Maqedonia e Veriut ka reduktuar peshën e shpenzimeve publike për arsimin nga rreth 4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2015, në 3,2 për qind në vitin 2024. Brenda një dekade, financimi i arsimit ka humbur rreth 0,8 pikë përqindjeje në raport me ekonominë, një rënie relative prej afërsisht 20 për qind. Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se shpenzimet publike për arsimin përbënin 4 për qind të PBB-së në vitin 2015. Në vitin 2022, ky tregues kishte zbritur në 3.8 për qind , ndërsa sipas raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, në vitin 2024 shpenzimet për arsimin dhe trajnimin ranë më tej në 3.2 për qind të PBB-së, nga 3.7 për qind një vit më parë. Rënia e financimit është shoqëruar me një zgjerim të hendekut me Bashkimin Europian.
Në vitin 2024, shpenzimet publike për arsimin në BE arritën në 4.7 për qind të PBB-së, rreth 1.5 pikë përqindjeje më shumë se në Maqedoninë e Veriut. Për të arritur këtë nivel, vendi do të duhej të rriste financimin për arsimin me afro 47 për qind kundrejt nivelit të vitit 2024. Rënia nuk është e dukshme vetëm në raport me PBB-në. Sipas Komisionit Evropian, pjesa e buxhetit shtetëror e destinuar për arsimin ra nga 11.7 për qind në vitin 2023, në 9.2 për qind në vitin 2024. Kjo do të thotë se arsimi ka humbur peshë edhe brenda shpenzimeve publike, në një kohë kur sistemi përballet me probleme të vazhdueshme të cilësisë dhe rezultateve të nxënësve.
Banka Botërore, në raportin për financat publike të Maqedonisë së Veriut, vëren se shpenzimet për arsimin kanë rënë në afat të gjatë dhe se efikasiteti i përdorimit të fondeve mbetet një problem. Sipas raportit, një pjesë e madhe e burimeve shkon për paga dhe shpenzime rrjedhëse, ndërsa investimet kapitale në shkolla mbeten të kufizuara. Kjo strukturë e shpenzimeve kufizon mundësitë për rinovimin e ndërtesave shkollore, pajisjen me teknologji dhe përmirësimin e kushteve të mësimdhënies. Në raportin e saj, Banka Botërore evidenton gjithashtu se rrjeti shkollor dhe mënyra e shpërndarjes së fondeve kërkojnë përmirësime, në mënyrë që burimet publike të përdoren më mirë. Financimi më i ulët vjen në një kohë kur rezultatet e arsimit mbeten shqetësuese.
Komisioni Evropian konstaton se rezultatet e nxënësve të Maqedonisë së Veriut në testimet ndërkombëtare PISA kanë shënuar rënie në të gjitha fushat. Në të njëjtën kohë, arsimi i lartë përballet me programe të vjetruara dhe me mospërputhje mes aftësive të të diplomuarve dhe kërkesave të tregut të punës. Këto dobësi ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e ekonomisë për të krijuar vende pune me produktivitet dhe paga më të larta. Kur sistemi arsimor nuk përgatit mjaftueshëm të rinj me aftësi të përshtatshme, bizneset përballen me vështirësi në gjetjen e punonjësve të kualifikuar, ndërsa mundësitë për zhvillimin e sektorëve me vlerë të shtuar më të lartë mbeten të kufizuara. Diferenca me Bashkimin Evropian nuk matet vetëm me përqindjen e PBB-së.
Ekonomitë me të ardhura më të larta kanë më shumë burime financiare për të investuar për nxënës, në laboratorë, pajisje digjitale dhe formim profesional. Për rrjedhojë, një nivel më i ulët financimi në Maqedoninë e Veriut shoqërohet edhe me kufizime në burimet që mund të vihen në dispozicion të shkollave dhe studentëve. Përgjatë dekadës së fundit, pesha e arsimit në ekonominë e Maqedonisë së Veriut është zvogëluar, ndërsa rezultatet e dobëta dhe hendeku me standardet evropiane vazhdojnë të jenë sfida të rëndësishme. Të dhënat e financimit tregojnë se arsimi nuk ka fituar peshë në shpenzimet publike, pavarësisht rolit të tij në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe rritjen afatgjatë të ekonomisë.
MË MIRË SE SHQIPËRIA, NJËSOJ SI TURQIA
Sa i takon rajonit, Maqedonia renditet e dyta, së bashku me Turqinë, për shpenzimet në arsim, pas Shqipërisë e cila kryeson listën e vendeve me shpenzimet më të ulta, me vetëm 3.1 për qind të PBB-së. Por diferenca është e lartë edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbinë 3.4 për qind dhe me Bosnjë Hercegovinën që shpenzon gati 4 për qind sipas të dhënave të Eurostat dhe Bankës Botërore. Njëjtë edhe Greqia – 3.9 për qind. Ndërsa diferenca me vendet e tjera evropiane, sidomos me pjesën veriore është e lartë. Shpenzimet më të larta janë në Suedi 7.3 për qind, Islandë 7 për qind dhe Finlandë. /Koha/




