Manjola Zaçellari: rruga drejt Europës nis në shkollë, aty ku formohet e ardhmja!

    Roli i arsimit në procesin e integrimit evropian të Kosovës, cilësia e të nxënit dhe përgatitja e të rinjve për sfidat e së ardhmes evropiane ishin në fokus të tryezës shkencore me temën “Arsimi si mjet për integrimin evropian: A po i përgatit Kosova të rinjtë për të ardhmen evropiane?”, e organizuar më 24 tetor 2026 në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së.

    Tryeza u mbajt në kuadër të Konferencës së 15-të Ndërkombëtare për Shkencat Politike dhe Studimet e Sigurisë, në kuadër të Modulit Jean Monnet AKIL-EU (Advancing Kosovo’s European Integration through Learning about the EU), i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian.

    Diskutimi u përqendrua në sfidat dhe mundësitë e sistemit arsimor në Kosovë, duke vënë në pah rëndësinë e arsimit cilësor, zhvillimit të kompetencave themelore, përgatitjes profesionale të mësimdhënësve dhe transformimit digjital në funksion të perspektivës evropiane të vendit.

    Në hapje të tryezës, Prof. Assoc. Dr. Manjola Zaçellari, koordinatore akademike e Modulit Jean Monnet AKIL-EU, theksoi se integrimi evropian nuk është vetëm proces politik, juridik dhe institucional, por edhe proces arsimor, kulturor dhe shoqëror, i cili kërkon investim të vazhdueshëm në kapitalin njerëzor.

    Sipas saj, përafrimi i legjislacionit me standardet evropiane dhe ndërtimi i institucioneve funksionale nuk janë të mjaftueshme pa një sistem arsimor që zhvillon mendimin kritik, kompetencat digjitale dhe aftësinë e të rinjve për të kontribuar në një shoqëri demokratike.

    Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua rezultateve të PISA-s dhe sfidave që ato paraqesin për arsimin në Kosovë. Të dhënat e paraqitura në kuadër të tryezës evidentuan nevojën për ndërhyrje konkrete në forcimin e aftësive bazë në lexim, matematikë dhe shkencë, si dhe për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit.

    Duke iu referuar këtyre sfidave, Zaçellari theksoi se rezultatet e vlerësimeve ndërkombëtare duhet të shërbejnë si pikënisje për reflektim dhe reforma konkrete, e jo për të fajësuar nxënësit apo mësimdhënësit. Ajo vuri në pah se përmirësimi i rezultateve arsimore kërkon politika të qëndrueshme, mbështetje për mësuesit dhe investime në kapacitetet institucionale.

    Gjatë diskutimit u trajtua gjithashtu ndikimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjive digjitale në arsim. U theksua se përdorimi i teknologjisë duhet të shërbejë për thellimin e të nxënit, zhvillimin e mendimit kritik dhe përgatitjen e të rinjve për kërkesat e një shoqërie gjithnjë e më të digjitalizuar, duke ruajtur njëkohësisht përgjegjësinë dhe etikën në përdorimin e saj.

    Një tjetër çështje me rëndësi ishte lidhja ndërmjet arsimit, punësimit dhe inovacionit, si dhe krijimi i mundësive që të rinjtë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve vendore dhe institucioneve evropiane, mobilitetit akademik dhe programeve si Erasmus+, të cilat mund të kontribuojnë në shkëmbimin e njohurive dhe forcimin e kapaciteteve vendore.

    Tryeza trajtoi edhe rëndësinë e promovimit të vlerave evropiane përmes arsimit, duke nënvizuar se përgatitja e të rinjve për integrimin evropian nuk nënkupton vetëm njohjen e institucioneve të Bashkimit Evropian, por edhe zhvillimin e qytetarisë aktive, respektimin e mendimit ndryshe, përgjegjësinë shoqërore dhe pjesëmarrjen demokratike.

    Në përfundim, u riafirmua nevoja që arsimi të shihet si një nga shtyllat themelore të integrimit evropian të Kosovës. Përgatitja e brezave të rinj kërkon jo vetëm reforma në kurrikula dhe institucione, por edhe mundësi të barabarta për të gjithë nxënësit dhe studentët, pavarësisht vendbanimit apo kushteve ekonomike e shoqërore.

    Përmes Modulit Jean Monnet AKIL-EU, synohet të forcohet lidhja ndërmjet studimeve mbi Bashkimin Evropian, institucioneve arsimore, shoqërisë civile dhe të rinjve, duke nxitur diskutimin akademik dhe identifikimin e zgjidhjeve konkrete për avancimin e integrimit evropian të Kosovës.

    “KORÇA BOOM”

    Lajmi Paraprak

    Protestat kundër personalizimit të pushtetit dhe korrupsionit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë