“Zotëriu i Parë” përmbyll sonte Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit të Tetovës

    Sonte bie perdja e edicionit të sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit të Tetovës. Në natën përmbyllëse, nga ora 20:00, para publikut tetovar do të ngjitet Teatri Shqiptar – Shkup me shfaqjen “Zotëriu i Parë”, me autorësi dhe regji të Fatos Berishës, shkruan Nistori.

    Shfaqja është frymëzuar nga motivet e komedisë së njohur “Zonja Ministreshë” të Branislav Nushiqit, por vjen me një përmbysje të roleve. Duke ruajtur strukturën narrative, ngjarjet dhe dinamikën bazë të komedisë klasike, në këtë version ajo është ministre, ndërsa ai, bashkëshorti i saj, bëhet “Zotëriu i Parë”.

    Pikërisht përmes këtij ndërrimi rolesh, shfaqja ndërton një pasqyrë të përmbysur të shoqërisë, duke nxjerrë në pah raportin e individit me pushtetin, pozitën dhe privilegjin, por edhe kontradiktat që shfaqen kur njeriu gjendet papritur në një pozitë për të cilën nuk është i përgatitur.

    “Zotëriu i Parë” nuk mbetet vetëm te loja komike e ndërrimit të roleve. Shfaqja sjell edhe një reflektim kritik mbi mënyrën se si pushteti mund ta ndryshojë individin, ta zbërthejë personalitetin e tij dhe ta nxjerrë në sipërfaqe atë që përshkruhet si “madhështia e vogëlsisë” njerëzore.

    Përmes humorit dhe satirës, publiku ftohet ta shohë shoqërinë në një pasqyrë ku ambicia, statusi, privilegji dhe etja për pushtet marrin forma sa komike, aq edhe të njohura për realitetin e përditshëm.

    Në shfaqje interpretojnë Visar Etemi në rolin e Zhabirit, Blerim Dardhishta si Daja, Sara Bajrami si Ajshja, Genci Mirzo si Dani, Gentiana Ramadani si Gonxhja, Abedin Alimi si Bedriu, Sabina Memishi Asllanaj si Fjolla, Teuta Ajdini Jegeni si Halla Hamide, Ylber Murtezi si Konsulli kanadez, Hamdi Rashiti si Zylfiu, Fisnik Zeqiri si Ismeti, Mentor Kurti si Dilaveri, Hetem Etemi si Abdurrahimi, Bejtulla Kerimi si Gazmendi, Asdren Selimi si Albani, Aida Elezi si policja dhe Nadi Bexheti si Mahiri.

    Skenografia mban firmën e Bekim Korçës, kostumografia është realizuar nga Alma Krasniqi, ndërsa muzika është e kompozitorit Memli Kelmendi. Materiali promovues është realizuar nga Ngadhnjim Mehmeti, ndërsa fotografitë nga AKON.

    Me “Zotëriu i Parë” përmbyllet festivali, i cili gjatë netëve të tij solli në Tetovë shfaqje dhe trupa teatrore nga Maqedonia e Veriut dhe rajoni.

    Shfaqja fillon sonte në orën 20:00, ndërsa hyrja për publikun është e lirë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Goditje ndaj trafikut të drogës në RMV: sekuestrohen 79 kg marihuanë, arrestime edhe në Tetovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë