GËZIM TUSHI
Nuk ka pasur kurrë periudhë tjetër në historinë e shoqërisë shqiptare, në të cilën të jenë shfaqur kaq shumë të paqarta, të lëvizshme, të papërcaktuara e të ndryshueshme konceptet për ekzistencën ontologjike dhe konsensuale të së vërtetës. Zvillimet dinamike positive bashkë me patrologjitë sociale në zgjerim të përshpejtuar, në mënyrë evidente tregojnë në mënyrë të sigurt, se në të gjitha sferat e jetës dhe marrëdhënieve sociale dhe individuale, si në aspektin sociologjikisht thelbësor e konceptual por dhe empirik, është bërë dominant sjellja sociale e ndërtuar mbi bazën e perceptimit subjektivist dhe gjykimeve relativiste.
Fenomene të tilla, tipike të shoqërisë shqiptare në këtë fazë të zhvillimeve postmoderne të saj kanë bërë të mundur një realitet të ri social, është duke u zhvilluar dhe strukturuar korniza e një shoqërie, e cila për arsye të mungesës së sistemit të matjes, verifikimit të qëndrueshëm dhe pranimit të mundësisë për të pranuar ekzistencën e të “vërtetës së vërtetë”, duke krijuar atë situatë, e cila në mënyrë sintetike mund të konsiderohet si “shoqëri e post-të vërtetës” dhe e “njeriut privat”.
Natyrisht të gjithë e kuptojmë dhe përgjithësisht e pranojmë se shoqëria shqiptare sot në epokën e globalizmit, që është “kohë tjetër” e përbashkët për të gjithë njerëzimin. Një realitet i ri social, i kristalizuar në këto tre dekada e gjysëm, që ka bërë që shumë gjëra të natyrës politike, sjelljes morale, marrëdhënieve njerëzore në familje, shoqëri e kudo, të cilat dikur janë konsideruar si të vërtetat me vlerë të përbashkët dhe absolute për të gjithë, të ndryshojnë, ridimensionohen në përputhje me frymën e kohës dhe standartet e shoqërisë modern. Kjo kohë e “post-së vërtetës” na detyron që shumë gjëra në sistemin e vlerave të trashësuara, të moduleve të sjelljes sociale dhe ndërtimit të marrëdhënieve individuale të rishikohen nga e para, duke e cliruar shoqërinë nga reflekset e normat e “fosilizuara” të së kaluarës, duke na “detyruar” të përdorim “shenja të reja”, duke pranuar dhe përshtatur me ato të vërteta, që i përshten hapësirës dhe mënyrave diverse të jetës postmoderne në Shqipëri.
Por ky ndryshim dhe transformim nuk është as i lehtë e as “paqësor”. Është një process me impakte të gjëra dhe kjo bën që të shfaqen vështirësi, për të kuptuar, interpretuar dhe zbatuar parimet e epokës së “post-së vërtetës”. Për pasojë, njerëzit, shoqëria jonë në tërësi natyrshëm që ndodhet në situatën e ekzistencës së paqartësive konceptuale, e shoqëruar kjo me anomali sociale e corroditje morale. Kuptimi i cekët kaotik i këtij modeli të kësaj shoqërie të re, ka krijuar probleme endemike e situata konfliktuale, nga që hipertrofizimi i idesë se tani jemi në “epokën e së vërtetës”, ka sjellë një dominancë të shfrenuar të prirjeve individualiste, egoiste e subjektiviste, bazuar në faktin që në shoqërinë tonë nuk ka më një mënyrë të njëtrajtshme mendimi, as sistem vlerash sociale të mbyllur apo të kalcifikuar në norma e standarte të ngurta, tipike për shoqërinë totalitare të së kaluarës. Njerëzit tanë jetojnë në prani të një shumllojshmërie të vërtetash, shoqëruar me larmi idesh e modele diverse të sjelljes individuale e sociale, duke e bërë shoqërinë tonë në të vërtetë nga njëra anë “hapësirë të lirë”, habitat pa piketa të sigurta sociale dhe me praninë e njeriut relativizimin e skajshëm të së vërtetës e ka të nxitur, të stimuluar nga prirjet subjektiviste e mendimet eksentrike.
Shkaqet mund të jenë komplekse e të shumllojshme, materiale e morale, historike e kulturore. Mbase të lidhura edhe me specifikën e tranzicionit të zgjatur, madje sipas mendimit tim, ende të padefinuar në konceptualitetin e vlerave të përbashkëta, që mund të shërbejnë konsensualitetit tonë social. Në këtë kontekst, duke parë dhe vlerësuar ontologjinë, kuptimin dhe fenomenologjinë e situatës e “postsë vërtetës”, si mekanizëm, duket se ajo që nuk e ka forcën e duhur, ndikimin konsensual të formimit të koncepteve të përbashkëta dhe ndërtimit të kohezionit social, si bazamente të domosdoshme për të ndërtuar jetën e përbashkët, me aq sa duhet humanizëm, socialitet e sociabilitet.
Personalisht, më duket se për të shpjeguar këtë situatë të shoqërisë shqiptare, të bazuar jo tek koncepti i vjetër për të vërtetën, por tek të “vërtetat e reja”, duhen vlerësuar idetë shteruese të ideologëve, filozofëve e sociaologëve të cilët janë munduar të elaborojnë bazën objektive dhe strukturën materiale të këtij transformimi dhe kalimi, nga e “vërteta” klasike e njohur, në “post-së vërtetën” e kohës sonë.
Doemos ndikimi themelor, është zgjerimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, i hapësirave të pakufizuara të identitetit vetjak dhe sidomos shtimit të kushteve të shfaqjes së sjelljeve interpersonale, gjithnjë e më shumë të pavarura nga lidhjet me njëri tjetri dhe shoqërinë. Por sociologët e liberalizmit, në përpjekjen për të sqaruar këtë relativitet të konceptit të së vërtetës në kohën e sotme, i japin më shumë peshë ndikimeve që ka ekonomia e tregut. Sepse fjala vjen, sikurse arsyeton profesori Universitetit të Harvardit Wolfgang Petritsch, “për Hajekun, tregu nuk ishte thjesht një nocion abstrakt për organizimin e shkembimit ekonomik,- ai e shihte atë si një instrument për të arritur të vërtetën”. Sipas tij, duke parë realitetet e diversifikuara të koncepteve për të vërtetën, në kohën e sotme, “racionaliteti individual apo morali janë domosdoshmërish subjektivë dhe për pasojë të parëndësishëm”. W. Petritsch, “Ndërrimi epokave”, f. 182
Nëse u kthehimi zhvillimeve në realitetin tonë, nëse diagnostikojmë konceptet dhe sjelljes, mënyrën individuale, komportimin social dhe marrëdhënieve midis njerëzve, do të kuptojmë dhe pranojmë, se është e vërtetë që edhe ne, pavarësisht se akoma nuk e kemi të artikuluar, apo edhe kuptuar në trajtë empirike, jemi në kufijtë e ndërtimit të tyre në kuadrin e kërkesave të “post-së vërtetës”.
Jetojmë në një situatë sociale, në të cilën ndërtimi i raporteve individuale e sociale ka pësuar transformim radikal, në drejtim të bazimit të tyre, në të vërteta të personalizuara, madje të subjektivfizuara në nivel kritik. Orientimi social, bazimi i sjelljes tek “post-e vërteta”, si themel i ndërtimit subjektiv të sjelljes, nuk është problem i thjshtë. Duke parë dhe vlerësuar me objektivitet, pa parti-pris të vërtetat e realitetit tonë social, largimin e mënyrave të sjelljes nga të vërtetat e ngurta të shoqërisë totalitare në ato që përshtaten me natyrën likuide të zhvillimeve postmoderne, pa frikë duhet të pranojmë, se “post-e vërteta” është bërë me peshë sociale. Por nga ana tjetër, nëse shoqëria shqiptare ka sot një situatë anomie e kaofonie sociale, kaotizmi e neurotizmi socal në marrëhdëniet midis individëve, midis tyre dhe institucioneve të jetës sociale dhe shtetërore, shfaqje të kokëfartësisë, dhunës, arbitrariteti, mungesë së konsensualitetit, pranimit të tjetrit dhe të “vërtetave” të tij, kjo sepse nga shoqëria që dikur kishte vetëm “një të vërtetë për të gjithë”, tani duke qenë në hapësirat e gjëra të shoqërisë së “postsë vërtetës”, është krijuar një bindje masive sipas së cilës, në këtë shoqëri liberale e individualiste, “secili ka të drejtë të kultivojë, të pranojë e t’i bindet të vërtetës së vet, asaj që për të cilën ai beson apo mendon se është e tillë.
Kjo është arsyeja, pse në këtë kakofoni të konceptimit evaziv apo anarkik të thelbit “shoqëri e post-të-vërtetës”, duket sikur faktet dhe e “vërteta e vërtetë” dhe jo simulakrat e saj, nuk kanë më rëndësi. Shikoni fenomenologjinë e opinionit dhe diskursit publik që zhvillohet në Shqipëri për të gjitha problemet. Asnjëherë, ose tepër rrallë në këto tre dekada e gjysëm, kemi patur raste që diskurset politike, morale e publike, të jetë bazuar në të “vërtetën e vërtetë”, si kusht për të patur atë konsensus shoqëror në gjykimin publik, për të cilin ka nevojë zhvillimi normal, dinamik e progresiv i zhvillimeve politike, sociale, ekonomike e kulturore, si të vërteta që përbëjnë parakushtin për të patur një jetë normale të përbashkët. Mbivlerësimi i konceptit “shoqëri e post-së vërtetës”, është kthyer në faktor social për zgjerimin e egoizmit, dobësimin e strukturës sociale dhe anonizimin e jetës shoqërore. Kjo do të thotë, se duhet ta shikojmë “post-të vërtetën” jo në mënyrë sempliste, as si argument për të mbështetur konceptin e njeriut që nuk pranon të jetë moralisht përgjegjës për asgjë. Sepse pa një të vërtetë konsensuale, nuk do ketë përgjegjësi morale të individit, as të vërtetë të përbashkët për të gjithë. Një plagë që shoqëria shqiptare e ka tejet të agravuar sot.
Mjafton të shikoni diskursin e “rrugës” apo atë mediatik, ku të vërteta shpesh janë aq të larmishme sa janë edhe personalitetet që marrin pjesë në debat, të bazuar gjithnjë jo në të “vërtetën e vërtetë” por në të “vërtetat e tyre”. Por po aq shqetësuese është edhe situate e debatit për të vërtetën në politikën profesioniste apo në industrinë mediatike. Në këto dy fusha është me shkalafitur ideja anarkike e subjektiviste e “post-të vërtetave” me natyrë politike, partiake e mediatike. Mjafton të theksoj se sociologjikisht realiteti në këto fusha të rëndësishme të jetës së përbashkët, qarkullon i bazuar në subjektivizëm, militantizëm apo ide kaotike. Politika, media klasike e tradicionale dhe ajo modern, është kthyer në një “supermarket” idesh, ku secili zgjedh preferencat e tij për të “vërtetën e tij”, që beson si simulakër konjukturale. Kjo patologji e zgjeruar dhe e pafrenuar (e vështirë të ndodhë kjo), ka cënuar rëndë edhe sjelljet sociale e qytetare, madje duke e bërë ndjenjën e komunitetit dhe konsensusit të përbashkët, shtojcë të huaj për jetën postmoderne në shoqërinë tonë. Ka një arsye që është e lidhur me prirjen që të vërtetat e kanë mbështetjen në parimet e ekonomisë së tregut, që nxit interesat materiale të individit dhe fare pak humanizëm, si terren i mundshëm për ekzitencën e të “vërtetës së vërtetë”. Gjasat tregojnë se shoqëria shqiptare, është në vorbullën e papërmbajtshme dhe e orientuar thelbësisht nga parimet drastike të individualizmit, desolidaritetit, lakmizë, egoizmit dhe zilisë.
Në këto kushte, ajo që kërkohet dhe është imperative të vlerësohet, është fakti që duhet t’i njohim dhe diagnostikojmë saktë tendencat, sidomos ato që po i “afrohen” shoqërisë shqiptare, si shoqëri liberale, individualiste me mbivlerësim të besimit se e vërteta është e lidhur vetëm me identitetin personal dhe se ajo përbën kusht sovranitetit moral të individit në këtë shoqëri të “post-së vërtetës”. Nga ana tjetër, duke qenë se jetojmë në një shoqëri demokratike, të lirë, pa pa barriera të ngurta doktrinare e totalitare, kanone të ngurta morale, mbështetur në koncepte orientuese me natyrë likuide dhe të diversifikuar, është e natyrshme, të pranojmë ekzitencën fenomenologjike të transformimit, nga shoqëria me të “vërteta të instancës së fundit”, të ngurta, të korracuara, të pandryshueshme në atë që sot në sociologjinë postmoderne vlerësohet si “shoqëri e post-së vërtetës”. Panorama





