Ndërtesat e reja po ngrihen, investimet në sektorin e banesave vazhdojnë, por në Dibër po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjenden punëtorë ndërtimi. Emigrimi i vazhdueshëm ka tkurrur fuqinë punëtore vendase, duke i detyruar investitorët të kërkojnë zgjidhje përtej kufirit, në Shqipëri. Megjithatë, edhe kur punëtorët gjenden, bizneset përballen me një pengesë tjetër: procedurat e ndërlikuara dhe vonesat në pajisjen me leje qëndrimi dhe dokumentacionin e nevojshëm për punë. Kështu, në një qytet ku kufiri është vetëm pak kilometra larg, mungesa e fuqisë punëtore po shoqërohet me barriera administrative që, sipas investitorëve, rrezikojnë të ngadalësojnë aktivitetin ndërtimor.
Investimet në ndërtimin e objekteve të banimit vazhdojnë të jenë të pranishme në Dibër, por sigurimi i punëtorëve është shndërruar në një nga sfidat kryesore për kompanitë ndërtimore. Largimi i banorëve drejt vendeve të Evropës Perëndimore ka ndikuar në zvogëlimin e numrit të punëtorëve të disponueshëm, ndërsa kërkesa për fuqi punëtore mbetet e lartë. Për ta kapërcyer këtë mungesë, një pjesë e investitorëve kanë angazhuar punëtorë nga Shqipëria, të cilët, falë afërsisë gjeografike, përbëjnë një alternativë të rëndësishme për tregun lokal të punës. Mirëpo, sipas përfaqësuesve të sektorit, procedurat për rregullimin e qëndrimit dhe punësimit të tyre vazhdojnë të krijojnë vështirësi.
Investitori i njohur dibran, Faton Daci, i cili po ndërton kompleksin e banimit “Plisi” në Dibër, thotë për gazetën KOHA se mungesa e punëtorëve dhe pengesat administrative janë probleme që kërkojnë ndërhyrje të shpejtë institucionale. “Dibra është qytet kufitar. Afërsia me Shqipërinë ka krijuar prej vitesh lidhje të forta ekonomike, familjare dhe shoqërore mes dy anëve të kufirit. Sot, shumë qytetarë nga Shqipëria punojnë në Dibër të Maqedonisë së Veriut. Ata janë pjesë e fuqisë punëtore që i nevojitet qytetit dhe kontribuojnë çdo ditë në bizneset dhe ekonominë lokale. Por ekziston një problem që nuk mund të vazhdojë të neglizhohet: shumë prej këtyre punëtorëve hasin vështirësi të mëdha për t’u pajisur me leje qëndrimi dhe dokumentacionin e nevojshëm për punësim të rregullt”, deklaron Daci.
Sipas tij, zvarritja e procedurave administrative krijon pasiguri si për punëtorët, ashtu edhe për kompanitë që kanë nevojë për angazhimin e tyre. “Si pasojë, njerëz që duan të punojnë në mënyrë të ligjshme përfundojnë duke punuar në informalitet. Kjo nuk është në interes të askujt. Nuk është në interes të punëtorit, i cili mbetet pa sigurinë dhe mbrojtjen që i garanton puna e rregullt. Nuk është në interes të biznesit, i cili ka nevojë për punëtorë, por përballet me procedura të gjata dhe të komplikuara. Dhe nuk është as në interes të shtetit, i cili humbet të ardhura dhe kontroll mbi tregun e punës”, thekson investitori dibran. Daci shton se ka pasur raste kur punëtorët kanë nisur procedurat për sigurimin e dokumentacionit, por shqyrtimi i kërkesave është zvarritur për një kohë të gjatë, duke i lënë ata në pasiguri për statusin e tyre.
Përballë kësaj situate, investitorët kërkojnë nga institucionet kompetente të Maqedonisë së Veriut që të thjeshtojnë procedurat dhe të krijojnë kushte më të favorshme për punësimin e ligjshëm të shtetasve të Shqipërisë, veçanërisht të atyre që vijnë nga zonat kufitare.
Daci thotë se kërkesat e tyre janë konkrete dhe synojnë eliminimin e pengesave administrative që vështirësojnë funksionimin e bizneseve. “U bëjmë thirrje institucioneve kompetente të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht atyre përgjegjëse për punësimin dhe qëndrimin e shtetasve të huaj, që të thjeshtojnë procedurat për punëtorët nga Shqipëria, të përcaktojnë afate të qarta për shqyrtimin e aplikimeve dhe të shmangin vonesat e panevojshme administrative. Gjithashtu, kërkojmë të krijohet një procedurë sa më praktike për qytetarët e zonave kufitare, në mënyrë që punëtorët që plotësojnë kushtet ligjore të mund të punojnë të deklaruar dhe me të gjitha të drejtat, ndërsa bizneset e Dibrës të kenë mundësi të punësojnë ligjërisht fuqinë punëtore që u nevojitet”, shprehet ai.
Investitori thekson se komuniteti i biznesit nuk kërkon trajtim të privilegjuar, por një sistem administrativ që funksionon dhe u përgjigjet nevojave reale të tregut të punës. “Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë vetëm një procedurë funksionale, të drejtë dhe të zbatueshme, që u mundëson njerëzve të punojnë ligjërisht dhe bizneseve të zhvillojnë aktivitetin e tyre pa pengesa të panevojshme”, shton Daci. Për investitorët dibranë, afërsia me Shqipërinë përbën një mundësi ekonomike që duhet shfrytëzuar më mirë. Lidhjet tradicionale ndërmjet komuniteteve në të dyja anët e kufirit, sipas tyre, mund të ndihmojnë në zbutjen e mungesës së fuqisë punëtore dhe në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë lokale.
Daci vlerëson se formalizimi i punësimit të shtetasve të Shqipërisë do të sillte përfitime për të gjitha palët, duke filluar nga vetë punëtorët, të cilët do të gëzonin mbrojtje ligjore dhe sociale, e deri te bizneset dhe institucionet shtetërore. “Në një qytet si Dibra, ku kufiri me Shqipërinë është vetëm pak kilometra larg dhe ku lidhjet mes komuniteteve kanë ekzistuar prej dekadash, institucionet duhet ta marrin parasysh këtë realitet. Formalizimi i punëtorëve nga Shqipëria do të ishte në interes të punëtorëve, bizneseve, komunës dhe vetë shtetit. Dibra ka nevojë për punëtorë. Prandaj kërkojmë që ky problem të trajtohet seriozisht dhe të gjendet një zgjidhje konkrete dhe afatgjatë”, deklaron për gazetën Koha investitori Faton Daci.
Në një kohë kur sektori i ndërtimit vazhdon të tërheqë investime në Dibër, mungesa e fuqisë punëtore dhe vështirësitë për angazhimin e punëtorëve nga Shqipëria po shndërrohen në një sfidë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të qytetit.




