Rasti i Iva Mihajllovës, e cila u largua drejt Bullgarisë pavarësisht masave gjyqësore të vendosura ndaj saj në Maqedoninë e Veriut, po shndërrohet në një çështje të re diplomatike mes Shkupit dhe Sofjes, me paralajmërimin se përplasja do të bartet edhe para partnerëve ndërkombëtarë. Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se Maqedonia e Veriut do ta ngrejë rastin në kuadër të NATO-s dhe para partnerëve të Bashkimit Evropian, ndërsa një pjesë e provave që po grumbullohen gjatë hetimit do t’u prezantohen aleatëve. Nga ana tjetër, autoritetet bullgare kanë konfirmuar pranimin e kërkesës për arrestim dhe ekstradim, por kanë theksuar kufizimet ligjore për dorëzimin e shtetasve të tyre.
Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, deklaroi se institucionet maqedonase nuk do të heqin dorë nga përpjekjet për ta kthyer Mihajllovën dhe babanë e saj, për të cilin tha se ekziston një vendim dënues i shkallës së parë. Ai hodhi poshtë pretendimet se largimi i tyre ishte rezultat i ndonjë marrëveshjeje paraprake mes autoriteteve të dy vendeve.
“Ne kemi mekanizmat dhe mjetet tona për të vepruar në arenën ndërkombëtare. Kjo përpjekje e pasuksesshme i ka shkaktuar dëm të madh diplomatik Qeverisë në Sofje. Problemi ynë është që personat e larguar nga drejtësia t’i nxjerrim para saj. Herët apo vonë, kjo do të ndodhë”, deklaroi Mickoski. Kryeministri theksoi se hetimet për rrethanat e largimit janë ende në zhvillim dhe kërkoi që institucionet të lejohen ta përfundojnë punën e tyre përpara se provat të prezantohen ndërkombëtarisht.
“Një pjesë të provave do t’ua prezantojmë partnerëve tanë në NATO, për të treguar se si sillen vendet partnere në raste të këtilla. Kjo çështje nuk do të përfundojë kaq thjesht”, tha Mickoski, duke e cilësuar largimin e Mihajllovës si një ndërhyrje serioze. Ai njëkohësisht siguroi se përplasja me Bullgarinë nuk do ta ndryshojë orientimin strategjik të vendit. Sipas tij, Shkupi nuk do t’i braktisë përpjekjet për integrimin evropian, por do t’i intensifikojë kërkesat për takime, dialog dhe gjetjen e zgjidhjeve me Sofjen.
SOFJA MBËSHTETET NË KUSHTETUTË, EKSTRADIMI MBETET I PASIGURT
Pavarësisht kërkesave të Shkupit, qëndrimi i fundit zyrtar i autoriteteve bullgare nuk jep sinjale për dorëzimin e Mihajllovës. Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë, përmes një komunikate t, konfirmoi se kishte pranuar nga Interpol-Shkupi kërkesën për kërkim ndërkombëtar, arrestim dhe ekstradim të saj. Megjithatë, autoritetet bullgare sqaruan se deri në atë moment nuk ishte lëshuar një njoftim i kuq i Interpolit dhe se nuk kishin ndërmarrë veprime për përcaktimin e vendndodhjes së Mihajllovës në territorin bullgar.
Sofja iu referua nenit 25, paragrafi 4 të Kushtetutës bullgare, sipas të cilit shtetasit e saj nuk mund t’u dorëzohen shteteve të tjera për ndjekje penale, përveç rasteve të parashikuara me marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara dhe në fuqi.
Autoritetet përmendën gjithashtu Konventën Evropiane për Ekstradimin, e cila u njeh shteteve të drejtën të refuzojnë ekstradimin e shtetasve të tyre. “Çdo palë kontraktuese ka të drejtë të refuzojë ekstradimin e shtetasve të saj”, thuhet në dispozitën e Konventës Evropiane, të cilës i referohet MPB-ja bullgare. Meqenëse Mihajllova posedon shtetësi të dyfishtë, maqedonase dhe bullgare, kjo dispozitë paraqet një pengesë të rëndësishme për kërkesën e Shkupit. Megjithatë, komunikata bullgare nuk përbën një vendim gjyqësor përfundimtar mbi ekstradimin.
GERB-i E KTHEN NË DEBAT RASTIN E GRUEVSKIT
Përplasja ka marrë edhe një dimension të ri politik pas reagimit të deputetit bullgar Hristo Gaxhev, nga partia GERB, i cili e ndërlidhi çështjen e Mihajllovës me rastin e ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, që ndodhet në Hungari. Gaxhev propozoi që ekstradimi i Mihajllovës të kushtëzohet me kthimin e Gruevskit nga Hungaria në Maqedoninë e Veriut dhe fillimin e vuajtjes së dënimit me burg. Në të njëjtën kohë, ai argumentoi se dy rastet nuk janë juridikisht të krahasueshme, pasi Mihajllova ende nuk është dënuar, ndërsa Gruevski ka një dënim me burg që nuk po e vuan në vend.
Deputeti bullgar kritikoi edhe deklaratat e kryeministrit Mickoski për përgjegjësinë e Mihajllovës, duke rikujtuar parimin e prezumimit të pafajësisë. Sipas këtij parimi, barra për dëshmimin e fajësisë i takon prokurorisë, ndërsa personi ndaj të cilit zhvillohet procedura konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia të vërtetohet sipas ligjit.
LSDM: KUFIJTË SI “DJATHË ZVICERAN”, ASKUSH NUK MBAN PËRGJEGJËSI
Ndërkohë, opozita maqedonase e ka zhvendosur vëmendjen te përgjegjësia e institucioneve vendase për mënyrën se si Mihajllova arriti të largohej nga shteti. LSDM-ja akuzoi ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe kryeministrin Mickoski për mungesë përgjegjësie dhe mbrojtje të ndërsjellë politike. “Kufiri është si djathë zviceran, sipas vetë pranimit të Toshkovskit, por ai, si ministër që drejton policinë dhe është përgjegjës për kufirin, është i mbrojtur”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga kjo parti kritikuan edhe deklaratën e Mickoskit se personat e kërkuar do të dalin para drejtësisë “herët apo vonë”, duke vlerësuar se një formulim i tillë nuk jep përgjigje për përgjegjësinë aktuale të institucioneve. LSDM-ja e ndërlidhi rastin edhe me çështje të tjera që kanë shkaktuar polemika politike. “Policia, në vend që t’i shërbejë popullit, i shërben bandës”, akuzoi LSDM-ja, duke paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi para një gjyqësori të pavarur.
NGA NJË AKSIDENT FATAL NË PËRPLASJE DIPLOMATIKE
Rasti i Iva Mihajllovës lidhet me një aksident trafiku me pasoja fatale, për të cilin ndaj saj zhvillohet procedurë gjyqësore në Maqedoninë e Veriut. Largimi i saj drejt Bullgarisë, pavarësisht masave të kujdesit që përfshinin konfiskimin e pasaportave, ngriti pikëpyetje për mënyrën e kalimit të kufirit dhe funksionimin e mekanizmave të kontrollit.
Pas shfaqjes së saj në Bullgari, Gjykata Themelore në Koçan caktoi masën e paraburgimit, ndërsa autoritetet maqedonase nisën procedurat për kërkimin ndërkombëtar. Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut thirri gjithashtu ambasadorin bullgar në Shkup për sqarime lidhur me rastin. /Koha/




