Emigrimi po zbraz shkollat në Dibër, 65 nxënës më pak dhe dy paralele të mbyllura

    Shkolla e Mesme Komunale në Dibër, e cila është themeluar në fillim të viteve ‘60, për dekada me radhë ka nxjerrë kuadro në shumë sfera të jetës. Por, edhe pse vazhdon të jetë shkolla e vetme në komunë për arsimin e mesëm, nga viti në vit po shënohet ulje e numrit të nxënësve. Ky shqetësim u debatua edhe në seancën e Këshillit të Komunës së Dibrës, gjatë shqyrtimit të Raportit të punës së Shkollës së Mesme Komunale “28 Nëntori”. Emigrimi i dibranëve ndikon drejtpërdrejt në uljen e numrit të nxënësve, por edhe në uljen e numrit të klasave.

    Në Raportin për punën e Shkollës “28 Nëntori”, e cila funksionon si Gjimnaz i Përgjithshëm, theksohet se në vitin e ri shkollor 2026/2027 numri i përgjithshëm i nxënësve, nga viti i parë deri në vitin e katërt, është 480. Një vit më parë, numri i nxënësve ka qenë 545, që do të thotë se numri është ulur për më shumë se 60 nxënës.

    Në raport potencohet se, përveç uljes së numrit të nxënësve, Ministria e Arsimit ka vendosur të mbyllen edhe dy paralele, nga një në gjuhën shqipe dhe një në gjuhën maqedonase. Po ashtu, theksohet se ulja e numrit të nxënësve është e pranishme nga viti në vit dhe kjo situatë rrezikon edhe numrin e të punësuarve. Në debatin që u zhvillua në seancën e Këshillit, këshilltarët shprehën shqetësimin për uljen e numrit të nxënësve, por edhe për ndërprerjen e dy paraleleve në këtë shkollë të mesme, e vetmja në Dibër. Po ashtu, u debatua edhe për rritjen e numrit të nxënësve dibranë që, pasi përfundojnë shkollën fillore, regjistrohen në shkollat e mesme profesionale në Strugë, Gostivar, Tetovë dhe Shkup.

    Viteve të fundit ka pasur prindër dhe nxënës të cilët, pas përfundimit të shkollimit fillor, kanë bërë kërkesa për hapjen e paraleleve profesionale në Shkollën e Mesme në Dibër. Por, deri tani nuk ka pasur zgjerim të ofertës së shkollës me paralele profesionale dhe vendosjen e tyre në Shkollën e Mesme “28 Nëntori” të Dibrës, ku mësimi zhvillohet në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën maqedonase.

    Gjatë vitit shkollor, si në arsimin fillor ashtu edhe në arsimin e mesëm, ka pasur edhe nxënës të cilët kanë braktisur shkollimin, pasi kanë marrë rrugën e emigrimit bashkë me familjet e tyre. Kjo dukuri veçmas është e theksuar në shkollat fillore, si në qytet ashtu edhe në fshatra. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    RMV-ja po importon fuqi punëtore, rreth 13 mijë punonjës të huaj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë