DR. SHKËLZEN HASANAJ *
420 aplikime nga India vetëm në një universitet shqiptar. Rreth 800 studentë të huaj të pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri gjatë vitit 2026. Këto shifra nuk duhen lexuar thjesht si një sukses i ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë. Ato duhet të na shtyjnë të bëjmë një pyetje shumë më të rëndësishme: çfarë po ndodh me kapitalin njerëzor shqiptar?
Kam shkruar vazhdimisht për shpopullimin, emigracionin dhe pasojat që këto procese po prodhojnë në shoqërinë shqiptare. Sot, përballë nesh po shfaqet faza tjetër e këtij transformimi: ndërsa Shqipëria vazhdon të humbasë të rinjtë e saj, universitetet dhe tregu i punës po orientohen gjithnjë e më shumë drejt të rinjve dhe fuqisë punëtore nga jashtë.
Sipas të dhënave, vetëm në një universitet shqiptar janë paraqitur 420 aplikime nga India. Ndërkohë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë të ditur se gjatë vitit 2026 rreth 800 studentë të huaj janë pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri dhe institucionet po punojnë me universitetet për procedura më të koordinuara për studentët ndërkombëtarë.
Në vetvete, ardhja e studentëve të huaj nuk është problem. Universiteti duhet të jetë ndërkombëtar dhe shkëmbimi akademik është një vlerë. Por Shqipëria nuk mund ta diskutojë këtë fenomen sikur të ishte një vend me rritje demografike dhe me të rinjtë e saj të ankoruar fort në vend. Më 1 janar 2026, popullsia rezidente e Shqipërisë ishte 2.335.930 banorë, me një rënie prej 1,16% vetëm në krahasim me një vit më parë. Në një realitet të tillë, çdo politikë për tërheqjen e kapitalit njerëzor nga jashtë duhet të shoqërohet nga një pyetje elementare: Çfarë po bëjmë për të mbajtur dhe rikthyer kapitalin njerëzor shqiptar? Shqipërisë nuk i mungon kapitali njerëzor – ai ndodhet jashtë vendit. Për dekada Shqipëria ka eksportuar një nga burimet e saj më të çmuara: njerëzit. Mijëra të rinj janë arsimuar dhe kanë ndërtuar jetën e tyre profesionale në Itali, Gjermani, Francë, Britani, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Mes tyre ka studiues, pedagogë, mjekë, inxhinierë, sipërmarrës dhe profesionistë të formuar në institucione ndërkombëtare.
Ky është kapital njerëzor shqiptar. Prandaj nuk duhet të pranojmë si të pashmangshme idenë se boshllëqet e krijuara nga largimi i shqiptarëve thjesht mund të plotësohen duke importuar kapital njerëzor nga jashtë. Prioriteti i parë duhet të jetë të ndalim humbjen. Prioriteti i dytë duhet të jetë të krijojmë kushtet për rikthimin. Për vite kemi folur për brain drain. Ka ardhur koha që Shqipëria të ndërtojë një politikë të vërtetë të brain return. Rikthimi nuk bëhet me patriotizëm, por me institucione. Nuk mund t’i kërkohet një studiuesi shqiptar që ka ndërtuar një karrierë jashtë vendit të kthehet vetëm sepse Shqipëria ka nevojë për të. Patriotizmi nuk paguan laboratorin, nuk financon kërkimin shkencor dhe nuk garanton meritokracinë. Një akademik, mjek, inxhinier apo profesionist shqiptar do ta konsiderojë seriozisht rikthimin kur vendi t’i ofrojë mundësi profesionale, konkurrencë të ndershme, paga dinjitoze, institucione funksionale dhe perspektivë për familjen e tij. Prandaj diaspora akademike dhe profesionale duhet të shihet si një rezervë strategjike kombëtare e kapitalit njerëzor dhe jo vetëm si burim remitancash apo si element folklorik që kujtohet në konferenca për diasporën. Studentët e huaj dhe një pyetje që duhet bërë. Në këtë kontekst duhet parë edhe rritja e interesit të studentëve të huaj për Shqipërinë. Nëse qindra aplikime vijnë nga India apo nga vende të tjera gjeografikisht dhe kulturalisht të largëta, institucionet dhe universitetet duhet të garantojnë transparencë të plotë. Në cilat programe regjistrohen këta studentë? Në çfarë gjuhe zhvillohet mësimi? Cilat janë kriteret akademike të pranimit? Sa prej tyre ndjekin rregullisht studimet? Sa diplomohen? Çfarë ndodh me ta pas përfundimit të studimeve?
Këto nuk janë pyetje kundër studentëve të huaj. Janë pyetje që çdo shtet serioz duhet t’i bëjë kur përdor sistemin universitar edhe si instrument të ndërkombëtarizimit.
Edhe çështja e vizave kërkon kujdes. Nuk mund të deklarohet pa prova se studentët e huaj e përdorin sistematikisht Shqipërinë si rrugë për të hyrë më pas në Bashkimin Evropian. Por pikërisht për të parandaluar çdo abuzim, viza dhe leja e qëndrimit për studime duhet të lidhen me një aktivitet akademik real dhe të verifikueshëm. Universitetet dhe institucionet shtetërore duhet të monitorojnë regjistrimin, frekuentimin, vazhdimësinë e studimeve dhe respektimin e qëllimit për të cilin është dhënë leja e qëndrimit. Edhe integrimi duhet të jetë politikë shtetërore. Shqipëria mund dhe duhet të jetë një vend i hapur. Por hapja nuk nënkupton mungesën e një politike integrimi. Kur vijnë njerëz nga realitete gjuhësore dhe kulturore shumë të ndryshme, integrimi nuk mund t’i lihet spontanitetit. Mësimi i gjuhës shqipe, njohja e kulturës dhe institucioneve të vendit, respektimi i ligjit dhe ndërveprimi me shoqërinë pritëse duhet të jenë pjesë e procesit. Mbrojtja e kulturës dhe identitetit shqiptar nuk është në kundërshtim me respektimin e të huajit. Një shoqëri e sigurt në identitetin e saj mund të jetë njëkohësisht e hapur dhe mikpritëse. Problemi lind kur transformimet demografike ndodhin shumë më shpejt sesa politikat që duhet t’i administrojnë ato. Pesë masa për rikthimin e kapitalit njerëzor shqiptar. Shqipëria ka nevojë për një Program Kombëtar për Rikthimin e Kapitalit Njerëzor Shqiptar, i ndërtuar mbi pesë shtylla konkrete:
1. Program kombëtar “Brain Return Albania”.
Kontrata shumëvjeçare dhe vende të dedikuara konkurruese për studiues, pedagogë, mjekë, inxhinierë dhe profesionistë shqiptarë të formuar jashtë vendit.
2. Fond kombëtar për kërkimin dhe rikthimin akademik.
Grante konkurruese për studiuesit e diasporës që rikthehen ose krijojnë grupe kërkimore në universitetet shqiptare, me financim real për kërkim dhe jo vetëm paga simbolike.
3. Rekrutime transparente dhe njohje më e shpejtë e kualifikimeve.
Titujt dhe përvoja profesionale të fituara në institucione të njohura ndërkombëtare duhet të vlerësohen me procedura të qarta, të shpejta dhe të verifikueshme. Rekrutimi universitar duhet të bazohet në meritë, publikime, kërkim dhe përvojë akademike.
4. Program për rikthimin e të rinjve.
Lehtësi fiskale dhe mbështetje për punësim, strehim, startup-e dhe sipërmarrje për të rinjtë shqiptarë që kthehen pas studimeve apo eksperiencës profesionale jashtë vendit.
5. Një strategji e vetme për emigracionin dhe imigracionin.
Shqipëria nuk mund t’i trajtojë veçmas largimin e shqiptarëve dhe ardhjen e të huajve. Universitetet, tregu i punës, diaspora, emigracioni, imigracioni, integrimi dhe zhvillimi demografik duhet të jenë pjesë e së njëjtës strategji kombëtare. Përpara se të kërkojmë njerëz jashtë, duhet të rikthejmë besimin brenda. Çështja nuk është të zgjedhim midis shqiptarëve dhe të huajve. Çështja është të përcaktojmë prioritetin kombëtar. Shqipëria mund të mirëpresë studentë ndërkombëtarë dhe njëkohësisht të ndërtojë universitete të hapura ndaj botës. Por ndërkombëtarizimi nuk duhet të bëhet përgjigjja e heshtur ndaj boshatisjes së auditorëve dhe largimit të kapitalit njerëzor shqiptar. Përpara se të pyesim se sa studentë mund të sjellim nga India, Pakistani, Bangladeshi apo vende të tjera, duhet të pyesim: Sa të rinj shqiptarë mund të bindim të mos largohen? Sa prej atyre që janë larguar mund t’i rikthejmë? Dhe çfarë duhet të ndryshojmë që një studiues apo profesionist shqiptar ta shohë Shqipërinë përsëri si vendin ku mund të ndërtojë të ardhmen e tij? Sepse Shqipëria nuk ka nevojë thjesht për më shumë banorë. Ka nevojë për të rinjtë e saj, për dijen e tyre, për profesionistët e saj dhe për rikthimin e kapitalit njerëzor që ka humbur ndër vite. Ky duhet të jetë prioriteti i një politike serioze kombëtare.
* Sociolog Panorama





