Grosha e Tetovës rrezikon të mbetet vetëm një kujtim i bukur

    Dita e groshës në Tearcë / Fotografia: Nistori

    Ndryshimet klimatike po shkatërrojnë fushat e fasuleve, paralajmërojnë ekspertët.

    E enjtja është dita e tregut në Tetovë. Që në orët e hershme të mëngjesit, tregu është i mbushur me blerës. Mes tezgave shumëngjyrëshe, të vendosura brenda dhe jashtë ndërtesës, shihen arka me perime sezonale: domate, speca për ajvar, kunguj, madje edhe kafaze me pula dhe zogj të vegjël, shkruan Prizma, përcjell Nistori.

    Pothuajse në çdo cep të tregut mund të shihen kartonë me mbishkrimet „Tetovë“ ose „Fasule të freskëta“.

    Çmimet e fasuleve variojnë nga 150 deri në 500 denarë për kilogram. Fermerët me të cilët ka biseduar BIRN-i thonë se çmimi i fasuleve autentike të Tetovës tashmë ka arritur në 500 denarë për kilogram.

    Përveç çmimit, varieteti tradicional i Tetovës dallohet edhe nga kokrrat e mëdha, të cilat, kur preken, mund të lëshojnë një pluhur të imët të bardhë. Nëse janë të freskëta, kokrrat mund të thyhen edhe me thonj. Një tjetër karakteristikë është se lëvozhga nuk u shkëputet gjatë zierjes.

    Për shkak të rritjes së kostos së jetesës, qytetarët po i shmangin gjithnjë e më shumë fasulet e Tetovës, duke zgjedhur alternativa më të lira, kryesisht të importuara nga Egjipti dhe Kirgistani. Në dyqane, një kilogram fasule të importuara kushton rreth 120 denarë.

    Situata është edhe më paradoksale në Komunën e Tearcës, e cila për dekada të tëra konsiderohej kryeqendra e kësaj krenarie kulinare. Sot, në raftet e dyqaneve përgjatë rrugës kryesore, shiten vetëm fasule të importuara nga Egjipti, të paketuara ose me shumicë.

    „Vështirë se do të gjeni këtu fasule të Tetovës“, pranon njëri nga shitësit vendas.

    Një tjetër shton me buzëqeshje: „Nëse dikush ju thotë se janë vendase, po ju gënjen.“

    Sot, nga ky vendbanim rrëzë Sharrit mund të largohesh pa arritur të blesh asnjë kilogram fasule vendase.

    Përgjatë rrugës së dheut që të çon drejt fushave poshtë Tearcës, ku dikur kultivoheshin me bollëk fasule dhe misër, tani shtrihen sipërfaqe të zbrazëta. Herë pas here dëgjohet vetëm fëshfërima e erës që përshkon mbetjet e thara të bimëve.

    Fasulet e Tetovës përballen me rrezikun e zhdukjes

    Bajram Ali Demiri, nga fshati Neproshten, është në të dyzetat. Ai merret me kultivimin e fasuleve që nga fëmijëria.

    „Para 15 vjetësh, nga një dekar tokë merrnim deri në 120 kilogramë fasule, ndërsa tani mezi arrijmë të prodhojmë 10 deri në 20 kilogramë“, thotë ai.

    Demiri kishte shkuar për të vizituar të njohurin e tij, Metin Muaremin, kryetar i Qendrës lokale për Edukim dhe Zhvillim.

    „Çdo vit i them vetes: ‘Vitin tjetër ndoshta do të jetë më mirë’“, shprehet ai me një buzëqeshje ironike.

    Ndërkohë, familja Tofilovski nga Tearca, e cila merret me kultivimin e fasuleve prej gati një shekulli, dikur prodhonte nga 200 deri në 250 kilogramë për dekar. Vitin e kaluar, megjithatë, arriti të korrte mezi një kilogram fasule, sasi e pamjaftueshme edhe për nevojat familjare.

    „Toka është bërë e fortë si shkëmb. Nuk mund të lërohet“, thotë Jove Tofilovski.

    Familja fillimisht e zvogëloi sipërfaqen e kultivuar nga dhjetë në gjashtë dekarë, ndërsa tani ka vendosur të heqë dorë plotësisht nga prodhimi.

    „E vetmja gjë që na ka mbetur është t’i blejmë fasulet në treg për t’i ngrënë“, shprehet ai.

    Sipas profesoreshës Sonja Ivanovska, nga Fakulteti i Bujqësisë i Universitetit „Shën Kirili dhe Metodi“ në Shkup, goditja kryesore ndaj prodhimit të fasuleve të Tetovës vjen nga ndryshimet drastike klimatike.

    Prej më shumë se dhjetë vjetësh, ajo dhe disa profesorë të tjerë të fakultetit po mbledhin fara të varieteteve të vjetra, lokale dhe autoktone, nga rajone të ndryshme të Maqedonisë së Veriut, me qëllim ruajtjen e tyre për brezat e ardhshëm.

    Deri më tani, ata kanë vizituar mbi 500 fshatra dhe kanë mbledhur më shumë se 8.500 mostra farash.

    Së fundmi, ekipi është kthyer nga një ekspeditë dhjetëditore, gjatë së cilës ka vërejtur ndryshime të mëdha krahasuar me vitin 2014.

    „Varietetet e vjetra po zhduken“, paralajmëron Ivanovska.

    „Situata me fasulet është shumë alarmante, sepse në shumë rajone na kanë thënë se nuk i kultivojnë më, pasi nuk arrijnë të prodhojnë në këto kushte klimatike“, shpjegon ajo.

    Fasulet e Tetovës janë një varietet tradicional kacavjerrës, i cili kultivohet duke përdorur kunja mbështetëse ose në kombinim me misrin, që shërben si mbështetëse natyrore.

    Ndryshe nga varietetet e tjera, fasulet e Tetovës kanë nevojë për disa muaj që të arrijnë pjekurinë. Lulëzimi dhe formimi i bishtajave ndodhin pikërisht gjatë muajve më të nxehtë të verës, kur reshjet e shiut janë të pakta.

    Ivanovska thekson se, kur temperaturat tejkalojnë 30 gradë Celsius për disa ditë radhazi dhe lagështia relative e ajrit është e ulët, rendimenti bie në mënyrë drastike, pavarësisht ujitjes.

    „Fasulet ose nuk formojnë lule, ose poleni nuk është funksional dhe nuk mund të kryejë fekondimin. Si pasojë, nuk formohen bishtaja, ndërsa edhe nëse formohen, ato bien“, shpjegon profesoresha.

    Kjo shpjegon edhe pamjet e fushave ku bimët kanë gjethe, por bishtajat janë të zbrazëta dhe të thara.

    Për shkak të temperaturave ekstreme, fermerët thonë se tani detyrohen t’i ujitin fushat pesë deri në gjashtë herë gjatë sezonit, ndryshe nga e kaluara, kur mjaftonin dy deri në tri ujitje.

    Burimi kryesor i ujit është lumi Bistrica, niveli i të cilit, sipas banorëve, bie ndjeshëm gjatë verës.

    Grup pune për mbrojtjen e varieteteve vendase

    Ministria e Bujqësisë ka deklaruar për BIRN-in se do të formojë një grup pune me përfaqësues të komunitetit shkencor, me qëllim ruajtjen e varieteteve vendase, përfshirë edhe fasulen e Tetovës.

    „Do të merren në konsideratë ndikimet e ndryshimeve klimatike, ruajtja e materialit faror dhe krijimi i kushteve për kultivim të qëndrueshëm“, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

    Komuna e Tearcës konfirmon se, përveç thatësirës, në zvogëlimin e prurjeve të lumit ka ndikuar edhe „menaxhimi joadekuat i potencialit ujor nga minihidrocentralet lokale“.

    „Kjo situatë është më e theksuar gjatë periudhës së verës, kur niveli i ujit në lumë bie ndjeshëm, gjë që mund të vërehet edhe me sy të lirë“, thuhet në përgjigjen e Komunës.

    Në vitin 2022, në Komunën e Tearcës nisi ndërtimi i një sistemi të vogël ujitjeje, i cili synon të ndihmojë 150 fermerë vendas në rritjen e rendimenteve bujqësore.

    Sipas Komunës, projekti me vlerë 1,75 milionë euro, i financuar përmes fondeve IPA, ka përfunduar, por ende nuk është vënë në funksion.

    Arsyeja, sipas autoriteteve komunale, është se „nuk është kryer dorëzimi zyrtar i projektit me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave“.

    Kushtet e reja klimatike i kanë detyruar disa fermerë, përfshirë Ali Demirin, ta zhvendosin prodhimin drejt fshatrave malore në lartësi më të mëdha mbidetare, siç është Vejca në Malin Sharr.

    Megjithatë, edhe atje janë përballur me vështirësi të tjera.

    Kafshët e egra, veçanërisht arinjtë dhe derrat e egër, kanë dëmtuar sipërfaqet e mbjella, të tërhequra nga misri që fermerët e përdornin si mbështetëse për fasulet.

    Për këtë arsye, fermerët tani po i kultivojnë fasulet duke përdorur kunja mbështetëse.

    Nga ana tjetër, fermeri Jove Tofilovski thotë se toka e zezë malore nuk është e përshtatshme për kultivimin e fasuleve të Tetovës, të cilat kanë nevojë për tokë kafe me lagështi të mjaftueshme.

    Disa nga fermerët që janë vizituar nga profesorët në rajonin e Tetovës tashmë kanë kaluar në kultivimin e varieteteve të tjera.

    Përveç pasojave të ndryshimeve klimatike, fermerët ankohen edhe për vonesat në pagesën e subvencioneve, të cilat ua vështirësojnë mbulimin e shpenzimeve bazë për karburant dhe plehra bujqësore.

    Ata pretendojnë gjithashtu se preparatet kimike po bëhen gjithnjë e më pak efektive në luftimin e barërave të këqija.

    Përpjekjet për të ruajtur traditën

    Rëndësia e fasuleve të Tetovës për kulturën dhe traditën vendase dëshmohet edhe nga manifestimi tradicional „Dita e Fasuleve“, i cili organizohet në Tearcë prej 14 vjetësh.

    Manifestimi organizohet nga Qendra për Edukim dhe Zhvillim.

    Çdo vjeshtë, në kuadër të këtij aktiviteti, fasulet e Tetovës gatuhen në kazanë të mëdhenj, ndërsa në stendat përreth ofrohen specialitete të tjera tradicionale, të shoqëruara me muzikë.

    „Bëhet fjalë për një kulturë bujqësore që bashkon njerëzit“, thotë Metin Muaremi, kryetar i Qendrës.

    Sipas tij, ideja fillestare e organizatorëve ishte promovimi, krijimi i një marke të dallueshme dhe ruajtja e këtij produkti tradicional.

    „Na kanë vizituar njerëz nga shumë vende të tjera, të cilët na kanë treguar se fasulet e Tetovës dikur ishin ndër më të kërkuarat në ish-Jugosllavi“, kujton Muaremi.

    „Fatkeqësisht, mund të them se vitet e fundit është bërë shumë e vështirë të gjesh njerëz që ende prodhojnë fasule autentike të Tetovës“, shton ai.

    Ndërkohë, numri i vizitorëve të manifestimit është rritur nga viti në vit.

    Këtë vit, organizatorët kanë mirëpritur rreth 400 mysafirë. Për të përgatitur porcione të mjaftueshme për të pranishmit, janë nevojitur mbi 30 kilogramë fasule.

    „Kjo traditë duhet të mbahet gjallë. Institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin masa konkrete“, apelon Muaremi.

    Megjithatë, profesoresha Ivanovska paralajmëron se, nëse nuk ndërmerren masa urgjente, përfshirë mbështetjen financiare për kërkime shkencore dhe testimin e varieteteve vendase më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike, e ardhmja e fasuleve të Tetovës do të jetë gjithnjë e më e pasigurt.

    Sipas saj, nëse vazhdon kjo gjendje, pas 10 deri në 15 vjetësh, fasulet e Tetovës mund të mbeten vetëm një kujtim i bukur.

    Lajmi Paraprak

    Dalje e lartë në zgjedhjet në Serbi, raportohet për parregullsi

    Lajmi i rradhës

    Kuajt enden rrugëve, institucionet e RMV-së presin të ndodhë një incident

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë