Rruga industriale në Tetovë vazhdon të jetë e stërngarkuar edhe në këtë periudhë të vitit kur nuk janë mërgimtarët në vendlindje. Pika më kritike është te rreth rrotullimi në dalje të Tetovës në drejtim të qendrës sportive ose anasjelltas. Pasi që është një nga pika kryesore për hyrje –dalje në Tetovë, kaosi është i pashmangshëm sepse ka numër enorm të automjeteve.
Edhe pse pritjet ishin që pas periudhës së verës kur ka trafik të ngadalësuar në këtë zonë që të lehtësohet qarkullimi për automjetet, megjithatë problematike mbetet pjesa e bulevardit nga rreth rrotullimi tek qendra sportive në drejtim të unazës kryesore në dalje të Tetovës për në Shkup. Kjo pjesë e bulevardit nuk ka asnjë kilometër, megjithatë për të kaluar të njëjtën duhen më shumë se 20 minuta pritje në radhët kilometrike të automjeteve.
Nga Komuna e Tetovës gjatë verës kanë premtuar se janë duke u shqyrtuar disa opsione për zgjidhjen e këtij problemi, por deri më tani në terren nuk është bërë asgjë. Kohë më parë, kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami është shprehur se janë duke punuar për gjetjen e një zgjidhje afatgjate.
“Edhe në planin e mobilitetit është identifikuar si pika më kritike në infrastrukturën rrugore në qytetin tonë. Në bazë të propozimit të shtëpisë që e ka përpiluar planin e mobilitetit, aty problem duhet të zgjidhet me nënkalim, pra kryqëzimi I dy bulevardeve të bëhet me nënkalim ose mbikalim dhe në bazë të propizimit që është dhënë, ne jemi duke shqyrtuar opsionet e mundshme për rregullimin afatgjatë të këtij kryqëzimi”, ka deklaruar Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Kasami ka bërë të ditur se tashmë ekziston një plan konkret për zgjidhjen e këtij kaosi disavjeçar përmes ndërtimit të një nënkalimi ose mbikalimi. Sipas tij, ky projekt vjen si rrjedhojë e gjetjeve të Planit të Mobilitetit, i cili e ka specifikuar këtë zonë si pikën më të ngarkuar të infrastrukturës rrugore në qytet.
Ai sqaroi se komuna e Tetovës është në fazën e shqyrtimit të të gjitha opsioneve teknike dhe ekonomike për të jetësuar këtë projekt, i cili synon të ofrojë një zgjidhje përfundimtare për vozitësit. Por deri më tani ende nuk është bërë asnjë lëvizje në këtë drejtim se cila do të jetë zgjidhja që do të ofrojë komuna për të lehtësuar komunikacionin dhe lëvizjen e automjeteve. Kësisoj, rreth rrotullimi në dalje të Tetovës, pranë ish-Monopolit, mbetet pika më kritike e qarkullimit rrugor në qytet, pasi përballon një fluks të lartë automjetesh me destinacione drejt Shkupit, Gostivarit, zonës universitare dhe qendrës. Poashtu, ky rreth rrotullim shërben si hyrje kryesore për të gjithë ata që kanë si qëllim të arrijnë në qendër të Tetovës.
Përveç trafikut të dendur urban, situata rëndohet akoma më shumë nga lëvizjet e banorëve të Komunave të Tearcës dhe Jegunocit, të cilët e shfrytëzojnë këtë aks si rrugë tranziti për të shmangur bllokimin e plotë dhe kalimin përmes rrugëve të stërngarkuara brenda qytetit. /Koha/




