Kryetari i Komunës së Çairit dhe një nga drejtuesit e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme lokale në Bërvenicë, ku kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji, fitoi ndaj kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Stojançe Radiçevski. Mexhiti ka kritikuar deklaratat polarizuese të bëra gjatë dhe pas procesit zgjedhor, duke theksuar se votat janë shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve dhe nuk mund të konsiderohen pronë e asnjë subjekti politik, përcjell Nistori.
Në reagimin e tij, Mexhiti ka deklaruar se përfundimi i zgjedhjeve duhet të shënojë edhe përfundimin e përplasjeve politike që karakterizuan fushatën. Ai i ka cilësuar deklaratat nxitëse dhe polarizuese si pjesë të një retorike zgjedhore që, sipas tij, nuk duhet të vazhdojë pas shprehjes së vullnetit të qytetarëve.
«Zgjedhjet mbaruan. Sot Bërvenica ka kryetar komune, ndërsa jeta vazhdon dhe të gjithë ne u kthehemi obligimeve tona. Deklaratat nxitëse gjatë fushatës i kam konsideruar si folklor parazgjedhor. Në po atë frymë, deklaratat polarizuese që dëgjova mbrëmë dhe sot i trajtoj si folklor paszgjedhor. Votat janë shprehje e lirë e vullnetit të qytetarëve dhe askush nuk i ka në pronësi ato. Në politikë, pozicionimi kundër të gjithëve nuk është strategji që çon drejt suksesit, por një qasje që herët a vonë prodhon zhgënjim», ka deklaruar Mexhiti.
Deklarata e tij vjen pas reagimit të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili, pas humbjes së kandidatit të VMRO-DPMNE-së në Bërvenicë, e përshkroi garën zgjedhore me shprehjen «Të vetëm kundër të gjithëve». Megjithëse Mexhiti nuk e ka përmendur drejtpërdrejt kryeministrin në reagimin e tij, referenca ndaj pozicionimit «kundër të gjithëve» përkon me formulimin e përdorur nga Mickoski.
Duke iu referuar marrëdhënieve ndëretnike dhe funksionimit të demokracisë në shoqëritë me përbërje të ndryshme etnike, Mexhiti ka theksuar se ndarja e qytetarëve në kategori kundërshtare është e papranueshme dhe mund të krijojë pabarazi. Sipas tij, dialogu dhe bashkëpunimi duhet të jenë parime themelore të veprimit politik, veçanërisht në shoqëritë multietnike.
«Në demokracitë multietnike nuk guxon të ekzistojë ndarje në ‘ne’ dhe ‘ata’, sepse kjo implikon pabarazi dhe tendenca për të suprimuar tjetrin. Dialogu dhe bashkëpunimi në çdo shoqëri janë imperativ dhe parakusht për funksionim të mirëfilltë. Në shoqëritë multietnike, ky dialog është detyrim i të gjithë aktorëve shoqërorë», ka theksuar Mexhiti.
Në përfundim, ai ka kritikuar edhe interpretimet politike që pasojnë rezultatet zgjedhore, duke vlerësuar se subjektet politike duhet të marrin përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e tyre, në vend që të kërkojnë arsyetime kur rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë.
«Prandaj, nuk kemi pse të merremi me folklorin e zakonshëm paszgjedhor, me arsyetimet dhe interpretimet që u serviren qytetarëve sa herë që rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë e dikujt. Qytetarët vendosin me votë, ndërsa politika duhet të dijë të marrë përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e veta», ka përfunduar Mexhiti.
Reagimi i tij pason edhe qëndrimin zyrtar të koalicionit VLEN, i cili ka theksuar se asnjë parti politike nuk mund të pretendojë pronësinë mbi votat e qytetarëve, ndërsa ka paralajmëruar se retorika etnike dhe polarizuese rrezikon të thellojë ndarjet në shoqëri.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbajtura më 1 nëntor, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Arkin Jahiji siguroi 4.442 vota, ose 50,36 për qind, ndërsa Stojançe Radiçevski mori 4.177 vota, përkatësisht 47,36 për qind. Diferenca ndërmjet dy kandidatëve ishte 265 vota.




