Qytetarët e Komunës së Bërvenicës sot, më 18 tetor, u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të komunës. Në zgjedhjet e parakohshme lokale garojnë gjashtë kandidatë, katër të propozuar nga partitë dhe koalicionet politike dhe dy kandidatë të pavarur, shkruan Nistori.
Zgjedhjet mbahen pas vdekjes së kryetarit të deritanishëm, Jovica Ilievski, i cili ndërroi jetë në qershor të këtij viti. Ilievski kishte fituar dy mandate radhazi në krye të Komunës së Bërvenicës, në zgjedhjet lokale të viteve 2021 dhe 2025.
Në garën e sotme marrin pjesë Stojançe Radiçevski nga VMRO-DPMNE-ja, Jovica Radeski nga LSDM-ja, Jakup Huseini nga koalicioni VLEN, Arkin Jahiji nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), i udhëhequr nga BDI-ja Në fletëvotim janë edhe dy kandidatë të pavarur, Arife Idrizi dhe Dushan Bogdanovski.
Sipas të dhënave për popullsinë rezidente, shqiptarët përbëjnë 54,06 për qind të banorëve të Komunës së Bërvenicës, ndërsa maqedonasit 45,38 për qind. Megjithatë, në dy ciklet e fundit zgjedhore, më 2021 dhe 2025, drejtimin e komunës e fitoi kandidati maqedonas Jovica Ilievski. Në këtë komunë, numri i votuesve të regjistruar në Listën Zgjedhore është më i madh se numri i banorëve rezidentë.

Gjatë fushatës zgjedhore, kandidatët kanë paraqitur programe që përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ndërtimin dhe rinovimin e kopshteve e shkollave, zgjerimin e rrjetit të kanalizimit, zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e shërbimeve komunale.
Radiçevski ka paralajmëruar investime në institucionet parashkollore, përfshirë ndërtimin e kopshteve të reja në Çellopek dhe Radiovcë. Radeski ka vendosur ndër prioritetet e tij ndërtimin e kanalizimit në Vollkovi dhe një shtëpi për të moshuarit në Çellopek.
Huseini ka prezantuar një program të përqendruar në transparencën komunale, përfshirjen e qytetarëve në hartimin e buxhetit, zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit. Ndërkaq, Jahiji ka theksuar investimet në rrugën Stençe–Gurguricë, përmirësimin e infrastrukturës në Çellopek dhe rinovimin e shkollave në Tenovë e Miletinë.
Përveç rëndësisë lokale, zgjedhjet në Bërvenicë po ndiqen edhe për ndikimin e mundshëm në marrëdhëniet ndërmjet partive politike në nivel shtetëror. VMRO-DPMNE-ja dhe VLEN-i, ndonëse partnerë në koalicionin qeverisës, në këto zgjedhje garojnë me kandidatë të veçantë.
Analisti politik Xhelal Neziri, në një prononcim për emisionin “360 Gradë”, ka vlerësuar se raundi i parë mund të shërbejë si tregues i mbështetjes së partive politike, ndërsa një raund i mundshëm i dytë mund të nxjerrë në pah bashkëpunime dhe aleanca të reja politike.
Zgjedhjet e sotme do të përcaktojnë nëse Komuna e Bërvenicës do ta zgjedhë kryetarin e ri që në raundin e parë apo gara do të vazhdojë në raundin e dytë. /Nistori/




