shprehën zhgënjim ndaj vendimit.

    Masa e njerëzve në Kosovë e shtangur nga vendimi

    Të mërkurën, një turmë e madhe njerëzish u mblodh në Prishtinë për të ndjekur drejtpërdrejt shpalljen e vendimit. Kur u shpall aktgjykimi, turma heshti. Shumë prej të pranishmëve dukeshin të tronditur nga vendimi.

    Mbështetësit e Thaçit ishin përgatitur prej javësh për mundësinë e një lirimi nga akuzat. Kur u bë e qartë se ish-presidenti do të mbetej në burg, sheshi në Prishtinë u zbraz pothuajse tërësisht brenda pak minutash.

    Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, e dënoi vendimin fajësues. “Një aktgjykim i tmerrshëm për Kosovën, për luftën tonë çlirimtare”, tha ai para gazetarëve pranë gjykatës në Hagë. “Është një vendim i trishtueshëm, i padrejtë dhe i pamerituar”, shtoi ai.

    UÇK-ja shqiptaro-kosovare luftoi gjatë viteve 1998 dhe 1999 për pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Gjykata Speciale për Kosovën, e përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë, heton krimet e pretenduara të UÇK-së gjatë dhe pas konfliktit, veçanërisht ndaj serbëve, romëve dhe kundërshtarëve kosovo-shqiptarë të guerilës. Gjatë luftës në Kosovë u vranë më shumë se 13.000 njerëz, shumica prej tyre shqiptarë të Kosovës.

    Thaçi u emërua kryeministër i Kosovës pas zgjedhjeve në vitin 2007. Më 2008 ai lexoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës në parlamentin e Kosovës, pavarësi e cila edhe sot nuk njihet nga Beogradi. Pavarësisht akuzave për korrupsion, ai mbeti një figurë qendrore e politikës në shtetin e vogël ballkanik dhe në vitin 2016 u zgjodh president.

    Thaçi gjithmonë i ka mohuar akuzat për keqbërje gjatë luftës në Kosovë dhe e ka përshkruar konfliktin si një kryengritje “të drejtë” kundër shtypjes serbe. “Mund të kem bërë gabime politike në kohë paqeje, por kurrë krime lufte”, ka deklaruar ai në vitin 2020. DW

    Lajmi Paraprak

    Dënohen ish-krerët e UÇK-së, githsej 81 vite burgim për Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë