Korrupsioni në shëndetësi, punonjësit e dinë, por heshtin

    Më shumë se 160 punonjës dhe bashkëpunëtorë shëndetësorë nga mbarë vendi iu nënshtruan trajnimeve rajonale për luftë kundër korrupsionit në shëndetësi. Në trajnimet që u mbajtën në tetë qytete në të gjitha rajonet planore në Maqedoni morën pjesë mjekë, infermiere, mami, psikologë, punonjës socialë dhe punonjës administrativ.

    Kjo u realizua si pjesë e aktiviteteve për rritjen e kapaciteteve të personelit mjekësor për t’i njohur të gjitha format e korrupsionit dhe për t’u përfshirë në parandalimin e tyre, ndërsa u mbajt në kuadër të projektit “Sistem më i fortë për mbrojtje më të drejtë: Zvogëlimi i korrupsionit në shëndetësi”, i cili zbatohet nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE.

    “Qëllimi është të përforcohen njohuritë dhe kapacitetet praktike të pjesëmarrësve për sjellje profesionale dhe etike, për njohjen e rreziqeve të korrupsionit dhe formave të ndryshme të korrupsionit, kuptimin e dimensionit gjinor të tyre, si dhe për reagimin e duhur dhe përdorimin e mekanizmave për raportim. Nëpërmjet shembujve praktikë, diskutimeve dhe punës interaktive pjesëmarrësit i lidhën këto tema me praktikën e përditshme profesionale, por punuan edhe në avancimin e standardeve profesionale, trajtimin e barabartë të pacientëve dhe integritetin në institucionet shëndetësore”, tha Borjan Pavllovski nga Shoqata ESE.

    Hulumtimi i Shoqatës ESE që u realizua në fund të vitit 2025 nxjerr në pah se shumica e punonjësve shëndetësorë janë të vetëdijshëm për praninë e praktikave korruptive, por vetëm një pjesë e vogël e tyre reagojnë ose i raportojnë rastet.

    Pothuajse 84 përqind e punonjësve shëndetësorë janë të mendimit se korrupsioni është pjesërisht ose shumë i përhapur në sektorin ku punojnë, por rastin e kanë raportuar vetëm 7 përqind e atyre që kanë pasur njohuri për korrupsion.

    “Besoj se për këtë temë duhet të flitet shumë më shumë, me qëllim të rritjes së vetëdijes, përforcimit të besimit të ndërsjellë dhe që punonjësit shëndetësorë gjithnjë e më guximshëm t’i njohin dhe raportojnë dyshimet për korrupsion. Në të njëjtën kohë e një rëndësie të veçantë është ekzistenca e një sistemi efikas i cili do t’i mbrojë raportuesit, që do të sigurojë se çdo raportim do të hetohet në mënyrë të detajuar, të pavarur dhe të drejtë, ndërsa kur të vërtetohen parregullsitë të mundësojë ndërmarrjen e masave adekuate për ta parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla”, tha D-r. Nina Bliznakovska Stojkoviq, mjeke amë nga Kumanova.

    Punonjësit shëndetësorë e vlerësuan trajnimin si të dobishëm dhe të zbatueshëm në punën e tyre të përditshme, sidomos në pjesën e njohjes së rreziqeve të korrupsionit, aspekteve gjinore të korrupsionit, sekstorsionit, trajtimit të barabartë të pacientëve dhe mekanizmave për raportim dhe mbrojtje.

    “Shumica e kolegëve për herë të parë u ndeshën me disa forma të korrupsionit, siç është sekstortimi dhe në këtë mënyrë do mund ta njohin më lehtë edhe këtë formë të korrupsionit. Korrupsioni nuk është vetëm sfidë institucionale, por edhe çështje e etikës profesionale, përgjegjësisë personale dhe besimit. Qëllimi jonë është që ta ngrejmë vetëdijen se çdo punonjës shëndetësor ka rol të rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi shëndetësor transparent, të drejtë dhe përgjegjës. Lufta kundër korrupsionit është përgjegjësia jonë e përbashkët, ndërsa çdo pacient meriton trajtim të barabartë, të drejtë dhe dinjitoz”, theksoi D-r. Goran Andonov, specialist i mjekësisë së punës i punësuar në I.Sh.P. Shtëpia e Shëndetit “D-r. Pançe Karagjozov” – Shtip.

    “Diskutimet ishin dinamike, ndërsa nevoja për t’i ndarë përvojat, problemet dhe dilemat aq e madhe sa që u krijua përshtypja se të gjithë mezi kishin pritur ta shprehin atë që e kishin mbajtur gjatë brenda në vete. Kjo më tregoi se ekziston nevojë reale për edukime të tilla si mundësi për bisedë të hapur, por edhe konstruktive. Një moment posaçërisht i rëndësishëm për mua ishte kur krejt rastësisht kuptova se edukimi nuk kishte përfunduar me sllajdin e fundit, por i kishte lënë përshtypje një pjesëmarrësi, i cili pastaj përmbajtjet e prezantuara ia kishte përcjellë bashkëshortes së tij. Për mua kjo është vlera e vërtetë. Të nxitet medim dhe bisedë që vazhdon të jetojë edhe jashtë sallës së konferencave”, tha D-r. Natasha Ilijoska, mjeke amë nga Prilepi.

    Shoqata ESE e zbaton projektin “Sistem më i fortë për mbrojtje më të drejtë: Zvogëlimi i korrupsionit në shëndetësi” me mbështetjen e Expertise France përmes Agence française de développement. Bëhet fjalë për nismë kombëtare e cila bazohet në tre aktivitete kryesore – trajnime të punonjësve shëndetësorë për përforcimin e rolit të tyre në luftën kundër praktikave korruptive, rritjen e vetëdijes së qytetarëve për njohjen dhe raportimin e korrupsionit, si dhe reformimin e politikave dhe proceseve në shëndetësi.

    Format më të përhapura të korrupsionit shëndetësorë janë: para, dhurata, kuponë para një shërbimi, referime për tarmine private, pagesë për shërbime falas, rekomandime për ilaçe specifike, laboratorë dhe farmaci. Këto u raportuan në qershor nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave ESE. Hulumtimi i tyre, në të cilin morën pjesë 410 punonjës të kujdesit shëndetësor dhe 21 drejtorë të institucioneve publike të kujdesit shëndetësor, tregoi se pothuajse 84 përqind e punonjësve të kujdesit shëndetësor besojnë se korrupsioni është pjesërisht ose shumë i përhapur në sektorin në të cilin punojnë, por vetëm 14 përqind e tyre pranojnë se kanë qenë personalisht të përfshirë ose kanë qenë dëshmitarë të një akti korruptiv në institucionin e tyre.

    Lajmi Paraprak

    Onkologjia në kufijtë e kapaciteteve, pacientët me kancer në RMV presin me javë për trajtim

    Lajmi i rradhës

    Treni i qytetit në Shkup, i rregullt, por pothuajse pa pasagjerë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë