Bullgaria dhe Greqia kanë arritur marrëveshje që eshtrat e identifikuara si të Mbretit Samoil t’i dorëzohen shtetit bullgar më 3 tetor në Muzeun e Kulturës Bizantine në Selanik. Pas ceremonisë, ato pritet të transportohen me avion ushtarak bullgar drejt Sofjes, ku do të vendosen në një sarkofag të posaçëm në kishën “Shën Sofia”. Kthimi i eshtrave është rezultat i negociatave disa dekadashe. Ato u zbuluan në vitin 1965 gjatë gërmimeve arkeologjike në bazilikën “Shën Akili” në ishullin me të njëjtin emër në Liqenin e Prespës së Vogël, në territorin e Greqisë. Eshtrat janë ruajtur në Muzeun e Kulturës Bizantine në Selanik.
Identifikimi si “eshtrat e Samoilit” bazohet në kontekstin arkeologjik dhe të dhënat antropologjike, ndërsa çështja e identifikimit dhe interpretimit historik mbetet pjesë e debatit akademik.
Kryeministri bullgar Rumen Radev e ka cilësuar marrëveshjen si historike, duke thënë se përpjekjet e Sofjes për kthimin e eshtrave kanë zgjatur rreth gjashtë dekada. “Për gjashtë dekada nuk kanë pushuar përpjekjet e shtetit bullgar për të kthyer eshtrat e njërit prej sundimtarëve të tij më të mëdhenj. Ne patëm nderin historik ta arrijmë këtë”, deklaroi Radev. Sipas marrëveshjes, krahas eshtrave të identifikuara si të Samoilit, Bullgarisë do t’i dorëzohen edhe mbetje të zbuluara në dy sarkofagë të tjerë në bazilikë, të cilat Sofja i lidh me carin Gavril Radomir dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore. Në këmbim, Greqia do të marrë dhjetëra objekte fetare dhe kulturore që u transferuan në Bullgari gjatë Luftës së Parë Botërore. Por pikërisht këtu çështja merr një dimension tjetër për marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes.
FTESA PËR MICKOSKIN DHE PËRGJIGJJA NGA VMRO-DPMNE
Ish-ministri bullgar i Mbrojtjes dhe lideri i VMRO-BND-së, Krasimir Karakaçanov, i ka dërguar ftesë kryeministrit Hristijan Mickoski që të marrë pjesë në ceremoninë e pritjes së eshtrave në Sofje më 3 tetor. Karakaçanov e cilëson Samoilin si “sundimtar të madh bullgar” dhe pjesëmarrjen e Mickoskit e sheh si një mundësi për të afirmuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe detyrimet e dy vendeve sipas Marrëveshjes së Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017.
“Konsideroj se prania juaj në këtë ceremoni do të kishte një rëndësi të veçantë, jo vetëm si shenjë respekti ndaj një prej figurave më të rëndësishme të historisë sonë të përbashkët mesjetare, por edhe si mundësi për të konfirmuar përkushtimin e Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut ndaj fqinjësisë së mirë, respektimit të kujtesës historike dhe zbatimit të detyrimeve të ndërmarra nga të dyja vendet me Marrëveshjen e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të 1 gushtit 2017”, shkruan Karakaçanov në ftesë.
Në ftesë ai rikujton edhe se, sipas punës së Komisionit të Përbashkët Multidisiplinar për Çështjet Historike dhe Arsimore, Samoili është ndër figurat historike për të cilat është arritur dakordim që të përkujtohen bashkërisht nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.
VMRO-DPMNE-ja, megjithatë, reagoi ashpër ndaj kësaj ftese. Nga partia në pushtet thanë se Karakaçanov duhet t’ua drejtojë ftesën, siç shprehen ata, “bashkëmendimtarëve” të tij, Zoran Zaevit dhe Venko Filipçes. “Në fund të fundit, të mos harrojmë se Zaev ishte ai që thoshte se bullgarët ishin çlirimtarë dhe jo fashistë, se ishin administratorë, se gjuha maqedonase është pas vitit 1944 etj. Ndërsa Venko Filipçe edhe sot ka qëndrim identik me politikën bullgare, së pari bullgarët në Kushtetutë, e pastaj gjithçka tjetër”, thonë nga partia e Mickoskit.
VMRO-DPMNE e lidh këtë qëndrim me Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, duke i cilësuar ato si pjesë të së njëjtës qasje politike. “Këto janë motivet e një politike të turpshme dhe tradhtare, të etabluar publikisht në Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen Bullgare për Fqinjësi të Mirë, të cilat janë e njëjta anë e medaljes”, thuhet në reagimin e partisë. Në reagim, VMRO-DPMNE sjell edhe shembullin e mbretit anglez Rikardit I, duke argumentuar se fakti që ai është varrosur në Francë nuk e bën atë francez.
“Ndërkaq do të rikujtojmë edhe lëvizjen e mençur të Bullgarisë në të kaluarën, kur eshtrat e Goce Dellçevit ia dorëzuan Maqedonisë. Është mirë të shpjegojnë atëherë se çfarë është Goce Dellçevi për ta dhe për zëdhënësit bullgarë?”, thonë nga VMRO-DPMNE duke shtuar se për ta qëndrimi ndaj Goce Dellçevit është i qartë, ndërsa njëkohësisht e kritikojnë Sofjen për mënyrën se si e interpreton trashëgiminë e Samoilit. “Për ne, ndryshe nga Zaev, Filipçe apo Karakaçanov, e vërteta është e thjeshtë, dhe ajo është se ai është një nga figurat më të ndritshme në historinë maqedonase. Për fat të keq, kjo mençuri mungon te Sofja zyrtare, por njëkohësisht e përshëndesim entuziazmin me të cilin Bullgaria e nderon veprën e car Samoilit, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme për Maqedoninë”, thuhet në reagimin e partisë së Mickoskit.
ÇFARË DO TË JAPË BULLGARIA NË KËMBIM?
Debati nuk është i kufizuar vetëm te Shkupi. Në Bullgari, ish-kryeministri Bojko Borisov ka shprehur mbështetje për kthimin e eshtrave, por edhe shqetësim për pjesën e marrëveshjes që lidhet me shkëmbimin e objekteve historike dhe fetare. “U uroj që mund t’i sjellin eshtrat, por dua të di se çfarë do të japim. Dhe pikërisht këtë, askush nuk e di; mund të mos jetë e favorshme për Bullgarinë”, thotë Borisov.
Borisov tha se gjatë kohës kur ishte marrë me këtë çështje, shumica e profesorëve, sipas tij, konsideronin se një marrëveshje e tillë nuk do të ishte në interes të Bullgarisë. “Atëherë kur unë merresha me këtë çështje, shumica e profesorëve mendonin se nuk ishte e favorshme. Politikisht nuk mund të merrnim një vendim të tillë. Ai që e ka marrë le ta shpjegojë. Përndryshe, secili do të gëzohej të kishim një car të varrosur. Ne jemi patriotë të mëdhenj, por nuk e dimë se ku janë varret e carëve tanë. Dhe fillojmë t’i respektojmë vetëm pasi të vdesin”, deklaroi lideri i opozitës bullgare GERB.
NJË FIGURË MESJETARE
Për Sofjen, Samoili është një nga sundimtarët qendrorë të historisë së Perandorisë së Parë Bullgare, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ai zë një vend të rëndësishëm në narrativën historike maqedonase. Prandaj, kthimi i eshtrave në Sofje nuk shihet vetëm si një akt kulturor apo ceremonial. Në kontekstin e marrëdhënieve Shkup-Sofje, ai rikthen në skenë pyetjet se si dy shtetet e interpretojnë historinë e përbashkët dhe sa hapësirë ka për një kujtesë historike që nuk shndërrohet në instrument të përplasjeve politike.
Në anën tjetër, marrëveshja mes Greqisë dhe Bullgarisë është paraqitur nga Athina dhe Sofja si një marrëveshje reciproke për kthimin dhe ruajtjen e trashëgimisë historike, fetare dhe kulturore. Kryeministri bullgar Radev ka theksuar se kujtesa për Samoilin duhet t’i bashkojë dhe jo t’i ndajë Bullgarinë dhe Greqinë. Për Shkupin, megjithatë, mënyra se si do të trajtohet figura e Samoilit nga Sofja dhe mënyra se si do të përgjigjet politika maqedonase mbetet pjesë e një dosjeje shumë më të gjerë: asaj të historisë së përbashkët, identitetit dhe zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2017. /Koha/




