Eurot u gjetën, po a do të gjendet drejtësia?

    Kur drejtësia vihet nën dyshim, qytetarët humbin besimin jo vetëm te gjykatat, por edhe te shteti që duhet t’i mbrojë. Në një vend ku gjyqësori prej vitesh përballet me skepticizëm publik, rasti i ish-gjykatësit të Apelit, Gjoko Ristov, në shtëpinë familjare të të cilit u gjetën 350 mijë euro të fshehura në mur, ngre sërish pyetje për integritetin e sistemit të drejtësisë. Por, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij vazhdon, dëshmitë dhe pretendimet e paraqitura në sallën e gjyqit po e zgjerojnë debatin edhe te gjykatës të tjerë të Apelit të Shkupit. A ishte ky një rast i izoluar apo ka ende rrethana që drejtësia duhet t’i zbardhë?

    Rasti mori përmasa të reja pasi në procesin kundër Ristovit u përmendën edhe emra të gjykatësve të tjerë të Gjykatës së Apelit. Mbrojtja ka këmbëngulur se ish-gjykatësi, tashmë i shkarkuar nga detyra, nuk ka vendosur i vetëm për çështjen që lidhet me procedurën, por si pjesë e një këshilli penal të përbërë nga tre gjykatës. Kjo linjë mbrojtjeje është shfaqur që në fillim të procesit dhe së fundmi është përforcuar edhe nga dëshmia e ish-avokatit të shtetit, Fehmi Stafa.

    PRANIMIN E FAJËSISË E BËRA NËN PRESION

    Fehmi Stafa, i cili më herët pranoi fajësinë dhe u dënua me një vit e tre muaj burg, kishte qenë kapur me 20 mijë euro, të cilat, sipas Prokurorisë, duhej t’ia dorëzonte gjykatësit Gjoko Ristov. Megjithatë, gjatë dëshmisë në gjykatë, Stafa deklaroi se pranimin e fajësisë e kishte bërë nën presion dhe mohoi që paratë të ishin të destinuara për Ristovin. Në përpjekje për të kundërshtuar provat e Prokurorisë, ai pohoi se, megjithëse ishte regjistruar duke hyrë në zyrën e Ristovit, kishte vizituar më shpesh gjykatës të tjerë të Apelit. Në këtë kontekst, përmendi gjykatëset Gabriela Gajdova dhe Vesna Dimishkova.

    Stafa kishte qenë avokat i Ljupço Pecovit, i njohur me nofkën “Djalli”, i cili, ndonëse ndiqej penalisht nga Prokuroria, mori dënim me kusht pasi me deklarimet e tij kontribuoi në zbulimin e rastit për të cilin akuzohen Stafa dhe Ristov. Arrestimi i Ristovit pasoi një vendim të Gjykatës së Apelit lidhur me paraburgimin e Pecovit. Për këtë çështje kishte vendosur një këshill penal i përbërë nga Gjoko Ristov, i cili kryesonte këshillin, si dhe gjykatëset Gabriela Gajdova dhe Lidija Zimbovska. Megjithatë, këshilli kishte vendosur të mos ia hiqte paraburgimin Pecovit, një rrethanë që mbrojtja e Ristovit e përdor si argument në favor të tij.

    BISEDA I TEJKALOI KUFIJTË INSTITUCIONALË

    Pas përmendjes së emrit të saj në sallën e gjyqit, gjykatësja Gabriela Gajdova, njëherësh zëdhënëse e Departamentit Penal të Gjykatës së Apelit, ka dhënë shpjegime publike për komunikimin që kishte pasur me Stafën. Gjatë një takimi informues me gazetarët, të organizuar nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të Apelit, Zoran Gerasimovski, ajo tha se Stafa e kishte vizituar vetëm një herë në zyrë.

    “Nuk do ta komentoj dëshminë e dëshmitarit nga aspekti nëse është e vërtetë apo e pavërtetë, nëse ka kredibilitet apo jo, veçanërisht pasi procedura ende nuk ka përfunduar. Megjithatë, duhet të theksoj një fakt. Zoti Stafa ka ardhur në zyrën time vetëm një herë, njësoj si te gjykatësja Dimishkova”, deklaroi Gajdova. Ajo sqaroi se kishte pasur edhe komunikim përmes Viberit me Stafën, i cili për dy deri në tre ditë kishte këmbëngulur për një takim. Sipas saj, ky komunikim u është dorëzuar institucioneve kompetente.

    “Në parim, unë nuk pranoj avokatë, megjithëse nuk është e pazakontë të komunikojmë me prokurorë dhe avokatë. Në rastin konkret, një koleg gjykatës më kërkoi ta pranoja dhe unë e pranova. Biseda filloi lidhur me fëmijën. Nuk e di saktësisht për çfarë çështjeje bëhej fjalë, por në një moment biseda i tejkaloi kufijtë e përshtatshëm institucionalë, brenda të cilëve duhet të zhvillohet komunikimi ndërmjet një gjykatësi dhe një avokati apo prokurori. Aty përfundoi biseda”, shpjegoi Gajdova. Ajo shtoi se për përmbajtjen e takimit kishin dhënë deklarime si dëshmitare, si ajo ashtu edhe gjykatësja Dimishkova, gjatë procedurës së zhvilluar ndaj Stafës në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

    Të dyja ishin propozuar si dëshmitare të Prokurorisë, por nuk kishin arritur të dëshmonin në gjykatë, pasi Stafa kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë në fazën e vlerësimit të aktakuzës.

    ZIMBOVSKA LARGOHET NGA ÇËSHTJET PENALE

    Një tjetër zhvillim që tërhoqi vëmendjen e gazetarëve ishte mungesa e gjykatëses Lidija Zimbovska në takimin informues. Zimbovska, e cila kishte qenë pjesë e këshillit penal bashkë me Ristovin dhe Gajdovën, ishte gjithashtu kandidate për postin e kryetarit të Gjykatës së Apelit, së bashku me Gerasimovskin. I pyetur për mungesën e saj, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Apelit bëri të ditur se Zimbovska, pas shumë vitesh pune në Departamentin Penal, ishte transferuar në departamentin që merret me kundërvajtje.

    “Gjykatësja Lidija Zimbovska, në përputhje me orarin e fundit të punës, është sistemuar në çështjet kundërvajtëse dhe gjykon ekskluzivisht kundërvajtje. Ajo paraqiti kundërshtim ndaj sistemimit, por ai u refuzua nga Gjykata Supreme”, deklaroi Gerasimovski. Ai tha se vendimi ishte marrë për organizim më të mirë të punës së gjykatës. “Si ushtrues detyre i kryetarit, konsideroj se ajo do të japë kontribut më të mirë aty sesa në çështjet penale”, shtoi Gerasimovski.

    PROKURORIA NUK TREGON NËSE PO HETOHEN GJYKATËS TË TJERË

    Ndërkohë, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk ka konfirmuar nëse janë duke u zhvilluar procedura edhe ndaj gjykatësve të tjerë të Gjykatës së Apelit. Prokurorja Iskra Haxhi-Vasileva, e cila udhëheq rastin kundër Ristovit, sqaroi se Prokuroria nuk është institucion që kryen kontroll të rregullt mbi punën e gjykatësve, pasi kjo është kompetencë e Këshillit Gjyqësor. “Prokuroria vepron kur ekzistojnë dyshime për kriminalitet, përkatësisht për vepra të kryera penale, dhe është e detyruar t’i verifikojë këto dyshime”, deklaroi ajo.

    Megjithatë, prokurorja nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë nëse ekzistojnë procedura të tjera. “Nuk do t’ju përgjigjem në këtë pyetje, sepse procedura parahetimore është sekrete. Kjo është faza e vetme e procedurës penale që është sekrete. Për hetimin tashmë mund të zbulojmë informacione”, tha Haxhi-Vasileva. Ky qëndrim nuk konfirmon ekzistencën e hetimeve ndaj gjykatësve të tjerë, por as nuk jep informacion për të përjashtuar një mundësi të tillë.

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës së Apelit, Zoran Gerasimovski, deklaroi se nuk ka njohuri për raste të tjera korrupsioni në institucionin që drejton. Ai theksoi se do të respektojë prezumimin e pafajësisë për ish-gjykatësin Ristov deri në përfundimin e procesit gjyqësor. “Nëse raste të tilla paraqiten dhe informacionet arrijnë tek unë si ushtrues detyre i kryetarit të kësaj gjykate, natyrisht se do të ndërmerren masat përkatëse përmes institucioneve kompetente, në mënyrë që të reagohet menjëherë”, deklaroi Gerasimovski. Ai e mori përkohësisht drejtimin e Gjykatës së Apelit pasi ish-kryetarja Meri Dika-Georgievska u zgjodh gjykatëse në Gjykatën Kushtetuese.

    APELI I SHKUPIT, SËRISH PËRBALLË PYETJEVE PËR INTEGRITETIN

    Rasti i Ristovit nuk është zhvillimi i vetëm që ka ngritur shqetësime për integritetin e Gjykatës së Apelit në Shkup. Një tjetër ish-gjykatës i këtij institucioni, Enver Bexheti, përfundoi në listën amerikane të sanksioneve, lidhur me zvarritjen për muaj të tërë të një lënde gjyqësore për përgjimet masive, në të cilën ishte i akuzuar ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov. Tashmë, me procesin kundër Ristovit, Apeli i Shkupit ndodhet sërish në qendër të vëmendjes publike.

    Gjetja e 350 mijë eurove të fshehura në murin e një shtëpie, pretendimet për para të destinuara për një gjykatës, përmendja e emrave të tjerë gjatë procesit dhe mungesa e informacionit për hetime eventuale shtesë janë zhvillime që kërkojnë sqarim institucional. Për qytetarët, çështja nuk është vetëm se çfarë do të ndodhë me një ish-gjykatës. Pyetja më e madhe është nëse sistemi i drejtësisë ka mekanizmat dhe vullnetin institucional për t’i zbardhur dyshimet edhe brenda radhëve të veta. Sepse besimi te drejtësia nuk ndërtohet vetëm me vendime gjyqësore, por edhe me transparencë, përgjegjësi dhe trajtim të barabartë para ligjit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Veturat e parkuara në rrugë, makthi i transportit publik në Tetovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë