Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, njoftoi për një Master plan të partisë që, ndër të tjera, parasheh miratimin e një ligji të posaçëm për vettingun e të gjithë funksionarëve aktualë dhe ish-funksionarëve, rikthimin e tatimit progresiv dhe vendosjen e një tatimi të veçantë mbi fitimet e jashtëzakonshme të kompanive më të mëdha. Filipçe tha se me ligjin për vetting do të përfshiheshin të gjithë funksionarët, pa përjashtim, përfshirë edhe atë personalisht, si dhe ish-funksionarë dhe funksionarë aktualë të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Sipas tij, në proces do të përfshiheshin edhe ekspertë të huaj, ndërsa do të kontrollohej edhe origjina e pasurisë. Në kuadër të planit, Filipçe paralajmëroi edhe kontroll të pasurisë së kompanive më të mëdha që, sipas tij, për më shumë se dhjetë vjet kanë punuar me shtetin dhe kanë realizuar fitime të jashtëzakonshme.
“Kontrolli dhe prejardhja e pasurisë së kompanive më të mëdha, të cilat gjatë më shumë se dhjetë viteve të fundit kanë punuar, kanë krijuar dhe kanë realizuar fitime të jashtëzakonshme, janë pjesë e veçantë e ligjit për tatim shtesë të fitimeve, sepse këto kompani kanë punuar plotësisht në përputhje me ligjin, por kanë realizuar fitime të jashtëzakonshme. Dhe këtyre multimilionerëve, në kurriz të shtetit, do t’u kthehen paratë në buxhet”, tha Filipçe.
Duke komentuar paralajmërimin për vetting, kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se nuk e kundërshton miratimin e një ligji të tillë, por vlerësoi se institucionet kompetente kanë mundësi të bëjnë kontrolle edhe tani. “E po, le të ketë projektligj… këtë nuk e konteston askush. Por, edhe tani Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) mund të bëjë vetting, të verifikojë. I ka të gjitha mjetet për të verifikuar se si po pajisemi me ‘viza të arta’ në destinacione ekzotike si Dubai, sa investim duhet për t’u pajisur me një vizë të tillë, si shijohen jahtet e shtrenjta në bregdetin e Egjeut e kështu me radhë”, tha Mickoski.
Ai përmendi edhe pasurinë e politikanëve dhe mënyrën e financimit të disa kompanive, duke thënë se DAP-i mund të nisë kontrollet menjëherë. Mickoski tha se procesi mund të përfshijë edhe poligrafin, ku, sipas tij, politikanët do të duhej të përgjigjeshin për mënyrën se si kanë fituar pasurinë. Ndërkohë, përplasja politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së u zgjerua edhe me pretendimet për një rast që, sipas partisë në pushtet, ka vlerë 37 milionë euro dhe lidhet me periudhën kur Slavjanka Petrovska ishte ministre e Mbrojtjes.VMRO-DPMNE-ja kërkoi nga Prokuroria Publike që lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, të thirret në bisedë informative për pretendimet që ka bërë lidhur me këtë rast. Nga partia në pushtet e akuzojnë Filipçen se nuk ka dhënë sqarime të mjaftueshme dhe e pyesin se kur ka qenë në dijeni për rastin dhe pse nuk ka folur më herët.
“Nëse ka poseduar informacione të tilla, pse nuk i ka dorëzuar te institucionet kompetente? A bëhet fjalë për njohuri që i ka pasur edhe më herët, apo për një temë që e hapi vetëm pasi filloi përplasja politike me Petrovskën?”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. Nga partia në pushtet vlerësojnë se pretendimet e Filipçes nuk duhet të mbeten vetëm në nivelin e akuzave të ndërsjella mes tij dhe anëtarëve të platformës „Biseda për të ardhmen 12:05“, ku bën pjesë edhe Petrovska. VMRO-DPMNE-ja kërkon që Filipçe, nëse posedon prova, t’ua dorëzojë institucioneve kompetente, duke theksuar se pretendimet për një rast me vlerë 37 milionë euro janë çështje me interes publik dhe nuk mund të trajtohen vetëm si mosmarrëveshje brenda një partie. Nga partia në pushtet iu referuan edhe nenit 364 të Kodit Penal, duke pretenduar se mosraportimi i një vepre penale ose i kryerësit të saj është i dënueshëm.
Filipçe, ndërkaq, tha se pretendimet për marrëveshjen e helikopterëve i ka bërë duke iu referuar deklaratave të ministrit aktual të Mbrojtjes, Vllado Misajllovski. Sipas Filipçes, Misajllovski kishte deklaruar se komisioni për prokurimin e helikopterëve në Ministrinë e Mbrojtjes kishte marrë vendim dhe kishte zgjedhur ofertën më të lirë, por se Petrovska, si ministre e atëhershme, kishte nënshkruar një marrëveshje që, sipas pretendimit të tij, ishte 37 milionë euro më e shtrenjtë. I pyetur nëse beson se Petrovska e ka shkelur ligjin, Filipçe përsëriti se po i referohej deklaratave të ministrit Misajllovski. “Nuk kam çfarë të besoj apo të mos besoj. Unë po e citoj ministrin Misajllovski. A nuk është kjo për ju një dyshim i mjaftueshëm se ndoshta ajo po mbrohet nga diçka?”.
Përplasja mes dy partive vjen në një moment kur LSDM-ja po paralajmëron ndryshime në mënyrën e kontrollit të pasurisë së funksionarëve dhe kompanive të mëdha, ndërsa VMRO-DPMNE-ja kërkon që akuzat konkrete për rastin e prokurimit të helikopterëve të hetohen nga institucionet kompetente.




