Filipçe akuzon Mickoskin për lidhje kriminale dhe shitje të vendit, kryeministri i quan gënjeshtra politike

    Akuza të ndërsjella për mënyrën e qeverisjes, propagandën politike, transaksionet financiare, hapjen e minierave, gënjeshtrat dhe nxitjen e histerisë politike u shkëmbyen sot mes kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, gjatë seancës parlamentare kushtuar pyetjeve të deputetëve, përcjell Nistori.

    Filipçe e akuzoi Mickoskin për diskreditimin e kundërshtarëve politikë, fyerjen e qytetarëve, lidhje të dyshuara kriminale me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, shmangien e përgjigjeve konkrete para opinionit publik dhe shitjen e interesave të vendit.

    Nga ana tjetër, Mickoski i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar si gënjeshtra dhe histeri politike që, sipas tij, dëshmojnë pafuqinë e opozitës.

    Kreu i LSDM-së i tha kryeministrit se respekton funksionin që ai ushtron, por jo personalitetin e tij, duke e akuzuar për sulme politike ndaj kundërshtarëve dhe shmangie të përgjegjësisë gjatë më shumë se dy viteve të qeverisjes.

    “Dua t’ju drejtohem me fjalët ‘i nderuar kryeministër’, por nuk mundem. E respektoj funksionin tuaj, por jo ju personalisht, kryeministër, kryesisht për shkak të mënyrës se si e ushtroni pushtetin. Përdorni mekanizma të ndryshëm propagandistikë, fushata të rreme, shpifje dhe diskreditime. Krijoni hapësirë për sulme politike ndaj kundërshtarëve tuaj, por edhe ndaj njerëzve tuaj të afërt që nuk veprojnë sipas diktatit tuaj”, deklaroi Filipçe.

    Ai u ndal edhe te çështjet e politikës së jashtme dhe ato financiare, duke pretenduar se sistemi i mbështetjes politike nga Serbia po dobësohet dhe se kryeministri mund të përballet me pyetje edhe para institucioneve evropiane.

    “E di që nuk e keni të lehtë tani. Mentori i dytë është zhdukur. Ai sistem mbështetës nga Serbia po shpërbëhet gradualisht dhe ju do të mbeteni vetëm. Pyetja është se çfarë do të bëni? Ndoshta do t’ju duhet t’u përgjigjeni pyetjeve jo vetëm këtu, por edhe në vende të tjera. Siç e tha qartë dhe pa mëdyshje presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përgjigjet do të duhet të jepen edhe para Prokurorisë Evropiane”, tha Filipçe.

    Kryetari i LSDM-së ngriti gjithashtu dyshime për transaksione të mundshme financiare dhe për planet e hapjes së minierave, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme ndaj mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve.

    “Në këtë situatë të vështirë, po vij te pyetja kryesore. Ajo që synoni është, padyshim, shitja e tokës për miniera dhe për interesa biznesi të të tjerëve. Një plan i ri hapësinor është promovuar në të gjithë vendin, ende pa u zhvilluar debat publik, dhe ai përfshin edhe minierat. Tregoni qartë dhe pa mëdyshje nëse i mbështesni projektet për hapjen e minierave në Shtukë-Ilovicë, Kazandoll, minierën e antimonit në Kriva Pallankë, si dhe matjet e terrenit për hapjen e mundshme të një miniere në Kozhuf”, pyeti Filipçe.

    Ai paralajmëroi se, nëse nisin procedurat për realizimin e këtyre projekteve, autoritetet do të përballen me kundërshtim të fuqishëm dhe me një “mur të gjallë” qytetarësh.

    Kryeministri Hristijan Mickoski i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se ato burojnë nga dobësia politike e opozitës. Sipas tij, koha dhe raportet e auditimit do të dëshmojnë rezultatet e punës së Qeverisë.

    “Sa u përket konferencave për shtyp që organizon partia juaj dhe zgjedhjeve në Serbi, si dhe përpjekjeve për t’i lidhur ato me ne, në kontekstin se kush ishte mentor i kujt, nuk do të komentoj. Do t’ia lëmë kohës t’u japë përgjigje të gjitha pretendimeve dhe gënjeshtrave që po i përhapni sot. Në këta gjashtë muaj nuk ka as ‘k’ nga krimi, por vetëm konfirmime se kjo qeveri ka bërë punë të mira për vendin”, u përgjigj Mickoski.

    Kryeministri iu kundërpërgjigj edhe akuzave personale, duke i thënë Filipçes se deklaratat e tij janë pasqyrim i ngarkesës së brendshme dhe i ndërgjegjes së tij.

    “Cili është problemi juaj? Ju jeni profesionist i mjekësisë dhe e dini shumë mirë se çfarë është nënvetëdija, si në kuptimin filozofik, ashtu edhe në atë shëndetësor. Nënvetëdija është një gjë shumë interesante dhe ndonjëherë mund të jetë problematike. Ajo mund të përfaqësojë një barrë të madhe. Atë që ndieni në nënvetëdijen tuaj, e projektoni te të tjerët. Ky është problem, por është problemi juaj, jo i yni”, theksoi Mickoski.

    Ai shtoi se nuk kishte ndërmend të përfshihej në shkëmbimin e fyerjeve dhe akuzave personale.

    “Më akuzuat për trafik droge, transferim parash dhe shumë gjëra të tjera. Madje më quajtët edhe idiot. Nuk do të zbres në atë nivel për t’ju kthyer përgjigje, sepse nuk mendoj se e meritoni”, deklaroi kryeministri.

    Mickoski iu përgjigj edhe akuzave lidhur me koncesionet dhe projektet e diskutueshme minerare, duke ia atribuuar përgjegjësinë qeverive të mëparshme të udhëhequra nga LSDM-ja.

    Ai deklaroi se mbështet hapjen e minierës së antimonit në Kriva Pallankë, duke shtuar se të njëjtin qëndrim e ndan edhe kryetari i kësaj komune, i cili vjen nga radhët e LSDM-së.

    “Projekti Shtukë-Ilovicë filloi gjatë një qeverie të udhëhequr nga LSDM-ja, me kryeministër Vllado Buçkovskin. Më pas erdhi një tjetër qeveri e LSDM-së dhe BDI-së, gjatë së cilës, në një seancë qeveritare, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, u mor vendim për bashkimin e dy zonave të koncesionit. Ndërkohë, disa anëtarë të asaj qeverie sot bëjnë sikur nuk kanë qenë të pranishëm në atë mbledhje. Unë nuk po e shes vendin, por po e kthej atë që ju e shitët”, deklaroi Mickoski.

    Në kundërpërgjigjen e tij, Filipçe e sfidoi kryeministrin që, nëse vërtet mendon se mundet, t’i ndryshojë politikat e mëparshme ose ta rikthejë emrin e mëparshëm kushtetues të shtetit.

    “Sa i përket pjesës tjetër të përgjigjes suaj, do të thosha se keni zgjedhur profesionin e gabuar. Do të kishit qenë redaktor i mirë i ‘Informer’ ose ‘Kolegium’, por për fat të keq, tani ato po mbyllen. Ju nuk jeni i aftë ta drejtoni vendin”, përfundoi Filipçe.

    Lajmi Paraprak

    Europianët nuk janë ftuar në negociatat mes Ukrainës, ShBA-së dhe Rusisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë