Dhjetë ditë pasi u ngrit aktakuza, rasti për falsifikimin e patentave të shoferit mori edhe epilog gjyqësor. Tre nga gjithsej gjashtë të akuzuarit, të cilët ishin në dispozicion të organeve të ndjekjes, në seancën e mbajtur dje pranuan fajin dhe u dënuan me burgim.
Bëhet fjalë për rastin në të cilin në mënyrë të paligjshme kategoritë C dhe D u shtoheshin patentave të shoferit të personave që nuk kishin dhënë kurrë provim për drejtimin e kamionit ose autobusit.
Për përfundimin e këtij rasti informoi kryetarja e Gjykatës Themelore Penale në Shkup, Daniela Dimovska, në një brifing me gazetarët.
Sipas informacioneve, e akuzuara e parë në këtë rast, e cila ishte e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim, ndërsa ndaj të akuzuarit të dytë dhe të tretë gjykata ka shqiptuar gjithashtu dënime me burgim, në kohëzgjatje prej një viti e gjysmë secili.
Siç sqaroi Dimovska, rasti ka përfunduar pasi është zhvilluar me propozim-aktakuzë, përkatësisht në procedurë të shkurtuar, ku nuk nevojitet vlerësimi i aktakuzës dhe nuk parashikohen fjalë hyrëse nga prokuroria dhe mbrojtja.
Tre të akuzuarve, shtoi ajo, u është vazhduar masa e paraburgimit.
„Prokuroria dorëzoi propozim-aktakuzë, për të cilën nuk bëhet vlerësim, procesi u caktua, të akuzuarit pranuan fajin dhe kjo është arsyeja pse ky rast përfundoi kaq shpejt. Paraburgimi u është vazhduar, ndërsa seanca u mbajt gjatë ditës së djeshme“, tha kryetarja e Gjykatës Penale.





