Bërvenica voton të dielën; pse këto nuk janë zgjedhje të zakonshme për kryetar komune?

    Raundi i parë i zgjedhjeve në Bërvenicë do të shërbejë si një lloj sondazhi për të matur mbështetjen ndaj partive politike, ndërsa raundi i dytë mund të shndërrohet në një provë për koalicionin qeverisës dhe për partneritetet e mundshme politike në nivel shtetëror. Kështu vlerëson analisti dhe gazetari Xhelal Neziri, shkruan 360 Gradë, përcjell Nistori.

    Sipas të dhënave për popullsinë rezidente, shqiptarët përbëjnë shumicën në Komunën e Bërvenicës, me 54,06 për qind, ndërsa maqedonasit përbëjnë 45,38 për qind. Megjithatë, në zgjedhjet lokale të viteve 2021 dhe 2025, drejtimin e kësaj komune e fitoi një kandidat maqedonas.

    Për disa ishte një surprizë e këndshme, për të tjerë jo, por fitorja e Jovica Ilievskit në zgjedhjet lokale të vitit 2021 në Bërvenicë, një komunë me shumicë shqiptare, ishte padyshim e papritur.

    E njëjta gjë ndodhi edhe vitin e kaluar, kur Ilievski arriti ta përsëriste suksesin e tij elektoral.

    “Le të dëshmojmë se Komuna e Bërvenicës është një komunë e përbashkët, e maqedonasve, shqiptarëve dhe e të gjithë të tjerëve”, kishte deklaruar Ilievski në fillim të mandatit të tij të dytë.

    Ai arriti të fitonte dy herë, duke befasuar skenën politike lokale. Megjithatë, në qershor të këtij viti, Ilievski ndërroi jetë papritur.

    Humbja e tij është e pazëvendësueshme për familjen, ndërsa Komuna e Bërvenicës tani përballet me nevojën për të zgjedhur një kryetar të ri.

    Në këtë komunë, numri i votuesve të regjistruar në listën zgjedhore është më i madh se numri i banorëve rezidentë. Përbërja etnike mbetet një faktor i rëndësishëm në analizën e rezultateve zgjedhore, pasi shpesh ndikon në përcaktimin e mbështetjes për partitë dhe kandidatët.

    Duke pasur parasysh këtë realitet, ekipi i emisionit “360 Gradë” vizitoi dy vendbanime të komunës për të dëgjuar pritshmëritë e qytetarëve nga kryetari i ardhshëm.

    Çfarë kërkojnë banorët e Çellopekut?

    Për banorët e Çellopekut, infrastruktura, kushtet e jetesës dhe largimi i të rinjve janë ndër shqetësimet kryesore.

    “Rrugët duhet të përmirësohen, kushtet e jetesës duhet të jenë më të mira, veçanërisht për nxënësit dhe shkollat. Infrastruktura duhet të përmirësohet. Të rinjtë tanë kanë shkuar jashtë vendit dhe kjo është shumë keq. Fshati është zbrazur, shtëpitë kanë mbetur bosh”, deklaroi një banor i Çellopekut.

    Një tjetër banor ngriti shqetësimin për gjendjen e rrugëve bujqësore dhe mungesën e sinjalistikës në vendbanime.

    “Shumë rrugë që çojnë drejt arave janë të dëmtuara. Banorët merren me bujqësi, prandaj ato duhet të pastrohen dhe të rregullohen që njerëzit të mund të lëvizin lirshëm. Gjithashtu, mungojnë tabelat orientuese në vendbanime. Për shembull, nëse vjen një i huaj, nuk do të dijë si të orientohet në një fshat pa tabela”, tha ai.

    Gjatë qëndrimit në Çellopek, ekipi i “360 Gradë” vuri re se ishte e vështirë të takoje të rinj në rrugët e fshatit.

    Një banor tjetër theksoi nevojën për hapjen e vendeve të punës, si mënyrë për ta frenuar emigrimin.

    “Duhet të ndërtohet ndonjë fabrikë, që njerëzit të punësohen. Kjo është më e rëndësishmja, që të mos largohemi edhe ne pensionistët, sepse të rinjtë tashmë kanë ikur”, u shpreh ai.

    I pyetur se përse do të largoheshin edhe të moshuarit, ai u përgjigj:

    “Do të largohemi sepse nuk kemi kushte për të jetuar”.

    Banorët e Bërvenicës kërkojnë shërbime më të mira dhe vazhdimësi të projekteve

    Nga Çellopeku, ekipi i “360 Gradë” udhëtoi drejt fshatit Bërvenicë.

    Disa banorë shprehën vlerësime pozitive për punën e kryetarit të ndjerë, Jovica Ilievski, por njëkohësisht theksuan problemet që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.

    “Presim që kryetari i ardhshëm të vazhdojë në gjurmët e tij, të mos bëjë dallime në bazë të kombësisë apo fesë. Presim që në këtë fshat, nëse është e mundur, të ndërtohet edhe një objekt tjetër fetar. Edhe fshatrat e tjera duhet të kenë objekte të tilla”, tha një banor.

    Ndërkohë, një tjetër qytetar shprehu zhgënjimin e tij ndaj politikës.

    “Ashtu siç na kanë gënjyer të gjithë më parë, edhe këta po na gënjejnë. Nuk i besoj më askujt. Të gjithë e kanë humbur besimin tim”, deklaroi ai.

    I pyetur se çfarë duhet të bëjë kryetari i ardhshëm i komunës, ai theksoi rëndësinë e shërbimeve publike.

    “Gjëja e parë që duhet të bëjë është të rregullojë shërbimet. Ato janë më të rëndësishmet për jetën e njerëzve. Pastaj vijnë rinovimet dhe investimet e tjera. Sa i përket ndërtimeve, po ndërtohet gjithçka”, u shpreh banori.

    Një tjetër qytetar ngriti shqetësimin për cilësinë e punimeve infrastrukturore.

    “E ndërtuan rrugën, por shikoni, dy makina kanë rënë në këtë gropë. Natën këtu kalojnë edhe fëmijë. Rruga thuhet se është ndërtuar dhe përfunduar, por gropat kanë mbetur të pariparuara. Kujt duhet t’i ankohemi?”, pyeti ai.

    Gjashtë kandidatë në garë për drejtimin e Bërvenicës

    Në zgjedhjet e parakohshme lokale për kryetar të Komunës së Bërvenicës garojnë gjashtë kandidatë.

    Stojançe Radiçevski: Investime në kopshte dhe përmirësim i shërbimeve sociale

    Nën sloganin “Një Bërvenicë për të gjithë”, kandidati i VMRO-DPMNE-së, Stojançe Radiçevski, avokat dhe magjistër i drejtësisë, kërkon mbështetjen e qytetarëve.

    Një nga prioritetet kryesore të programit të tij është përmirësimi i kushteve në institucionet parashkollore.

    “Një nga projektet kryesore është ndërtimi i një kopshti në Çellopek. Gjithashtu, planifikojmë përfundimin e kopshtit në Bërvenicë dhe zgjerimin e kapaciteteve të tij për rreth 50 fëmijë të tjerë. Në këtë zonë do të ndërtohet edhe një kopsht tjetër, besoj në Radiovcë, i cili do t’u shërbejë edhe vendbanimeve Stençe, Vollkovi, Tenovë dhe Radiovcë”, deklaroi Radiçevski.

    Kryetari i ndjerë, Jovica Ilievski, kishte arritur të fitonte dy mandate, ndër të tjera edhe falë mbështetjes së një pjese të elektoratit shqiptar.

    I pyetur nëse pret mbështetje të ngjashme, Radiçevski u shpreh:

    “Sigurisht. Ne do ta vazhdojmë këtë traditë dhe do t’i kultivojmë marrëdhëniet ndëretnike. Kam shumë miq shqiptarë, me të cilët takohem dhe pi kafe çdo ditë. Pres mbështetje nga maqedonasit, shqiptarët, turqit dhe të gjithë qytetarët që jetojnë në komunën tonë”.

    Jovica Radeski: Kanalizim, shtëpi për të moshuarit dhe infrastrukturë

    Kandidati i LSDM-së, Jovica Radeski, i renditur me numrin dy në fletëvotim, garon nën sloganin “Luftojmë për Bërvenicën”.

    Me profesion veteriner dhe me rreth dy dekada përvojë, Radeski thotë se vendimi për të kandiduar buron nga kontakti i përditshëm me qytetarët dhe njohja e problemeve të tyre.

    “Një pjesë e programit tonë ka të bëjë me ndërtimin e rrjetit të kanalizimit fekal në Vollkovi. Është e papranueshme që në shekullin XXI banorët të përballen ende me këtë problem. Synojmë që këtë projekt ta realizojmë gjatë vitit të parë. Gjithashtu, planifikojmë ndërtimin e një shtëpie për të moshuarit në Çellopek, krijimin e një shtegu për këmbësorë dhe çiklistë nga varrezat deri te lumi Vardar, ndriçimin e kësaj hapësire dhe ndërtimin e një objekti fetar në Bërvenicë”, deklaroi Radeski.

    I pyetur nëse pret mbështetje edhe nga votuesit shqiptarë, ai tha:

    “Siç e përmenda, prej 20 vjetësh jam në kontakt të përditshëm me bashkëqytetarët e mi. Kudo që shkoj, takoj edhe shqiptarë. Natyrisht, pres mbështetjen e tyre, ashtu si edhe të maqedonasve, që në raundin e parë”.

    Jakup Huseini: Transparenca, rinia dhe zhvillimi ekonomik

    Në zgjedhjet e fundit të rregullta lokale, në raundin e dytë në Bërvenicë u përballën kandidatët e VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, dy partnerëve të koalicionit qeverisës në nivel qendror.

    Në këto zgjedhje, VLEN-i mbështet Jakup Huseinin, magjistër i drejtësisë, i cili prej gjashtë vjetësh punon në administratën komunale.

    Nën moton “Një votë për Bërvenicën”, Huseini e ka ndërtuar programin e tij mbi katër shtylla kryesore.

    “Shtylla e parë është transparenca dhe qeverisja e hapur. Buxheti komunal do të hartohet përmes forumeve me qytetarët në të gjitha vendbanimet. Do t’u tregojmë se sa mjete ka komuna, nga vijnë ato dhe cilat janë burimet e jashtme të financimit. Në fund të vitit do të raportojmë për punën dhe shpenzimet e realizuara. Shtylla e dytë është rinia, ekonomia dhe zhvillimi. E treta lidhet me diasporën dhe mundësitë për zhvillim, ndërsa e katërta me mjedisin jetësor dhe nevojat infrastrukturore”, deklaroi Huseini.

    I pyetur nëse kërkon mbështetje edhe nga qytetarët maqedonas, ai theksoi se programi i tij përfshin të gjitha vendbanimet, pa dallime etnike.

    “Në programin tonë i kemi përfshirë të gjitha vendbanimet, pa bërë asnjë dallim. Çdo fshat do të marrë pjesën që i takon, në përputhje me madhësinë dhe nevojat e tij. Takohem dhe bisedoj me të gjithë qytetarët. Jemi një komunë e vogël dhe njerëzit presin punë, jo shumë fjalë”, u shpreh Huseini.

    Arkin Jahiji: Rrugët, shkollat dhe siguria e qytetarëve

    Kandidati i koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), të udhëhequr nga BDI-ja, është Arkin Jahiji, magjistër në administratën publike krahasuese të Bashkimit Evropian.

    Për Jahijin, kjo është gara e dytë për postin e kryetarit të Komunës së Bërvenicës.

    Programi i tij mbështetet në pesë shtylla, ndërsa ndër prioritetet kryesore veçon përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe investimet në arsim.

    “Ndër projektet kryesore janë rruga Stençe–Gurguricë, rruga në Çellopek dhe ndërtimi i rrugës anësore për këtë vendbanim. Prioritet është edhe rinovimi i shkollave në Tenovë dhe Miletinë. Ka shumë investime që nuk kërkojnë mjete të mëdha financiare, por vetëm vullnet për punë. Gjithashtu, duhet të ndërtojmë shtigje për lëvizjen e sigurt të qytetarëve në Radiovcë, Tenovë dhe Miletinë, ku ura duhet të rindërtohet sepse paraqet rrezik”, deklaroi Jahiji.

    Ashtu si kandidatët e tjerë, edhe Jahiji thotë se pret mbështetje nga qytetarët e të gjitha bashkësive etnike.

    “Në programin tonë kemi parashikuar projekte për çdo vendbanim, nga Gurgurica, Stençe, Vollkovia, Tenova, Radiovca, Bllaca, Miletina, Çellopeku dhe Bërvenica, deri në Sedllarcën e Poshtme. Duam t’ua lehtësojmë jetën të gjithë banorëve të komunës. Do të punojmë për të gjithë dhe dera jonë do të jetë e hapur për çdo qytetar”, deklaroi ai.

    Xhelal Neziri: Bërvenica mund të paralajmërojë aleanca të reja politike

    Edhe pse Bërvenica është një komunë relativisht e vogël dhe rurale, zgjedhjet e parakohshme lokale të 18 tetorit mund të kenë rëndësi shumë më të madhe sesa zgjedhja e kryetarit të ri.

    Sipas analistit dhe gazetarit Xhelal Neziri, këto zgjedhje duhet të shihen në kontekstin e zhvillimeve politike në nivel shtetëror dhe mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    “Ky kontekst politik i vendos zgjedhjet e parakohshme parlamentare në horizont. Të gjithë e dimë se ekziston mundësia që ato të mbahen në pranverë. Prandaj, zgjedhjet në Komunën e Bërvenicës mund të shërbejnë si një pasqyrë e gjendjes reale të secilës parti politike”, deklaroi Neziri.

    Sipas tij, raundi i parë do të shërbejë si një lloj sondazhi për të matur mbështetjen ndaj partive, ndërsa raundi i dytë mund të jetë një tregues i marrëdhënieve ndërpartiake dhe i bashkëpunimeve të mundshme në nivel shtetëror.

    “Le të supozojmë se në raundin e dytë kalojnë kandidatët e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Në atë rast, VLEN-i do të gjendej përballë nevojës për ta mbështetur partnerin e koalicionit qeverisës. Nëse ndodh e kundërta, pra nëse në raundin e dytë kalojnë kandidatët e VLEN-it dhe LSDM-së, atëherë do të ishte e natyrshme që VMRO-DPMNE-ja ta mbështeste kandidatin e VLEN-it”, shpjegoi Neziri.

    Ai vlerëson se rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të ndikojë edhe në raportet ndërmjet partive politike.

    “Partneriteti ndërmjet partive që përbëjnë koalicionin qeverisës do të vihet në provë. Por Bërvenica mund të shërbejë edhe për krijimin e aleancave të reja, të cilat mund të paralajmërojnë forma të tjera bashkëpunimi në nivel kombëtar. Gjithçka është në lojë dhe pikërisht për këtë arsye Bërvenica bëhet shumë e rëndësishme dhe interesante për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, shtoi Neziri.

    Dy kandidatët e pavarur nuk e pranuan ftesën për intervistë

    Emisioni “360 Gradë” njofton se ka kontaktuar dhe u ka dërguar ftesa për intervistë edhe dy kandidatëve të pavarur për kryetar të Komunës së Bërvenicës, por ata nuk e kanë pranuar ftesën.

    Megjithatë, edhe kandidatët e pavarur janë pjesë e garës zgjedhore dhe kërkojnë mbështetjen e qytetarëve.

    Raundi i parë i zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës do të mbahet të dielën, më 18 tetor 2026.

    Lajmi Paraprak

    Prindërit tepër mbrojtës mund të pengojnë pavarësinë e fëmijëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë