Përderisa brenda tregut mbi 120 tezga rezultojnë të lira, rruga jashtë tregut është stërmbushur me shitës ambulant të perimeve. Prodhuesit që shesin kulturat bujqësore në treg ankohen se kjo ua pamundëson shitjen atyre, ndërsa kërkojnë nga Inspektorati dhe drejtoria e tregut, që të ndërmarrin masa për largimin e tyre. Në të kundërtën paralajmërojnë se nuk do të paguajnë qiranë
“Ata shesin nga 30-40 kuti ndërsa ne as njëzet kilogram s’mund të shesim, si nuk pengojnë, ne paguajmë tezgën. Shteti e di që duhet të largohen ata nga trotuari. Na bëjnë dëm shumë, ne tezgat s’mund të mbërrijmë t’i paguajmë.” – Shitës.
“Duhet të marrin masa inspektorati, si nuk duhet. Aspak s`mund të shesim brenda ne. E shohin vetë inspektorati se nuk mund të shesim asgjë sepse ndalen në rrugë i marrin dhe ikin. Sa paguajmë mos pyet shtrenjtë paguajmë. Marrim lek nga shtëpia për të paguar tezgën. ” – Shitës.
Përgjegjësi i tregut të gjelbër fajin e hedh tek Inspektorati që nuk ndërmerr masa.
“Gjithnjë jemi në kontakt me inspektoratin, ata mundohen ti futin brenda tregut, por duhet më serioz të jenë, të jenë në terren nga mëngjesi e deri pas dite sepse pikërisht këtu është problemi, inspektorët vijnë në mëngjes deri në 11 – 12 ora dhe pastaj ata e shfrytëzojnë rastin dalin sërish.” – Havzi Rizvani. Përgjegjës i tregut të gjelbërt.
Komuna e Tetovës ka caktuar një lokacion për të shitur pemë e perime pa pagesë, por nuk përfillet nga shitësit në të zezë.
“Ne u kemi caktuar një lokacion tjetër që është tek qendra sportive dhe gjithë ata që kanë produkte bujqësore ti shesin atje, mirëpo nuk mund t`i lejojmë ti shesin tek tregu sepse i bie që ta mbyllim tregun dhe ata 30 punëtorë që janë aty 24 orë ti çojmë në shtëpi.” Deklaroi Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Përkundër deklarimeve, si nga komuna edhe nga drejtuesit e tregut, shitësit ambulant, vazhdojnë të shesin në trotuare para tregut, ndërsa masat që merren nuk ndikojnë aspak. Në tregun prej 360 tezgash aktualisht ka 130 tezga të lira./Alsat




