Punë pa të drejta, fitime për kompanitë – kush po i shfrytëzon punëtorët e platformave digjitale në RMV?

    Fotografi të licensuara nga Envato / Fotografia është krijuar me ndihmën e Intelegjencës Artificiale (IA) për të ilustruar artikullin

    Biseduam me Zdravko Saveskin, doktor i shkencave politike, sindikalist dhe aktivist i kahershëm i së majtës, për shfrytëzimin e punonjësve të shpërndarjes dhe të punëtorëve të tjerë që angazhohen përmes platformave digjitale, si dhe për shfaqjen e të ashtuquajturit kapitalizëm të fazës së vonë dhe pasojat e tij në Maqedoninë e Veriut, shkruan Faktor, përcjell Nistori.

    Depërtimi i platformave të reja digjitale në Maqedoninë e Veriut, që ofrojnë shërbime transporti, shpërndarjeje të ushqimit dhe produkteve, tregtie dhe shërbimesh online, është analizuar shumë pak nga këndvështrimi i pasigurisë në punë. A krijojnë këto platforma kushte për shfrytëzimin e punëtorëve, mbrojtje të pamjaftueshme sociale dhe një garë të vazhdueshme me kohën për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve bazë?

    Saveski: Pasiguria në punë ka qenë një dukuri mjaft e përhapur edhe më parë. Çmontimi i sistemit të të drejtave të punëtorëve, si në Maqedoni, ashtu edhe në mbarë botën, përfshirë vendet e pasura, është shoqëruar me rritjen e pasigurisë në punë, përhapjen e kontratave me afat të caktuar, punësimit në të zezë dhe formave të tjera të shfrytëzimit, nën kërcënimin e vazhdueshëm: “Nëse nuk të pëlqen, dera është e hapur”.

    Lavdërimet e shumta për digjitalizimin e jetës sonë, me të cilat na kanë përmbytur elitat dhe zëdhënësit e tyre, zakonisht shmangin diskutimin për çmimin që paguajmë nga ky digjitalizim i imponuar, i cili u shërben fitimeve të të tjerëve. Në këtë kontekst, veçanërisht shpërndarja e ushqimit shoqërohet me rritjen e pasigurisë në punë dhe me forma shtesë të shfrytëzimit, madje edhe në rrethana kur këto dukuri tashmë kanë arritur nivele jashtëzakonisht të larta.

    Punëtorët e këtij sektori, të cilët në mënyrë tendencioze paraqiten si “sipërmarrës të pavarur”, privohen nga një sërë të drejtash të punës pikërisht për shkak se nuk trajtohen si pjesë e klasës punëtore. Këtu përfshihen e drejta për sigurim shëndetësor dhe pensional, pushimi vjetor i paguar dhe të drejta të tjera. Ndërkohë, pagesa në bazë të rezultateve të punës u imponon atyre një shkallë të lartë shfrytëzimi dhe vetëshfrytëzimi, nëse dëshirojnë të sigurojnë jetesën përmes kësaj pune.

    Gara për të siguruar të ardhura, veçanërisht mes punonjësve të shpërndarjes së ushqimit, tashmë vërehet edhe në sjelljen e tyre të rrezikshme në komunikacion. Shpërndarësit janë vazhdimisht me nxitim, shpesh nuk i respektojnë rregullat e trafikut dhe rrezikojnë si veten, ashtu edhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion. Këtu shfaqet një paradoks: personat që angazhohen përmes këtyre platformave, shumica e të cilave janë në pronësi të huaj, nuk konsiderohen punonjës të drejtpërdrejtë, por “partnerë” ose “kontraktorë të pavarur”. Kjo mund të nënkuptojë mungesë të mbrojtjes së duhur shëndetësore dhe sociale, duke bërë që pasojat e lëndimeve gjatë punës dhe rreziqet e tjera të bien tërësisht mbi ta. Përse ky aspekt i funksionimit të platformave digjitale nuk është rregulluar në mënyrë të mjaftueshme?

    Saveski: Para së gjithash, duhet të theksojmë paturpësinë e propagandës kapitaliste në këtë rast. Ajo i paraqet këta njerëz sikur nuk janë në marrëdhënie pune me pagë, por janë “nënkontraktorë”; sikur nuk janë punëtorë, por “sipërmarrës”. Dhe ndërsa propaganda i ngre ata mbi klasën punëtore, në praktikë i vendos edhe më poshtë saj, duke i privuar nga shumë të drejta që gëzojnë punëtorët e tjerë.

    Arsyet kryesore për mohimin e të drejtave të kësaj kategorie punëtorësh janë dy.

    Së pari, propaganda kapitaliste ka arritur të imponojë bindjen se “fleksibiliteti” në vendin e punës është diçka e mirë, moderne dhe e dëshirueshme. Kjo krijon një pengesë që duhet kapërcyer sa herë që propaganduesit e kapitalizmit përpiqen të na e paraqesin kufizimin e të drejtave tona si zgjerim të “fleksibilitetit”.

    Arsyeja e dytë lidhet me hyrjen dhe largimin e shpejtë të punëtorëve nga ky sektor. Pothuajse kushdo mund të bëhet shpërndarës. Mirëpo, në terren kuptohet shumë shpejt se sa orë pune dhe sa angazhim nevojiten për të siguruar të ardhura të kënaqshme, si dhe sa të drejta u mohohen punëtorëve. Për këtë arsye, shumë prej atyre që e shohin shpërndarjen vetëm si një punë shtesë, largohen brenda një kohe të shkurtër.

    Në rrethana të tilla, organizimi sindikal i këtyre punëtorëve bëhet jashtëzakonisht i vështirë. Prandaj, mundësia që mbetet është ndërhyrja e politikanëve, të cilët kryesisht u shërbejnë interesave të kapitalit, përmes miratimit të rregullave që kufizojnë të ashtuquajturin “fleksibilitet” dhe zbatimit të tyre në praktikë nga institucionet.

    Natyrisht, nevojitet edhe presioni i punëtorëve dhe i pjesës tjetër të shoqërisë ndaj politikanëve që u shërbejnë interesave të kapitalit, në mënyrë që ata të mos mund t’i shmangen kaq lehtë përgjegjësisë.

    Këto platforma u prezantuan si një lloj revolucioni teknologjik dhe ekonomik, që do t’u mundësonte njerëzve të shfrytëzonin kohën e lirë për të siguruar të ardhura shtesë dhe për të përdorur më mirë burimet që zotërojnë. Por, a janë shndërruar ato në një burim kryesor të ardhurash për mbijetesë, si pasojë e praktikave shfrytëzuese që synojnë maksimizimin e fitimit?

    Saveski: Është e trishtueshme se sa lehtë lejojmë të shndërrohemi në kukulla të qendrave të pushtetit. Shikojeni paradoksin: sot kemi dhjetëra pajisje që supozohet të na e lehtësojnë punën dhe jetën, ndërsa ndihemi më të lodhur se kurrë dhe nuk kemi kohë të lirë. Si është e mundur kjo?

    Produktiviteti i punës është rritur jashtëzakonisht shumë, madje disa herë gjatë shekullit të kaluar, ndërsa orët e punës jo vetëm që nuk janë zvogëluar, por në fakt janë shtuar. Si është e mundur kjo? Dhe si ka mundësi që e gjithë kjo të mos na shqetësojë dhe të mos ngjallë revoltë tek ne?

    Shumë njerëz nuk e vlerësojnë sa duhet kohën e tyre të lirë, atë kohë kur, ndryshe nga orët e punës, nuk janë skllevër të pagës dhe duhet të jenë të lirë. Përse ndodh kjo?

    Pikërisht për këtë arsye, shumë prej tyre e kanë më të lehtë të angazhohen në punë të tjera, në vend që të shijojnë lirinë e tyre. Koha e lirë duhet t’u mundësojë njerëzve të përjetojnë të paktën njëfarë lirie nga detyrimet e përditshme.

    Kam një mesazh për ata që merren me shpërndarje jo për arsye ekzistenciale, por si punë shtesë për të fituar më shumë para: Tregoni pak solidaritet! Mos krijoni konkurrencë shtesë për ata që e bëjnë këtë punë për të siguruar mbijetesën!

    Tregoni më shumë respekt për kohën tuaj të lirë! Jeta është më shumë sesa të punosh pa pushim dhe më pas t’i shpenzosh paratë e fituara me mund për gjëra të ndryshme, të panevojshme, që na i imponon konsumerizmi.

    Lajmi Paraprak

    350 mijë euro të fshehura në murin e kuzhinës së familjes së gjyqtarit Ristov, nëna: i kurseva për pleqërinë që nga viti 1975

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë