Studentët në Maqedoninë e Veriut mësojnë nga fotokopjet!

    Fotografia është krijuar me ndihmën e Intelegjencës Artificiale (IA) për të ilustruar artikullin

    Studentët në vend, përveç tarifave të studimeve, transportit, ushqimit dhe shpenzimeve të tjera të përditshme, përballen edhe me kosto të konsiderueshme për sigurimin e literaturës dhe materialeve të nevojshme mësimore. Librat, skriptet, fotokopjet dhe prezantimet janë pjesë e rëndësishme e procesit të studimit, por sigurimi i tyre shpesh paraqet një sfidë financiare, veçanërisht për studentët që varen nga mbështetja ekonomike e familjeve të tyre.

    Për vite me radhë, studentët janë mbështetur kryesisht te librat e kopjuar, tekstet shkollore, skriptat dhe prezantimet e profesorëve. Për të ulur shpenzimet, një pjesë e tyre zgjedhin t’i blejnë materialet nga studentët e gjeneratave të mëparshme, në vend që të sigurojnë botime të reja. Ndërkohë, me zhvillimin e teknologjisë dhe qasjen më të lehtë në internet, vitet e fundit shumë materiale studimore janë bërë të disponueshme në format digjital, shpesh pa pagesë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se studentët nuk kanë më shpenzime për literaturën.

    Zakonisht, gjatë një viti akademik, studentët ndjekin rreth tetë lëndë, disa prej të cilave mund të ndahen në module të veçanta gjatë dy semestrave. Nëse për secilën lëndë nevojiten mesatarisht nga 160 deri në 200 faqe material mësimor dhe çmimi i një faqeje të fotokopjuar varion nga dy deri në katër denarë, kostoja totale mund të bëhet e konsiderueshme. Kjo do të thotë se edhe materialet që në pamje të parë duken të lira mund të përbëjnë një shpenzim të madh kur mblidhen gjatë gjithë vitit akademik.

    Dallime në shpenzime vërehen edhe ndërmjet fakulteteve. Sipas të dhënave të përllogaritura, studentët e Fakultetit Ekonomik shpenzojnë rreth 3.520 denarë për literaturë, ata të Fakultetit Filologjik rreth 2.000 denarë, ndërsa studentët e Fakultetit të Mjekësisë mund të shpenzojnë deri në 6.579 denarë. Ndërkaq, studentët e Fakultetit Juridik raportojnë shpenzime që variojnë nga 3.000 deri në 4.000 denarë. Këto dallime mund të lidhen me natyrën e studimeve, numrin e faqeve që kërkohen për përgatitjen e provimeve dhe nevojën për literaturë shtesë, që do të thotë për një vit akademik dyfishohet çmimi.

    Albana Xhaferi studente e fakultetit juridik në UEJL, thotë për gazetën KOHA se vetëm për libra, skripte dhe materiale gjatë një semestri ajo shpenzon rreth 3.000 denarë. “Gjatë një semestri shpenzoj rreth 3.000 denarë vetëm për libra, skripta dhe materiale të tjera mësimore, që për një vit akademik arrijnë në rreth 6.000 denarë. Edhe pse disa materiale mund t’i gjejmë online, shpesh është më praktike t’i kemi të printuara, për të mësuar dhe për t’u përgatitur për provime”, u shpreh ajo.

    Ajo po ashtu shtoi se, kur këto shpenzime bashkohen me transportin, ushqimin dhe nevojat e tjera të përditshme, ato bëhen një barrë e konsiderueshme për ne si studentë. Shpesh duhet të planifikojmë me kujdes buxhetin dhe të kursejmë nga gjëra të tjera për të siguruar materialet e nevojshme për studime. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Arsimi në RMV gjithnjë e më pak prioritet, shteti shkurton financimin dhe thellon hendekun me BE-në

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë