Varfëria ua vjedh fëmijërinë: çdo i treti fëmijë në RMV jeton në varfëri

    Foto e licencuar nga Envato dhe e përpunuar nga Nistori

    Varfëria mbetet një nga problemet më shqetësuese sociale në Maqedoninë e Veriut, duke prekur veçanërisht fëmijët, familjet me të ardhura të ulëta dhe kategoritë më të cenueshme të shoqërisë. Sipas Platformës Maqedonase Kundër Varfërisë (MPPS), pothuajse 22 për qind e qytetarëve jetojnë nën kufirin e varfërisë, ndërsa situata është edhe më shqetësuese kur bëhet fjalë për fëmijët dhe mundësitë e tyre për një jetë të sigurt dhe dinjitoze. Sipas të dhënave të MPPS-së, 29.5 për qind e fëmijëve jetojnë në varfëri, ndërsa 38 për qind përballen me varfëri shumëdimensionale, duke jetuar në kushte që rrezikojnë shëndetin, arsimimin, sigurinë dhe zhvillimin e tyre.

    Vetëm 19 për qind e familjeve me fëmijë përfitojnë shtesa për fëmijë dhe familje, në krahasim me 88 për qind në Bashkimin Evropian.

    Më të prekurit nga kjo situatë janë fëmijët që jetojnë në familje të mëdha, familje me një prind dhe familje rome. Një nga faktorët që ndikon në përhapjen e varfërisë është edhe mungesa e shërbimeve të mjaftueshme të kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit. Vetëm 45,5 për qind e fëmijëve të moshës 3 deri në 6 vjeç ndjekin kopshtin, ndërsa te fëmijët romë kjo përqindje bie në 17 për qind, krahasuar me 95 për qind në Bashkimin Evropian.

    Kjo situatë ndikon edhe në pozitën ekonomike të grave, të cilat kryejnë 72,5 për qind të punëve të papaguara shtëpiake dhe të kujdesit për fëmijët, të moshuarit dhe personat në nevojë. Si rezultat, më shumë se gjysma e grave në vend mbeten joaktive në tregun e punës, duke u kufizuar mundësitë për pavarësi ekonomike.

    Me rastin e 17 Tetorit, Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë, Platforma Maqedonase Kundër Varfërisë i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndërmarrë masa urgjente për përmirësimin e gjendjes. Ndër kërkesat kryesore janë zbatimi i Garancisë Evropiane për Fëmijë, sigurimi i pagesave universale për fëmijët, parandalimi i varfërisë së fëmijëve, ulja e shpenzimeve shëndetësore që qytetarët i mbulojnë nga xhepi i tyre, si dhe zgjerimi i shërbimeve sociale për kategoritë e cenueshme. Platforma kërkon gjithashtu investime më të mëdha në kopshte, shërbime sociale për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe shërbime të kujdesit për të moshuarit, me qëllim krijimin e kushteve më të barabarta dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    ÇFARË DO TË PUNOJ? | Zgjedhja e profesionit, mes dëshirave dhe kërkesave të tregut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë