Mbi 38 mijë gra në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruara si fermere, por shumë prej tyre vazhdojnë të përballen me mungesë të qasjes së barabartë në siguri financiare, leje të lindjes, sigurim shëndetësor dhe mbrojtje sociale. Këto probleme ishin në qendër të diskutimit të zhvilluar dje në panelin „Varja pa emrin e saj: Gratë rurale dhe puna e padukshme“, të mbajtur në Shtëpinë e Evropës në Strumicë, përcjell Nistori.
Ngjarja u organizua në kuadër të fushatës „Vish Ndryshimin“, të iniciuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e shteteve anëtare të BE-së, si pjesë e një karvani kombëtar. Diskutimi shërbeu si hapësirë për të trajtuar pengesat sistemike dhe institucionale, si dhe paragjykimet dhe pabarazitë që ua kufizojnë grave në zonat rurale ushtrimin e të drejtave të tyre.
„Gratë fermere kontribuojnë në prodhimin e ushqimit dhe në ekonominë rurale, ndërkohë që shpesh mbajnë edhe përgjegjësinë për përkujdesjen ndaj familjes dhe punët e shtëpisë. Megjithatë, puna dhe kontributi i tyre shpesh mbeten jashtë kornizave formale ekonomike dhe institucionale. Veçanërisht shqetësuese është qasja në pronë dhe tokë. Në vitin 2021, vetëm 4,1 për qind e grave në zonat rurale ishin të regjistruara si pronare, ndërsa në nivel kombëtar vetëm 12 për qind e grave zotërojnë tokë“, thuhet në njoftimin e Europe House.
Gjatë diskutimit u trajtuan edhe shkaqet e këtyre pabarazive, përfshirë praktikat tradicionale të trashëgimisë. Megjithëse vajzat gëzojnë të drejtën ligjore të trashëgimisë, ato shpesh heqin dorë nga pjesa që u takon në favor të vëllezërve. Kjo praktikë ndikohet nga traditat e rrënjosura dhe nga bindja se, pas martesës, vajza bëhet pjesë e një familjeje tjetër.
Në panel morën pjesë Veronika Ioana Ciolca, zëvendësshefe e misionit në Ambasadën e Rumanisë; Lejla Rajkova, aktiviste për të drejtat e grave rurale dhe bujqësinë lokale; si dhe Liljana Jonovski, profesoreshë e asociuar në Fakultetin e Ekonomisë në Kërçovë dhe eksperte për përfshirjen e grave në jetën publike, me fokus të veçantë në zonat rurale. Diskutimi u moderua nga Andrea Ugrinoska, përfaqësuese e organizatës „Tiiiit! Inc.“
Panelistet diskutuan sfidat me të cilat përballen gratë që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale, zbatimin e legjislacionit përkatës dhe mekanizmat ekzistues të mbështetjes. U prezantua gjithashtu përvoja e Rumanisë, një vend ku një pjesë e konsiderueshme e fuqisë punëtore është e angazhuar në bujqësi, si dhe u shqyrtua roli i Bashkimit Evropian në avancimin e të drejtave të grave rurale.
Mesazhi kryesor i diskutimit ishte se kontributi i grave fermere duhet të njihet dhe të shoqërohet me të drejta të barabarta dhe siguri ekonomike e sociale. Garantimi i qasjes në pronë, shërbime shëndetësore, mbrojtje sociale dhe të drejta që burojnë nga marrëdhënia e punës u vlerësua si një hap i domosdoshëm drejt ndërtimit të një shoqërie më të drejtë dhe më të qëndrueshme. /Nistori/




