Një fushatë e gjerë për parandalimin e lypjes dhe mbrojtjen e fëmijëve që shfrytëzohen për këtë qëllim po zhvillohet në disa qytete të Maqedonisë së Veriut, ndërsa Ohri dhe Struga konsiderohen ndër zonat më problematike, shkruan SDK, përcjell Nistori.
Ilija Jovanoviq, nga organizata joqeveritare “Ndërtimi i së Ardhmes”, thotë se institucionet përkatëse janë njoftuar për situatën dhe se në fushatë janë përfshirë Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
“Ne i kemi njoftuar të gjitha stacionet policore, veçanërisht ato në Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Dojran, ku situata ishte më kritike. Policia e Ohrit tashmë po ndërmerr veprime në kuadër të projektit për parandalimin e lypjes. Aktualisht po zhvillohet një fushatë më e gjerë. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministria e Punëve të Brendshme po veprojnë në të gjithë vendin, qytet pas qyteti, për ta zgjidhur problemin e lypjes”, thotë Jovanoviq.
Sipas tij, aktualisht në Ohër ka nga 20 deri në 30 persona që lypin, përfshirë edhe fëmijë të moshave të ndryshme.
“Ka foshnja të porsalindura, fëmijë të moshës nga tre deri në 15 vjeç, por edhe vajza që, sipas informacioneve tona, po shfrytëzohen seksualisht. Kemi informacione se për këtë qëllim janë marrë me qira edhe apartamente”, deklaron Jovanoviq.
Ai u bën thirrje qytetarëve që çdo rast të tillë ta denoncojnë menjëherë në polici, duke pretenduar se bëhet fjalë për një skemë të organizuar të transportimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve nga qytete të ndryshme.
“Problemi më i madh është në Ohër, ku fëmijët sillen nga Tetova, Gostivari, Struga, Manastiri, Resnja, Prilepi, Velesi, Kërçova dhe Dibra. Ekziston një skemë e organizuar”, pohon Jovanoviq.
Problemi i shfrytëzimit të fëmijëve për lypje po monitorohet përmes një projekti që zbatohet prej pesë vjetësh. Jovanoviq thotë se gjatë kësaj periudhe është arritur të zvogëlohet ndjeshëm numri i fëmijëve që lypin në rrugë dhe në kryqëzime.
“Në nivel të Maqedonisë së Veriut kishim rreth 2.000 fëmijë që lypnin çdo ditë. Tani numri është zvogëluar në rreth 700, por ne po vazhdojmë me projektin dhe nuk po dorëzohemi”, thotë ai.
Në Strugë, sipas Jovanoviqit, numri i personave që lypin varion nga 15 deri në 30.
Sipas hulumtimeve të organizatës, fëmijët kalojnë deri në tetë orë në ditë në rrugë, ndërsa shumat që sigurohen nga lypja mund të arrijnë në disa mijëra denarë në ditë.
“Orari i tyre është tetë orë në ditë. Një fëmijë siguron nga lypja 3.000 deri në 5.000 denarë, por fatkeqësisht, atij i mbeten vetëm 10 deri në 30 denarë. Këtë e tregojnë hulumtimet tona. Në fund, këta fëmijë edhe rrihen, ndërsa pjesa më e madhe e parave përfundon te personat që i kontrollojnë dhe organizojnë këtë veprimtari”, pohon Jovanoviq.
Sipas tij, pas identifikimit të një fëmije që shfrytëzohet për lypje, institucionet ndërmarrin një sërë masash për mbrojtjen e tij.
“Sapo një fëmijë largohet nga rruga, ai dërgohet menjëherë në një institucion shëndetësor për t’iu kontrolluar gjendja shëndetësore. Më pas, mbahet në stacionin policor për gjashtë orë, me qëllim verifikimin e identitetit dhe mbledhjen e të dhënave të nevojshme. Pas kësaj, veprimet e mëtejshme ndërmerren nga inspektorët për të mitur dhe shërbimet sociale”, shpjegon Jovanoviq.
Nga organizata “Ndërtimi i së Ardhmes” vlerësojnë se zgjidhja afatgjatë e këtij problemi nuk qëndron vetëm te largimi i fëmijëve nga rruga, por edhe te përfshirja e tyre në sistemin arsimor dhe atë të mbrojtjes sociale.
“Ky problem nuk mund të zgjidhet brenda natës. Ne i kemi kërkuar çdo komune që, në përputhje me kompetencat e saj, të hapë qendra të kujdesit ditor, me punëtori dhe aktivitete ku fëmijët dhe prindërit e tyre biologjikë do të mund të përfshihen çdo ditë. Gjithashtu, parashikohet hapja e qendrave të tjera të kujdesit ditor, ndërsa fëmijët duhet të regjistrohen në shkolla dhe kopshte”, thotë Jovanoviq.
Ai shton se policia tashmë po ngre kallëzime penale në rastet kur konstatohet shfrytëzimi i fëmijëve për lypje, ndërsa ndaj prindërve po ndërmerren edhe masa të tjera.
“Policia tashmë është në dijeni të kësaj dukurie dhe po ngrihen kallëzime penale. Disa prindër janë paralajmëruar se nuk duhet t’i lejojnë fëmijët të dalin në rrugë për të lypur. Pas paralajmërimit të dytë ose të tretë, kërkohet edhe heqja e së drejtës prindërore”, deklaron Jovanoviq.
Sipas tij, një nga pengesat kryesore në trajtimin e rasteve të tilla mbetet kohëzgjatja e procedurave gjyqësore.
“Procedurat gjyqësore janë shumë të vështira. Ne kemi kërkuar ndryshime dhe plotësime të dispozitave të Kodit Penal. Kërkojmë që vendimi për heqjen e së drejtës prindërore të mund të merret brenda një ore. Është një proces i gjatë, por shpresoj se, me përpjekjet e ministrit aktual, do të bëhen ndryshime edhe në ligje të tjera”, thotë Jovanoviq.
Nga organizata “Ndërtimi i së Ardhmes” theksojnë se përpjekjet për parandalimin e shfrytëzimit të fëmijëve për lypje do të vazhdojnë, përmes një koordinimi më të ngushtë ndërmjet policisë, shërbimeve sociale, pushtetit lokal dhe institucioneve arsimore. /Nistori/




