Gjykata Supreme ka shfuqizuar aktgjykimet për zjarrin në spitalin modular të Tetovës, ku më 8 shtator 2021 humbën jetën 14 persona, dhe e ka kthyer lëndën në rigjykim. Gjykata ka konstatuar mangësi serioze në arsyetimet e gjykatave të shkallëve më të ulëta, veçanërisht në përcaktimin e lidhjes shkak-pasojë ndërmjet veprimeve të të akuzuarve dhe pasojave të tragjedisë, si dhe në vlerësimin e provave lidhur me shkaqet dhe përhapjen e zjarrit.
Vendimi është marrë më 22 tetor dhe është publikuar të premten nga Gjykata Supreme. Përmes tij janë pranuar kërkesat për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë, të paraqitura nga dy ish-drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi.
Me këtë vendim janë shfuqizuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Tetovës, i datës 16 maj 2025, dhe ai i Gjykatës së Apelit në Gostivar, i datës 26 nëntor 2025. Me aktgjykimin e shkallës së dytë, të dy ish-drejtorët ishin dënuar me nga tre vjet burgim për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme thekson se gjykatat e shkallëve më të ulëta nuk kanë shpjeguar mjaftueshëm se në bazë të cilave prova kanë arritur në përfundimin se dy të akuzuarit kanë vepruar si bashkëkryerës. Gjithashtu, nuk është sqaruar se mbi cilat prova është mbështetur konstatimi se ata, bashkërisht, nuk kanë siguruar pajisjet e nevojshme kundër zjarrit dhe rrjetin e hidrantëve.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar çështjes nëse mungesa e pajisjeve kundër zjarrit ka ndikuar në shkaktimin e tij apo në përhapjen e flakëve dhe rëndimin e pasojave.
Sipas Gjykatës Supreme, gjykatat e shkallëve më të ulëta nuk e kanë përcaktuar dhe arsyetuar mjaftueshëm lidhjen shkak-pasojë ndërmjet lëshimeve konkrete që u atribuohen të akuzuarve dhe vdekjes së 14 personave.
Në vendim janë shqyrtuar edhe ekspertizat e ndryshme lidhur me shkaqet e zjarrit. Sipas njërës prej tyre, zjarri kishte shpërthyer si pasojë e një qarku të shkurtër elektrik, të lidhur me kabllon e defibrilatorit që ishte përdorur gjatë reanimimit të një pacienti.
Ndërkaq, sipas ekspertizës gjermane, zjarri, me shumë gjasë, kishte shpërthyer pranë njërit prej shtretërve në një dhomë të spitalit. Megjithatë, për shkak të shkallës së lartë të dëmtimeve, nuk kishte qenë e mundur të përcaktohej shkaku i saktë i tij. Në ekspertizë theksohet gjithashtu se përhapja e shpejtë e flakëve ishte favorizuar nga përqendrimi i lartë i oksigjenit dhe materialet e ndezshme të përdorura në objekt.
Gjykata Supreme ka ngritur edhe çështjen se përse nuk ishte pranuar kërkesa e mbrojtjes për dëgjimin e ekspertit gjerman gjatë shqyrtimit kryesor, ndonëse ekspertiza e tij ishte paraqitur si provë në procesin gjyqësor.
Në arsyetim përmenden edhe ekspertiza të tjera, të cilat kishin evidentuar probleme të mundshme me instalimet elektrike, mungesë të barrierave kundër zjarrit ndërmjet dhomave dhe përdorim të materialeve ndërtimore që mundësonin përhapjen e shpejtë të flakëve. Sipas Gjykatës Supreme, gjykatat e shkallëve më të ulëta nuk kishin dhënë arsyetim të mjaftueshëm se përse këto prova nuk ishin vlerësuar në mënyrën e duhur.
Gjykata Supreme ka konstatuar se Gjykata Themelore e Tetovës dhe Gjykata e Apelit në Gostivar nuk kanë dhënë përgjigje të argumentuara për çështjet thelbësore që lidhen me përcaktimin e përgjegjësisë penale të të akuzuarve.
Me vendimin e ri, lënda kthehet në Gjykatën Themelore të Tetovës, e cila do të duhet ta zhvillojë procesin gjyqësor nga fillimi, t’i shqyrtojë çështjet kontestuese dhe të marrë një vendim të ri, në përputhje me udhëzimet e Gjykatës Supreme.
Ndërkohë, kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm, e paraqitur nga Spitali Klinik i Tetovës, është hedhur poshtë si e palejueshme. Ndryshe nga kërkesat e dy ish-drejtorëve, kërkesa e këtij institucioni nuk i plotësonte kushtet ligjore për përdorimin e këtij mjeti të jashtëzakonshëm juridik.
Vendimi i Gjykatës Supreme nuk nënkupton shpalljen të pafajshëm të dy ish-drejtorëve, por shfuqizimin e aktgjykimeve të mëparshme dhe kthimin e lëndës në rigjykim.




