Bosh, por i rregullt. Treni i qytetit duket se është i vetmi mjet transporti hekurudhor tek i cili mund të mbështeteni nëse dëshironi të udhëtoni nga një vend në tjetrin në Maqedoninë e Veriut, pa u përballur me probleme të mëdha, shkruan Prizma, përcjell Nistori.
Kjo është përshtypja që krijoi ekipi i BIRN-it pas gjysmë dite të kaluar në platformat e Stacionit Hekurudhor të Shkupit dhe pas dy udhëtimeve vajtje-ardhje me trenin e qytetit, i cili aktualisht qarkullon vetëm në një linjë: nga Shkupi në Zelenikovë dhe anasjelltas, me pesë stacione ndërmjet tyre.
Zelenikova është gjithashtu një nga stacionet ku ndalojnë trenat e rrallë ndërqytetas që udhëtojnë drejt Velesit, Manastirit dhe Gjevgjelisë. Për këtë arsye, treni i qytetit shfrytëzon të njëjtën linjë hekurudhore, por ka një tren të veçantë dhe një orar të përcaktuar, sipas të cilit distanca prej 25 kilometrash në një drejtim duhet të përshkohet për 25 minuta.
Megjithatë, ndërsa shumica e trenave ndërqytetas u vonuan me orë të tëra ose nuk u nisën fare nga Stacioni Hekurudhor i Shkupit gjatë vizitës së ekipit të BIRN-it, situata me trenin e qytetit ishte ndryshe.
Jo se ai respektonte orarin me përpikëri, siç ndodh me trenat në vendet evropiane me sisteme të zhvilluara hekurudhore, por të paktën qarkullonte.
Për këtë tren ishte rezervuar platforma numër tre, së bashku me një tren elektrik të prodhimit kinez, të blerë rreth dhjetë vjet më parë, gjatë furnizimit të fundit me trena pasagjerësh për Hekurudhat e Maqedonisë.
Në ditët e para të funksionimit të trenit të qytetit, autoritetet u mburrën me shifrën prej 1.500 pasagjerësh brenda tri ditëve. Një muaj më vonë, gjatë javës së dytë të tetorit, ekipi i BIRN-it vendosi të verifikonte se sa përdorej realisht ky shërbim.
Për dy udhëtimet vajtje-ardhje u zgjodhën oraret kur pritej fluksi më i madh i pasagjerëve: nga ora 06:00 deri në 09:00 të mëngjesit dhe nga ora 16:00 deri në 18:00 pasdite.
Udhëtimi i parë nisi pak pas orës 07:00, nga Shkupi drejt Zelenikovës. Përveç konduktorit dhe makinistit, gazetarët e BIRN-it ishin të vetmit persona në tren.
Gjatë rrugës nuk pati vonesa të konsiderueshme, përveç një ndalese të shkurtër në mes të itinerarit, për t’i lëshuar rrugën trenit që vinte nga Gjevgjelia, i cili mbërriti në Shkup me 45 minuta vonesë.
Për këtë arsye, udhëtimi nga Shkupi në Zelenikovë zgjati 35 minuta, dhjetë minuta më shumë sesa parashikonte orari.
Një vonesë e tillë nuk ishte e papritur, duke pasur parasysh gjendjen e rënduar në të cilën ndodhet prej vitesh sistemi hekurudhor i Maqedonisë së Veriut.
Përkeqësimi i situatës pasqyrohet edhe në numrin e pasagjerëve të transportuar. Gjatë 15 viteve të fundit, ky numër ka rënë ndjeshëm, nga 1,4 milion pasagjerë në vitin 2011 në vetëm 177 mijë gjatë vitit të kaluar.
Vende bosh dhe nisje të rralla
Hapësira përpara ndërtesës së verdhë të stacionit hekurudhor në Zelenikovë ishte zbukuruar me vazo lulesh dhe stola të rinj. Pranë saj ishte ndërtuar edhe një parking me kapacitet për rreth 15 automjete.
Sipas një banori të zonës, në vendin ku sot ndodhet parkingu më parë kishte një deponi të paligjshme mbeturinash, e cila ishte pastruar dhe rregulluar përpara nisjes së funksionimit të trenit të qytetit.
Megjithëse banorët janë të informuar për ekzistencën e linjës hekurudhore, shumica vazhdojnë ta përdorin autobusin, kryesisht për shkak të zakonit dhe përparësive që ofron ky transport.
Autobusët qarkullojnë më shpesh, stacionet e tyre ndodhen më afër vendbanimeve, ndërsa pensionistët, studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme përfitojnë nga transporti falas. Këto lehtësime nuk vlejnë për transportin hekurudhor.
Nëse udhëtimi drejt Zelenikovës ishte zhvilluar pa asnjë pasagjer tjetër, situata ndryshoi gjatë kthimit.
Rreth 15 pasagjerë hipën në trenin që u nis nga Zelenikova në orën 08:30, ndërsa dhjetë të tjerë iu bashkuan gjatë rrugës, në stacionin e Draçevës. Në Lisiçe nuk hipi asnjë pasagjer.
Mes udhëtarëve kishte pensionistë, studentë dhe qytetarë që nxitonin për në punë. Të gjithë personat me të cilët bisedoi ekipi i BIRN-it jetonin shumë pranë stacioneve hekurudhore.
“Kjo është hera e parë që shoh kaq shumë pasagjerë”, tha një studente që e përdor rregullisht trenin.
Sipas saj, udhëtimi deri në Shkup zgjat rreth gjysmë ore, pothuajse dy herë më pak sesa me autobus në të njëjtën linjë.
Megjithatë, ajo shpjegoi se për t’u kthyer në shtëpi do të përdorte autobusin, pasi orari i trenit nuk përputhej me nevojat e saj.
Aktualisht, treni i qytetit ka tetë nisje nga Shkupi dhe po aq nga Zelenikova. Intervali më i shkurtër ndërmjet dy nisjeve nga i njëjti stacion është një orë e gjysmë, ndërsa më i gjati arrin deri në katër orë.
Një tjetër arsye për interesimin e ulët është mungesa e integrimit të transportit hekurudhor me atë me autobus.
Biletat mujore të autobusëve nuk vlejnë për trenin, çka ua pamundëson qytetarëve përdorimin e të dyja mjeteve të transportit me të njëjtën biletë.
Përveç kësaj, treni nuk ofron hapësira të përshtatshme për transportimin e biçikletave, ndërsa shumica e stacioneve hekurudhore ndodhen larg zonave të banuara.
Vetëm në Zelenikovë dhe Oreshan hekurudha kalon pranë vendbanimeve. Megjithatë, këto dy fshatra së bashku kanë më pak se 2.000 banorë, të cilët janë ndër të paktët që përfitojnë drejtpërdrejt nga një linjë e rregullt hekurudhore.
Një projekt i kushtueshëm me pak pasagjerë
Ideja për vendosjen e trenit të qytetit në Shkup është më shumë se katër dekada e vjetër.
Ajo lindi gjatë krizës së naftës në vitet ’80, kur mungesa e karburanteve për automjetet nxori në pah nevojën për zgjerimin e sistemit të transportit publik në kryeqytet.
Sot, treni i qytetit shihet si një alternativë më miqësore me mjedisin, e cila synon të zvogëlojë numrin e automjeteve në rrugët e Shkupit dhe të lehtësojë trafikun.
Pikërisht për këtë arsye, Qeveria aktuale ka ndërmarrë hapa më konkretë për realizimin e projektit.
Baza e tij është një studim fizibiliteti i përgatitur gjatë vitit të kaluar, i cili ende nuk është bërë publik.
Nga informacionet e deritanishme dihet se projekti parasheh tri degë hekurudhore, të cilat do të nisen nga Stacioni Hekurudhor i Shkupit në tri drejtime: Miladinovc, Gjorçe Petrov dhe Zelenikovë.
Aktualisht funksionon vetëm linja drejt Zelenikovës.
Për dy linjat e tjera parashikohet rinovimi i infrastrukturës hekurudhore, ndërsa për realizimin e punimeve është shpallur tender.
Synimi përfundimtar është krijimi i një sistemi të integruar të transportit publik, ku treni i qytetit do të funksionojë në koordinim me autobusët e Ndërmarrjes së Transportit Publik të Shkupit (JSP) dhe, në të ardhmen, me sistemin e ri të transportit të shpejtë me autobusë (BRT).
Megjithatë, realizimi i këtij vizioni kërkon blerjen e trenave dhe autobusëve të rinj, si dhe një riorganizim të plotë të linjave ekzistuese të transportit publik.
Deri atëherë, treni i qytetit mbetet i kufizuar në një linjë të vetme, e cila funksionon e shkëputur nga pjesa tjetër e sistemit dhe u shërben relativisht pak qytetarëve.
“Ky zbatim e vret idenë e trenit të qytetit”, vlerëson me zhgënjim inxhinieri i komunikacionit Dejan Trpevski, i cili është një mbështetës i fuqishëm i këtij modeli transporti.
Ai e konsideron të pakuptueshme vendimin për të vënë në funksion vetëm linjën drejt Zelenikovës, pa e përfunduar paraprakisht të gjithë sistemin.
Sipas tij, që një tren të funksionojë realisht si transport urban, duhet të ketë nisje të shpeshta, mundësisht çdo dhjetë minuta, dhe të mos konkurrojë drejtpërdrejt me linjat e autobusëve.
Në rastin konkret, kjo do të nënkuptonte riorganizimin e plotë të transportit publik në zonat e Zelenikovës, Draçevës dhe Lisiçes.
Linjat ekzistuese të autobusëve që lidhin këto vendbanime me qendrën e Shkupit do të duhej të zëvendësoheshin me linja të reja, të cilat do t’i transportonin qytetarët nga lagjet dhe vendbanimet përreth drejt stacioneve hekurudhore.
Në këtë mënyrë, treni do të bëhej boshti kryesor i transportit, ndërsa autobusët do të shërbenin si lidhje plotësuese.
“Tani, kur keni një kosto jashtëzakonisht të lartë për çdo pasagjer të transportuar, ju vetëm po krijoni shpenzime”, paralajmëron Trpevski.
Tren qyteti në një sistem hekurudhor që mezi funksionon
Në orët kur rrugët e Shkupit përballen me ngarkesën më të madhe të trafikut, ekipi i BIRN-it u kthye në Stacionin Hekurudhor për të realizuar një tjetër udhëtim me trenin e qytetit.
Treni u nis në orën 16:20 dhe, ndryshe nga udhëtimi i mëngjesit, këtë herë nuk ishte bosh.
Rreth 20 pasagjerë udhëtuan përgjatë linjës drejt Zelenikovës, megjithëse treni ka kapacitet për rreth 200 persona.
Mes tyre ishin edhe dy baballarë me fëmijët e tyre, të cilët kishin vendosur të bënin një udhëtim familjar me tren, më shumë për kënaqësi sesa për nevoja të përditshme transporti.
Gjatë kthimit drejt Shkupit, përveç ekipit të BIRN-it dhe dy familjeve, në tren hipi vetëm një pasagjer tjetër.
Në mes të itinerarit, në stacionin hekurudhor Jane Sandanski, që ndodhet ndërmjet Oreshanit dhe Draçevës, treni i qytetit ndaloi për t’i lëshuar rrugën trenit ndërqytetas që udhëtonte drejt Gjevgjelisë.
Para ndërtesës së stacionit ishin vendosur elemente të reja infrastrukturore, ndërsa ishte asfaltuar edhe rruga që lidhte aksin lokal me hyrjen e pjerrët të stacionit.
Falë asfaltimit, dy automjete kishin arritur deri pranë shinave. Njëri prej tyre ishte parkuar aq afër hekurudhës, saqë treni nuk mund të vazhdonte udhëtimin drejt Shkupit.
Pasoi një debat dhe përpjekje për të gjetur pronarin e automjetit, ndërsa pasagjerët u detyruan të prisnin.
Më në fund, pas një vonese prej gati gjysmë ore, treni mbërriti në Stacionin Hekurudhor të Shkupit.
Punonjësit e hekurudhës dukeshin të nervozuar.
I nervozuar ishte edhe një pensionist që priste në platformë trenin nga Manastiri, i cili ishte vonuar dy orë.
Atë ditë, ashtu si gjatë muajit të kaluar, disa nga trenat lokalë drejt Velesit nuk qarkullonin fare. Probleme të tilla ishin shfaqur pothuajse që nga fillimi i funksionimit të trenit të qytetit.
Ndërmarrja shtetërore Hekurudhat e Maqedonisë – Transport, përgjegjëse për transportin hekurudhor, nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it lidhur me arsyet e anulimit të nisjeve.
Institucioni nuk ofroi as të dhëna për numrin e biletave mujore të shitura për trenin e qytetit dhe as informacione për masat që planifikon të ndërmarrë për të tërhequr më shumë pasagjerë.
Kur gazetarët iu afruan sportelit të biletave, mësuan se as treni i mesditës drejt Kumanovës nuk ishte nisur.
“Mos u mbështetni tek orari, sepse nuk respektohet”, i paralajmëruan punonjësit e hekurudhës.
Në gjithë këtë situatë, treni i qytetit mbetej përjashtimi.
Një tren që qarkullon, por që ende nuk ka arritur të bëhet pjesë e domosdoshme e përditshmërisë së qytetarëve.




