Garazhi pranë Kuvendit që nuk u ndërtua kurrë, kompensimi prej 700 mijë eurosh që askush nuk e sqaron

    Gjendja e kantierit të ndërtimit në verën e vitit 2024 | Foto: BIRN

    Parkimi pranë Kuvendit – një pyetje prej 700 mijë eurosh që mbetet pa përgjigje

    Shteti ka rimarrë në pronësi truallin pranë Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku kompania me seli në Shkup, “Ango”, nuk arriti të ndërtonte një garazh shumëkatësh për dhjetë vjet. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse kompanisë i është paguar kompensimi prej afro 700 mijë eurosh, shkruan Prizma, përcjell Nistori.

    Mbeten të paqarta edhe përllogaritjet mbi bazën e të cilave është përcaktuar kompensimi, vlera e të cilit është më shumë se dyfishi i shumës që kompania pagoi për blerjen e truallit në vitin 2013. Raporti i ekspertizës, mbi të cilin është mbështetur ky vlerësim, nuk është bërë publik.

    Gjatë dekadës së fundit, pavarësisht ngecjes së projektit, “Ango” arriti ta ruante të drejtën e ndërtimit. Në betejat ligjore me Komunën Qendër, kompania u përfaqësua për një kohë të gjatë nga avokati Pançe Toshkovski, aktualisht ministër i Punëve të Brendshme.

    Toshkovski dhe familja Trpkovski, e cila qëndron pas kompanisë “Ango”, kanë marrëdhënie miqësore dhe janë fqinjë në një ndërtesë të vogël në lagjen Bunjakovec të Shkupit.

    Pavarësisht interesit të qartë publik për këtë rast, institucionet përgjegjëse, Kuvendi dhe Ministria e Financave, prej disa muajsh ose i kanë shpërfillur pyetjet e BIRN-it, ose ia kanë kaluar njëra-tjetrës përgjegjësinë për dhënien e informacionit lidhur me pagesën.

    Ndërkohë, BIRN ka zbuluar se Qeveria ka propozuar ndryshimin e mënyrës së realizimit të kompensimit, përmes hapjes së një llogarie të posaçme në Kuvend.

    Ky veprim, i shoqëruar me mungesën e transparencës institucionale, ngre dyshime për anashkalimin e procedurave të zakonshme të pagesave nga buxheti i shtetit dhe, rrjedhimisht, për shmangien e publikimit të transaksioneve në platformën “Open Finance”.

    Heshtja e institucioneve për pagesën

    Shteti ndërhyri për t’i dhënë zgjidhje çështjes dhjetëvjeçare të garazhit, pasi kompania “Ango” rrethoi parcelën dhe largoi ekskavatorët gjatë verës së vitit 2024, vetëm disa javë përpara skadimit të afatit dhjetëvjeçar për përfundimin e ndërtimit.

    Qeveria e re, e drejtuar nga Hristijan Mickoski, pranoi më pas si argument për kompensimin e kompanisë një shqetësim që autoritetet e kishin shpërfillur për më shumë se një dekadë: rrezikun e mundshëm që ndërtimi i garazhit mund të paraqiste për sigurinë e deputetëve.

    Verën pasuese u miratua një ligj që synonte garantimin e sigurisë së Kuvendit. Ligji parashikonte edhe një mekanizëm përmes të cilit shteti do të rimerrte në pronësi truallin prej afro 2.500 metrash katrorë, duke e kompensuar kompaninë përkatëse.

    Më pas, Qeveria e udhëzoi Ministrinë e Financave që ta realizonte pagesën ndaj kompanisë “Ango”, pasi Avokatura e Shtetit, institucioni përgjegjës për mbrojtjen e interesave juridike dhe pronësore të shtetit, të përcaktonte shumën e kompensimit në bazë të një vlerësimi profesional.

    Raporti i ekspertizës iu dorëzua Ministrisë së Financave në mars të këtij viti, ndërkohë që trualli tashmë ishte regjistruar si pronë shtetërore.

    Gjatë kësaj periudhe, BIRN u është drejtuar vazhdimisht institucioneve për të marrë informacion mbi pagesën, por përgjigjet kanë qenë të paqarta, me arsyetimin se çështja ishte ende në procedurë.

    Një informacion i zbuluar së fundmi në procesverbalin e një mbledhjeje qeveritare, i publikuar me pesë muaj vonesë, tregon se Ministria e Financave, pasi kishte pranuar raportin e ekspertizës, kishte kërkuar në prill ndryshimin e procedurës së pagesës.

    Sipas procesverbalit, pas kësaj kërkese, Qeveria i rekomandoi Kuvendit hapjen e një llogarie të posaçme, përmes së cilës do të realizohej pagesa ndaj kompanisë “Ango”, por vetëm pas ribalancimit të buxhetit gjatë verës.

    Në dokument theksohet gjithashtu se ministri Pançe Toshkovski ishte tërhequr nga vendimmarrja për këtë çështje.

    Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të BIRN-it gjatë disa javëve, as Kuvendi dhe as Ministria e Financave nuk kanë sqaruar nëse është hapur llogaria e posaçme, nëse mjetet janë transferuar nga Ministria e Financave në atë llogari dhe nëse më pas janë paguar në llogarinë e kompanisë “Ango”.

    Nga verifikimet në platformën shtetërore “Open Finance”, ku publikohen pagesat nga buxheti, BIRN nuk ka arritur të konfirmojë nëse fondet kanë ndjekur procedurën e parashikuar.

    Nga ana tjetër, përpjekja për të marrë informacion nga pronarja e kompanisë “Ango”, Ankica Trpkovska, nuk dha rezultat.

    Fillimisht, ajo nuk iu përgjigj telefonatës së gazetarëve. Më vonë, pasi kishte vërejtur thirrjen e humbur, telefonoi vetë. Megjithatë, sapo dëgjoi pyetjet, e ndërpreu bisedën, duke u arsyetuar se ndodhej në një takim.

    “Më falni, nuk mund të flas! Jam në një takim tani, do t’ju telefonoj më vonë”, u përgjigj Trpkovska.

    Megjithëse premtoi se do të kontaktonte sërish gazetarët, ajo nuk telefonoi më.

    Raporti i ekspertizës mbetet i paarritshëm për publikun

    Publiku vazhdon të mos ketë qasje në raportin e ekspertizës, mbi bazën e të cilit është përcaktuar se kompania duhet të kompensohet jo vetëm për shumën e investuar fillimisht në blerjen e truallit, por edhe për shpenzimet e tjera të kryera gjatë përpjekjeve për ndërtimin e garazhit.

    Këto përfshijnë shpenzimet për shërbime, ekspertiza, projekte dhe taksa të ndryshme.

    Gjatë muajve të fundit, ndërsa BIRN ka kërkuar qasje në këtë dokument, institucionet përgjegjëse ia kanë kaluar njëra-tjetrës përgjegjësinë për sigurimin e tij.

    Më 22 korrik të këtij viti, Avokatura e Shtetit e informoi BIRN-in se, megjithëse kishte porositur përgatitjen e raportit të ekspertizës, dokumenti nuk ndodhej më në posedimin e saj.

    “Lidhur me informacionin e kërkuar – një kopje të raportit të ekspertizës, përkatësisht vlerësimit mbi bazën e të cilit është përgatitur kërkesa e lartpërmendur, theksojmë se dokumenti origjinal është kthyer në Ministrinë e Financave. Prandaj, Avokatura e Shtetit për rajonin e Shkupit nuk e posedon dokumentin në fjalë.”

    “Për këtë arsye, kërkuesi udhëzohet t’i drejtohet Ministrisë së Financave për marrjen e informacionit të kërkuar”, thuhet në përgjigjen ndaj kërkesës për qasje të lirë në informacione me karakter publik.

    Mirëpo, vetëm një javë më vonë, Ministria e Financave, në përgjigje të një kërkese tjetër për qasje në informacione publike, e drejtoi BIRN-in sërish te Avokatura e Shtetit.

    “Avokatura e Shtetit është kompetente për dokumentet e kërkuara. Prandaj, është e nevojshme t’i drejtoheni këtij institucioni, si organi kompetent që e ka krijuar dhe e posedon informacionin.”

    Kështu, dy institucionet kanë dhënë përgjigje kundërthënëse lidhur me posedimin e dokumentit që shërben si bazë për përcaktimin e kompensimit prej afro 700 mijë eurosh.

    Ndërkohë, në nëntor të vitit 2024, pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së dhe partnerëve të saj të koalicionit, pronarja e kompanisë “Ango”, Ankica Trpkovska, u zgjodh anëtare e Komisionit të Agjencisë për Komunikime Elektronike (AEK), institucioni shtetëror përgjegjës për rregullimin e sektorit të telekomunikacionit.

    Për zgjedhjen e saj votuan 61 deputetë të shumicës parlamentare.

    Trpkovska nuk është e punësuar në AEK, por si anëtare e Komisionit merr pjesë në mbledhjet e këtij organi, i cili ushtron funksione të ngjashme me ato të një bordi drejtues.

    Komisioni miraton raportet dhe programet vjetore të Agjencisë, mbikëqyr zbatimin e tyre dhe ka kompetenca për zgjedhjen dhe shkarkimin e drejtorit.

    Për këtë angazhim, Trpkovska përfiton një kompensim mujor të barasvlershëm me katër paga mesatare, përkatësisht rreth 2.700 euro.

    Lajmi Paraprak

    “Alta Banka” / Opozita fajëson pushtetin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë