Në kuadër të qëndrimit dhe pjesëmarrjes në aktivitete kulturore në Alanya të Turqisë, delegacioni i Ansamblit Shtetëror Shqiptar të Maqedonisë së Veriut zhvilloi një takim zyrtar me kryetarin e Komunës së Alanyas, nga i cili u prit me ngrohtësi dhe respekt.
Në takim morën pjesë drejtori i Ansamblit, Jetmir Rexhepi, bashkëpunëtori për marrëdhënie ndërkombëtare, Amir Mamuti, si dhe valltarët Jeton Ferati, Fatime Bytyqi, Bali Saliu dhe Agnesa Selmani.
Gjatë takimit u diskutua për pjesëmarrjen e Ansamblit në aktivitetet kulturore në Alanya, si dhe për rëndësinë e promovimit të kulturës, traditave dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Për Ansamblin Shtetëror Shqiptar të Maqedonisë së Veriut, çdo pjesëmarrje ndërkombëtare përbën një mundësi të veçantë për të prezantuar vlerat kulturore shqiptare, për të ruajtur identitetin kombëtar dhe për të ndërtuar ura të reja miqësie e bashkëpunimi ndërmjet popujve.
Si ambasadorë të kulturës shqiptare, bartës të traditave dhe përfaqësues të një trashëgimie të pasur, ne vazhdojmë t’i përcjellim me krenari vlerat tona kombëtare nga brezi në brez.
Shprehim mirënjohjen tonë ndaj kryetarit të Komunës së Alanyas për pritjen e ngrohtë dhe mikpritjen e treguar, me besimin se takime të tilla krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim kulturor dhe forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. /Nistori/






