Bajram Rexhepi nga BDI deklaroi se është kërcënuar me jetë përmes një mesazhi, pasi ka denoncuar atë që e cilëson si plan për keqpërdorimin e parcelës ndërtimore të zjarrfikësve në Tetovë. Ai tha se rastin e ka paraqitur në polici dhe kërkoi nga organet kompetente të ndërmarrin veprime.
Në një deklaratëpër mediat, Rexhepi tha se kërcënimet i ka marrë nga Ibraim Ferati, vëllai i autorit të studimit të fizibilitetit (Rametulla Ferati), si dhe pronar i kompanisë që po ndërton objektin plotësues të Komunës së Tetovës. Ai tha se Ferati ka lidhje biznesore me dajën e kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami.
“Pasi ne kemi zbardhur planin e vjedhjes së Komunës së Tetovës te parcela ndërtimore e Zjarrfikësve dhe sigurisht pasi kemi denoncuar gjithë këtë plan monstruoz që është duke e përgatitur Komuna, që ata be quajnë studim i fizibilitetit, unë mbrëmë kam pranuar kërcënime nga personi Ibraim Ferati, i cili është vëllai i pronarit dhe autorit të këtij planit të vjedhjes dhe njëkohësisht është edhe pronar i kompanisë që bën ndërtimin e objektit të Komunës dhe në të njëjtën kohë është edhe bashkëpronar me dajën eBilall Kasamit. Ne sot kemi denoncuar në Polici këtë kërcënim dhe dua t’ju bëj me dije të gjithë atyre që përdorin metoda të tilla mesjetare kërcënimesh, që jo vetëm që nuk mund të na kërcënojnë në mënyrë të tillë, të na frikësojnë, përkundrazi ne do të denoncojmë çdo hap që planifikon vjedhjen e pronës së tetovarëve. Unë iu bëj thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin menjëherë veprime konform ligjeve në fuqi dhe njëkohësisht i bëj thirrje Bilall Kasamit që të ndal këta mercenar sa nuk është vonë.Jam kërcënuar me jetë. Nuk do të doja të shpalos detaje, e kemi dërguar në polici. Jam kërcënuar me mesazh”, deklaroi Rexhepi.





